2015-06-19 16:49:00

Nga Asambleja e Kishës katolike të Shqipërisë


Asambleja kombëtare e Kishës Katolike nisi punimet e saj pasditen e datës 18 qershor me himnin lutje drejtuar Shpirtit Shenjt Zot ‘Veni cerator spiritus’.

Drejtimin e punimeve të pjesës së parë e udhëhoqi Atë Gazmend Tinaj O.F.M. Arqipeshkevi Massafra ne fjalën e tij përshëndetëse shprehu gëzimin e tij për këtë Asamble. Ai falënderoi Zotin për meshtarët dhe të gjithë ata që kanë sakrifikuar jetën e tyre për ungjillin gjatë periudhës komuniste. Një falënderim u shkon edhe atyre që kanë shërbyer në Kishë në këto vite pas rënies së komunizmit në Shqipëri. Dëshira për të analizuar dhe për të ecur përpara në besnikërinë ndaj Ungjillit është qëllimi i kësaj asambleje. Arqipeshkëvi i Shkodrës falënderoi edhe dy Nuncat Apostolikë, Kardinalin Ivan Dias dhe të ndjerin Imzot Giovanni Bullaitis. Po ashtu u propozua edhe dërgimi i një letre përshëndetje për Papën Françesku dhe për Kardinalin Diaz.

Më tej fjalën e mori Imzot Ramiro Molinar Ingles, Nunci Apostolik në Shqipëri i cili menjëherë tha se ndjejmë afërsinë e Papës Françesku. Ai bëri një përshkrim historik të trevave shqiptare që janë orvatur në shekuj ndërmjet lindjes dhe perëndimit, bizantit dhe kishës latine. Sidomos gjatë kohës së pushtimit otoman të krishterëve shqiptarë iu është dashur të ruajnë besimin ndërmjet shumë vështirësish. Kleri katolik në traditën shqiptare ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm në fushën fetare kulturore dhe politike - theksoi Nunci. Regjimi komunist përkon me vite të tmerrshme për Kishën, me përndjekje e martirizim që arrin kulmin e saj më vitin 1967. Vitet e lirisë pas komunizmit janë shumë të rëndësishme për ringritjen e Kishës. Gjon Pali II me vizitën e tij në vitin 1993 rithemelon hierarkinë katolike shqiptare. Një Kishë e përndjekur, martire, por edhe e lavdishme. Krishti është jetuar këtu qysh në shekujt e parë - theksoi Nunci Apostolik. Rithemelimi i hierarkisë e rilidh Kishën e Shqipërisë me traditën e saj apostolike. Një falënderim u shkon Kishave që janë treguar të gatshme në misionaritetin e tyre.

Vizita e Papës Françesku, një vizite historike, ka treguar gjithë afërsinë e këtij Pape për Shqipërinë. Papa na fton të dalim tashmë jashtë Kishave për t'ua treguar Krishtin atyre që janë jashtë. Është jeta pastorale ajo që na kërkohet. Po ashtu ekumenizmi është një fakt shumë i rëndësishëm. T'u afrohemi atyre që janë të varfër e të mënjanuar. Të shikojmë drejt të ardhmes me shpresë. E ardhmja nuk varet nga ne, sepse po të ishte kështu do të ishte një e ardhme e errët - vazhdoi Nunci - ajo është në duart e Shpirtit Shenjtë. Duhet me zbulu forma të reja, stile jetese të reja, ja ky është Ungjillëzimi i ri. Katekeza dhe të rinjtë janë një sfidë e madhe për të ardhmen - përfundoi Nunci në përshëndetjen e tij.

Imzot Agustini mori fjalën për të shpjeguar punimet e asamblesë dhe programin e saj. Ungjillëzimi i ri është një rimendim i veprimit misionar - shpjegoi Imzot Avgustini, ipeshkëv i Sapës. Është një përmbledhje e re mes ungjillit dhe jetës. Ungjillëzim i ri në aeropagët e rinj: bota e komunikimit të ri.

Imzot Rrok Mirdita mbajti fjalimin e parë rreth jetës së Kishës në Shqipëri dje dhe sot. Në ligjëratën e tij ai hodhi një vështrim gjithëpërfshirës ku u prekën tre etapa kryesore: Etapa e parë 1991-1993 që përkon me fillimet pas rënies së komunizmit deri në vizitën e Papës Gjon Pali II më 25 prill 1993; Etapa e dytë 1993-2000 e cila përkon me shugurimin e meshtarëve të parë shqiptarë në Katedralen e Shkodrës me datë 29 qeshor 2000; dhe periudha e fundit 2000- shtator 2014 me vizitën e Papës Françesku.

Marksizmi ateist - tha Imzot Mirdita - jo vetëm nuk e kishte vënë në gjumë Kishën, por përkundrazi ajo ishte më e gjallë se kurrë. Fillimi i ri ishte një shprehje lirie së cilës iu gëzuan të gjithë. Meshtarët e vjetër nuk ngurruan aspak por filluan misionin e tyre menjëherë. Ne të tjerët stafetën e kemi marrë nga duart e atyre që e kanë mbrojtur me gjakun e martirëve. Një dëshmi personale vitit 1991 kur erdha për herë të parë. Në Shkrel pashë, kur shkova të them meshë, se Kisha në Shqipëri, nuk kishte vdekur, por ishte e gjallë. Teksa shihja ato rrëke njerëzish ngjyra-ngjyra që vinin për meshë u krijua një imazh që më ka shoqëruar për shumë kohë - vazhdoi Arqipeshkëvi i Tiranës. Hyji ua ka shpërblyer atyre qe kanë vuajtur. Ç'befasi u ka përgatitur Hyji atyre fëmijëve e të rinjve që jetojnë sot gëzimin e fesë së marrë prej atyre që kanë vuajtur. Angazhimi ynë është besnikëri ndaj Hyjit dhe atyre që na kanë dëshmuar bukurinë e fesë nëpërmjet martirizimit. Gjatë kësaj periudhe janë ndërtuar strukturat bazë për ungjillëzimin. Janë bërë struktura të cilat nuk janë të përsosura, por që kanë nevojë të përsosen.

Më tej Imzot Mirdita foli për Kishën duke nisur nga përvoja e tij baritore si Arqipeshkëv i Tiranës qysh nga emërimi i tij në dhjetor të vitit 1992 e deri më sot. Janë bërë hapa gjigande. Katedralja dhe kompleksi i Arqipeshkëvisë së bashku me kisha, vepra të tjera shkollore e qendra sociale është kurorëzimi i një pune të gjatë e të madhe. Më pas ai foli për organizimin e Kishës në dy Motropoli në vitin 2005.

Arqipeshkëvi foli edhe për pluralizmin fetar dhe dialogun. Feja nuk mund te kthehet në një ideologji. Ajo është zbulim i lirë i Hyjit dhe pranim i lirë i njeriut. Në këtë liri qëndron dinjiteti i njeriut. Askush nuk mund të detyrojë askënd të besojë. Liria e religjionit është një liri themelore. Pluralizmi fetar nuk na shqetëson. Ajo është e hapur për bashkëpunim. Shkollat tona janë të hapura për të gjithë, të krishterë e msylimanë, e po ashtu ndërmjet krerëvë fetarë ka bashkëpunim.

Në vitin 2000 u bënë shugurimet e para. Meshtarët shqiptarë ndonjëherë ndoshta nuk janë vlerësuar aq sa duhet, por janë lënë në vendet e dyta. Askush nuk i njeh nevojat e shpirtit shqiptar si ata. Meshtarët shqiptarë, kleri vendas duhet të mësojnë gjithashtu edhe përvujtërinë. Për të ardhmen duhet të pyesim veten: A jemi kujdesuar sa duhet për të ushqyer zemrën e të rinjëve dhe dëshirën e tyre për meshtarë?

A i është kushtuar sa duhet vëmendje formimit të klerit? Gjithnjë në lidhje me të ardhmen Imzot Mirdita foli për laikët. Në përmbyllje një fjalë për laikët. Pa popullin e Hyjit ne do të ishim endacak...në mënyrë të veçantë të rinjtë kanë pyetje që ne kemi për detyrë të përgjigjemi.

Pas Imzot Mirditës, Imzot George Frendo, Ipeshkëv Ndihmës i Tiranës, foli për Porosinë Apostolike të Palit VI Evangelii nuntiandi. Qëllimi i ungjillëzimit është pikërisht ky kthim i brendshëm. Ungjillëzimi nuk mund të identifikohet me dialogun. Ungjillëzimi dhe kultura: kisha në dialog dhe e aftë të dialogojë me kulturën dhe me kulturat. Aktualiteti i kulturës ne botën e mediatizuar është i rëndësishëm që kisha të mund të mos rrijë jashtë. Imzot Frendo pyeti veten dhe të gjithë të pranishmit në Kisha katolike në Shqipëri a është në sintoni me gjuhë e kulturës së sotshme për një ungjillëzim të ri?

Pas tij fjalën e mori Znj.sha Elona Mehmetaj e cila foli për angazhimin e Karitasit shqiptar duke u ndalur në mënyrë të veçantë në sektorin e shëndetësisë dhenë atë social në mënyrë të veçantë sektorin e trafikimit. Gjatë prezantimit të punës së Karitasit pati disa linja të përgjithshme, por mungoi një vështrim retropsektiv qysh nga fillimet e Karitasit në Shqipëri duke vënë theksin vetëm në vitet e fundit (2008 e deri sot) e sidomos munguan shifra dhe statistika. Më pas pati ndërhyrje nga salla të cilat theksuan nevojën e lutjes për ungjillëzimin e sidomos nevojën e angazhimit social të kishës ndaj skllavërive të reja. Por gjithashtu u kujtua se angazhimi social i Kishës nuk mund të reduktohet vetëm me veprimtarinë e Karitasit, por duhet të ishte më gjithëpërfshirës.  








All the contents on this site are copyrighted ©.