2015-06-10 15:10:00

Françesku: të mos i lëmë familjet vetëm në provën e sëmundjes


 

Sëmundja, që prek njerëzit tanë më të dashur e qëndrimi ynë ndaj saj: kjo, tema, në qendër të vëmendjes së Françeskut në audiencën e sotme të përgjithshme, mbajtur, si zakonisht, në Sheshin e Shën Pjetrit. Në provën e sëmundjes, porositi Papa, familja të mos lihet kurrë vetëm.

Me vuajtje e ankth shumë më të madh. Kështu jetohet sëmundja në familje. Jetohet kështu, shpjegoi Papa, sepse është dashuria që na bën ta ndjejmë shumë më tepër shqetësimin. Familja ka qenë gjithnjë spitali më i afërt, vërejti Françesku, duke vijuar ciklin e katekizmit mbi familjen, kushtuar sot situatave të vështira, kur njeriu sëmuret e vuan. E kjo na kujton, shtoi Ati i Shenjtë, brishtësinë e jetës së secilit nga ne që, në fillim, jetojmë në familje e pastaj, kur vjen ora e  vonë e lodhja e moshës na kapit, e ndjejmë edhe më fort nevojën e pranisë së saj.

Papa nënvizoi se edhe sot e kësaj dite, në të katër anët e botës, spitalet janë shpesh herë privilegj për pak njerëz e, nganjëherë, edhe tepër larg.  E janë prindërit, vëllezërit, motrat, gjyshet, që mjekojnë e shërojnë. Prej këndej, thirrja e Papës për të mos e lënë familjen vetëm në orën e vështirë të sëmundjes së ndonjërit nga anëtarët e saj. Aq më tepër kur mendon se në rrethin familjar, të sëmurët që i duam, e ndjejnë shumë më pak vuajtjen e ankthin. Shumë herë një atë a një nënë  e ka më të vështirë ta mbartë dhimbjen e birit a të bijës, sesa dhimbjen, që e ka në trup të vet. Prej këndej, nënvizimi se familja është spitali më i afërt e më i frytshëm, ku njeriu mund ta durojë më lehtë çdo situatë të vështirë.

Të shumta, episodet e Ungjillit, që flasin për takimet e Jezusit me të sëmurët si dhe për mrekullitë e shërimit të tyre, vijoi të kujtonte  Papa, duke shtuar:

“Nëse mendoj për qytetet e mëdha bashkëkohore, nuk mund të mos pyes ku janë portat, para të cilave mund t’i lësh të sëmurët, me shpresë se dikush do të merret me ta e do t’i shërojë?’. Jezusi nuk pushoi kurrë duke i mjekuar. Nuk kaloi përtej, nuk e ktheu kurrë kokën nga ana tjetër, për të mos i parë. Shërimi i tyre vinte përpara ligjit, edhe në atë, që ishte aq i shenjtë, në pushimin e së shtunës”.

Doktorët e ligjit e qortonin Jezusin, pse shëronte të shtunën, pse bënte mirë të shtunën… Por dëshira e Jezusit ishte t’ua kthente shëndetin njerëzve, t’i shëronte, t’u bënte mirë. Çdo ditë. E kjo zë gjithnjë vendin e parë!

Ja cila është detyra e Kishës, theksoi Papa:

“T’i ndihmojë të sëmurët, t’i mbështesë, të mos e humbasë kohën me thashetheme të kota, të ndihmojë, të ngushëllojë, të lehtësojë, të jetë gjithnjë pranë të sëmurëve”.

Papa, më pas, duke rikujtuar faqen ungjillore të gruas pagane, që i lutet me  përgjërim Jezusit t’ia shërojë të bijën, derisa edhe e nxjerr këtë hir, i ftoi besimtarët të luten shumë për të dashurit e tyre të prekur nga sëmundja:

“Lutja për të sëmurët nuk duhet të mungojë kurrë, madje për ta duhet të lutemi edhe më shumë, si personalisht, ashtu edhe në bashkësi”.

Më pas, edhe porosia për t’i edukuar fëmijët që në vegjëli me ndjenjën e solidaritetit në kohët e vështira të sëmundjes:

“Edukimi, që e mban fëmijën larg ndjeshmërisë ndaj sëmundjes, ia bën zemrën gur. E për më tepër i bën të rinjtë të pandjeshëm ndaj sëmundjes së tjetrit e të paaftë për ta përballuar vuajtjen e për ta jetuar përvojën e kufizimeve njerëzore”.

Sa herë, vijoi Françesku, shikojmë burra e gra, që vijnë në punë me sy të mbufatur, të lodhur e të këputur pas netëve pa gjumë, kaluar mbi kokën e njerëzve të dashur, të sëmurë:

“Këto heroizma të heshtura bëhen kur një nga anëtarët e familjes është rëndë, kur vuan nëna, babai, biri a bija…. E bëhet me dashuri, me guxim, me vetmohim”.

Ligështia e vuajtja e të dashurve tanë më të shtrenjtë, shtoi Papa, mund të bëhen për bijtë e nipat tanë shkollë e vërtetë jete, nëse shoqërohet edhe nga lutja dhe afërsia plot dashuri e kujdes e familjarëve.

Së fundi, thirrja për solidaritet:

“Bashkësia e krishterë e di mirë se familja, në provën e sëmundjes, nuk duhet lënë kurrë vetëm!”.

E edhe një falënderim:

“Kjo afërsi e krishterë, nga familja në familje, është thesar i vërtetë për famullinë; thesar urtie, që i ndihmon familjet në çastet më të vështira e i bën ta kuptojnë Mbretërinë e Hyjit shumë më mirë se një mori fjalimesh! Janë ledhatim i Zotit. Faleminderit!”.








All the contents on this site are copyrighted ©.