2015-06-07 13:40:00

Papa në avion: jo, hipokrizisë së atyre që flasin për paqe e shesin armë!


Çështja e Medjugorje-s, promovimi i paqes dhe dënimi i konsumizmit, që dëmton të rinjtë, ishin temat kryesore, prekur Papa Françesku gjatë konferencës së shkurtër të shtypit në avion, në kthim për Romë.

Pak pyetje, por për tema shumë të rëndësishme. Pavarësisht nga koha e shkurtër e fluturimit, Papa Françesku nuk hoqi dorë nga konferenca tradicionale e shtypit në avion. Duke iu përgjigjur një pyetjeje për Medjugorje-n, sqaroi se çështja është shqyrtuar hollësisht nga një Komision i ngritur prej Benediktit XVI, kryesuar nga kardinali Camillo Ruini. Aktualisht, vijoi, raporti i Komisionit po shqyrtohet në Kongregatën për Doktrinën e Fesë, lidhur me vendimet e ardhshme për këtë çështje. Pastaj iu përgjigj pyetjeve për shtegtimet e tij në “periferitë” e Evropës, si Shqipëria e Bosnjë-Hercegovina:

“Është sinjal! Desha t’i filloj vizitat në Evropë, duke nisur nga vendet e vogla; e viset e Ballkanit janë vërtet të martirizuara: kanë vuajtur shumë! Kanë vuajtur shumë… Prandaj i pëlqej më shumë se të tjerat!”.

Përgjigjja tjetër, për pyetjen tjetër, ishte denoncim i fuqishëm kundër atyre që flasin për paqe e krijojnë klimë lufte:

“Po, ka hipokrizi, gjithnjë! Prandaj kam thënë se nuk mjafton të flasësh për paqen: paqja duhet siguruar! E kush  flet për paqen, po  nuk punon për ta siguruar, është në kundërshtim me vetveten; e aq më tepër kush flet për paqen e i fryn zjarrit të luftës, për shembull me shitjen e armëve -  kush vepron kështu, është hipokrit!”.

Në përfundim Françesku u rikthye tek tema e “vartësisë” nga kompjuteri e nga celularët, për të cilën foli edhe në takimin me të rinjtë:

“Për t’u çuditur kjo: në shumë familje baballarët e nënat më thonë: jemi në sofër me fëmijët e ata, me celularë në vesh, janë në një botë tjetër. Vërtet se gjuha virtuale është realitet, që nuk mund ta mohojmë: duhet ta çojmë në udhë të mirë, sepse është shenjë e progresit të njerëzimit. Po kur kjo të çon larg jetës së përbashkët, jetës familjare, jetës shoqërore, edhe larg sportit, larg artit e mbetemi ditë-natë të ngujuar në kompjuter, kjo është sëmundje psikologjike”.

Papa denoncoi edhe disa nga të këqijat e konsumizmit, si pornografia dhe programet televizive relativiste, hedoniste e konsumiste:

“E dimë se konsumizmi është kancer i shoqërisë, relativizmi është kancer i shoqërisë: për këtë do të flas në Enciklikën e ardhshme, që do të dalë këtë muaj. Kam përdorur fjalën “ndyrësirë”, për t’u shprehur në përgjithësi. Po  këtë e dimë të gjithë. Ka prindër që shqetësohen edhe shumë, e prej këndej, nuk  lejojnë që fëmijët të kenë kompjuter në dhomat e tyre: kompjuterat duhet të jenë në një vend të shtëpisë, që  përdoret bashkërisht.  Kjo është një farë ndihme për prindërit, që mundohen t’i shmangin rreziqet”.       

 








All the contents on this site are copyrighted ©.