2015-06-12 17:31:00

Imzot Frendo në Fshatin e Paqes:“Figura e meshtarit në magjisterin e Papës Françesku”


Dita e Shenjtërimit Meshtarak u kremtua edhe në Shqipëri, duke i paraprirë festës së Zemrës së Krishtit. Dje, kleri katolik u mblodh në Fshatin e Paqes, në Shkodër. E lartë, pjesëmarrja në këtë takim të organizuar nga Komisioni episkopal për klerin dhe rregulltarët, kryesuar nga Imzot Cristoforo Palmieri, Ipeshkëv i Rrëshenit.

Nga kumtesat e shumta, po veçojmë atë të ipeshkvit ndihmës të kryedioqezës së Tiranë-Durrësit, imzot George Frendo, me temë “Figura e meshtarit në Magjisterin e Papës Françesku”, siç na njofton don Gjergj Meta. Nëpërmjet teksteve të Atit të Shenjtë, por edhe të parardhësit të tij Benediktit XVI, Imzot Frendo ravijëzoi identikitin e meshtarit në kohën e sotme, duke iu referuar në mënyrë të veçantë Magjisterit të Françeskut. Ai u ndal kryesisht në shtatë tipare të figurës së meshtarit.

Së pari, vërtetësia. Shembulli i Jezusit, si ai që mësonte me autoritet, e shtyn meshtarin të jetë njeri autentik, i vërtetë dhe të mos shtiret. Lutja dhe përshpirtëria e ndihmojnë një meshtar dhe një ipeshkëv që të jenë njerëz autentikë.

Tipari i dytë është gëzimi dhe ndarja e këtij gëzimi me të tjerët. Duke cituar Papën Françesku, imzot Frendo nënvizoi se “gëzimi meshtarak ka tri karakteristika: “Është një gëzim që na vajon. Pra, një gëzim që ka hyrë në brendësinë e zemrës sonë dhe e ka shndërruar e forcuar në mënyrë sakramentale... Është gëzim i pakorruptueshëm. Tërësia e dhuratës, të cilën askush nuk mund ta largojë as ta shtojë, është burim gëzimi... Është gëzim misionar. Gëzimi i meshtarit, në marrëdhënie intime me popullin e shenjtë dhe besnik të Zotit.”
 

Thjeshtësia e jetës e kuptuar si varfëri jete e ndihmon priftin të dëshmojë vërtetësisht. Papa Françesku thekson se vërtet meshtarët dioqezanë “nuk e bëjnë kushtin e varfërisë, por duhet ta kenë shpirtin e varfërisë” (në Katedralen e Napolit). Një jetë e thjeshtë, pa luks, nënvizoi imzot Frendo, e bën meshtarin më të besueshëm. E kjo është një ndër arsyet e popullaritetit të Papës Françesku.

Së katerti, meshtari është shërbëtor i popullit. “Jo vetëm fjalët, por edhe shembulli i Françeskut na mësojnë domethënien e mbarështimit meshtarak si shërbim. Në Shkrimin e Shenjtë titulli “shërbëtor” ishte titull nderi. Quheshin “shërbëtorë” ata që udhëhiqnin popullin si Moisiu, ata që flisnin në emrin e Zotit si Isaia. Jezusi vetë quhet “shërbëtor”; Maria quan vetveten “shërbëtore”. Edhe në politikë përdoret fjala “ministër”, që do të thotë “shërbëtor”. Por ndërsa në politikë ky titull është thjesht një titull, për ne ky titull tregon misionin tonë”, pohoi imzot Frendo, para meshtarëve, në Fshatin e Paqes.

Shpirti i mëshirshëm është tipari tjetër thelbësor i shërbesës meshtarake. Qysh në fillimet e tij – theksoi Imzot Frendo – Papa Françesku na ka folur për mëshirën. Në lutjen e parë të Engjëllit të Tënzot, pati thënë: “Hyji nuk lodhet kurrë së faluri”. Edhe në “Evangelii gaudium” (n. 44) ai na kujton ne, meshtarëve, se “rrëfyestorja nuk është dhomë torturash, por takim me mëshirën e Zotit”.

Tipari i gjashtë i një meshtari është angazhimi baritor. Kjo do të thotë të jetë afër njerëzve dhe të zbulojë përmasën atërore të shërbesës së tij. Imzot Frendo përsëriti shprehjen e famshme të Papës Françesku: “barinj me erën e deleve”.

Dashuria për Kishën, tipari i fundit që përvijoi imzot Frendo.  “Nuk mund ta duash Jezusin nëse nuk do nusen e tij”, u pati thënë Papa meshtarëve gjatë vizitës në Napoli.

Në ditën e djeshme, kushtuar shenjtërimit të meshtarëve në Fshatin e Paqes, në Shkodër, folën edhe të tjerë, si rektori i seminarit ndërdioqezan, don Leonardo Falco, drejtori i Insitutit Teologjik, atë Mario Imperatori, dom Gjergj Simoni e atë Sokol Pepushi. Meshën e rastit e kryesoi imzot Angelo Massafra, kryetar i Konferencës Ipeshkvnore, në bashkremtim me ipeshkëvinjtë e tjerë të pranishëm. Të gjithë së bashku kaluan disa momente të bukura vëllazërore rreth sofrës së të zotit të shtëpisë, Kryeipeshkvit Metropolit të Shkodrës, Imzot Massafra.








All the contents on this site are copyrighted ©.