2015-06-06 18:19:00

Sarajeva


Kryeqyteti i Bosnjë-Hercegovinës dhe kreu i kantonit, me të njëjtin emër. Popullsia e tij arrin në 891.422 banorë (2013). 79,6% e popullsisë së kantonit përbëhet nga boshnjakë myslimanë, 11,2% nga serbë dhe 6,7% nga kroatë. I ndarë më dysh nga lumi i vogël Miljaçka, Sarajeva (511 m mbi nivelin e detit) ndodhet në një luginë të rrethuar me male. Disa nga lagjet e saj arrijnë në 900 metra mbi nivelin e detit, ndërsa malet përreth shkojnë përtej 2 mijë metrave. Kantoni i Sarajevës formohet nga 9 lagje, prej të cilave, tre përbëjnë bërthamën qytetare. Centar, e pozicionuar në mes, ndërmjet pjesës më të vjetër të qytetit dhe asaj më bashkohore është seli e administratave kryesore. Novi Grad (Qyteti i Ri), ndërtuar kryesisht në vitet ’70 së bashku me industrinë e komunizmit, prandaj shihet qartë stili i pallateve gri, karakteristike të epokës. Shumica e tyre u shkatërruan gjatë luftës, por më pas janë rindërtuar më moderne. Stari Grad (Qyteti i Vjetër), pjesa më e lashtë e Sarajevës, e pasur me monumente e me vende historike kulti. Pjesa lindore ka gjurmë të qarta otomane, ndërsa ajo perëndimore, me pamjen e arkitekturës së habsburgëve, e kthen Stari Gradin në pikë takimi ndërmjet Lindjes e Perëndimit.

Zona e Sarajevës është e banuar që nga Epoka e Gurit. Një qytet romak – që ndoshta quhej “Aquae Sulphurae” – ngrihej në vendin e lagjes së sotme Ilidza. Në Mesjetën e Vonë, Sarajeva paraqitej si një grumbull fshatrash rreth një tregu e një fortese, të quajtur Vrhbosna. Qyteti si i tillë, është themeluar në vitin 1461, kur guvernatori i parë otoman i Bosnjës, Isa-beg Ishakoviç, e shndërron grumbullin e fshatrave në një qytet e më pas, në kryeqytet, duke ndërtuar elemente kyç si xhamia, tregu i mbyllur, banjot publike, një lloj hoteli dhe sarajet e veta, duke i dhënë qytetit emrin që ka sot. Më i famshmi ndër urat mbi lumin Miljaçka është “Ura Latine” (e përmendur që në kronikat e vitit 1541), teatër i vrasjes së arqidukës së Austrisë, Franc Ferdinandit (28 qershor 1914). Me vlerë të madhe natyrore, malet Trebeviç, Bjelashnica, Igman, burimet e lumit Bosna dhe të lumit Miljaçka.

Sarajeva zhvillohet shumë gjatë shekullit XVI. E djegur dhe e bërë rrafsh me tokën nga trupat e Eugjenit të Savojës, në luftë kundër Perandorisë Otomane, qyteti nuk merr kurrë veten krejtësisht e kryeqyteti i Bosnjës zhvendoset në Travnik. Në vitin 1878, Bosnja pushtohet nga perandoria austro-hungareze e Vjena e shndërron urbanistikën e qytetit në atë të një qyteti modern evropian. Lindin kështu lagje të reja më arkitekturë habsburge, përkrah lagjeve otomane. Më 28 qershor 1914, vrasja e arqidukës Franc Ferdinand dhe e gruas së tij në Sarajevë bën të shpërthejë Lufta I Botërore. Në përfundim të saj, lind “Mbretëria e Serbëve, Kroatëve dhe Sllovenëve”, një bashkim i zorshëm e i imponuar ndërmjet etnive të ndryshme, që nuk i rezistoi trupave naziste në vitin 1941. Me çlirimin nga nazizmi, kreu i rezistencës komuniste, Josip Broz Tito, bëhet kryeministër. Në stilin e zakonshëm komunist, ai eliminon të gjithë opozitorët, e shpall të paligjshme monarkinë dhe, në vitin 1945, shpall themelimin e Republikës Federale të Jugosllavisë, duke u bërë president në vitin 1953 e president i përjetshëm në vitin 1974. Sarajeva shndërrohet në një qendër të rëndësishme industriale e në vitin 1984, arrin të mirëpresë Lojrat Olimpike Dimërore.

Vdekja e Titos (4 maj 1980) shënon fillimin e fundit të Federatës Jugosllave. Ndarjet etnike dhe konfliktet nacionaliste në një periudhë dhjetëvjeçare, do të çonin në luftrat ballkanike (1991-1996) dhe në ndarjen e territorit jugosllav në 7 entitete shtetërore: Bosnjë-Hercegovina, Kroacia, ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë, Kosova, Mali i Zi, Sllovenia dhe Serbia. Me shpërthimin e konfliktit ndërmjet tre grupeve kryesore etnike në Bosnjë (boshnjakë myslimanë, serbë e kroatë), qyteti  rrethohet nga trupat serbo-boshnjake (1992-1996). Bombardimet shkaktojnë dëme të mëdha në trashëgiminë historike dhe rreth 12 mijë të viktima, prej të cilëve, 400 fëmijë. Në përfundim të luftës (mars 1996), popullsia e Sarajevës ishte përgjysmuar (335 mijë) për shkak të luftimeve dhe emigracionit të detyruar. Rindërtimi, filluar pas Marrëveshjes së Dejtonit (fundi i vitit 1995), vijon akoma, por vazhdojnë të jenë të dukshme edhe shenjat e konfliktit. Që nga periudha otomane, Sarajeva njihej për jetën e saj intensive intelektuale, fryt i bashkëveprimit ndërmjet grupeve të ndryshme etniko-fetare. Këtu kanë lindur, Vladimir Prelog (Çmim Nobel për Kiminë, 1975) dhe regjizori i njohur Emir Kusturica; këtu kanë ndenjur gjatë, Ivo Andriç (Çmim Nobel për Letërsinë, 1961), shkrimtari Predrag Matvejeviç dhe regjizori Danis Tanoviç. Sarajeva mburret me universitetet dhe akademitë artistike, me dy teatrot dhe me pesë muzetë. Ajo mirëpret vazhdimisht festivale të kinemasë, të muzikës xhaz, si edhe të mirënjohurin Festival Dimëror. Kryeqyteti boshnjak përgatitet për Festivalin e 13-të Evropian të Rinisë Olimpike (EYOF), nga 11 deri më 18 shkurt 2017, kur parashikohet të shkojnë në Bosnjë 1.500 atletë, nga 50 vende evropiane, në praninë 2 mije të ftuarve ndërkombëtarë.

Fetë. Sarajeva, e njohur si “Jeruzalemi i Evropës”, është qytet multietnik dhe multifetar, ku besimtërët bashkëjeteojnë prej shekujsh, megjithëse marrëdhëniet janë cënuar nga luftrat e fundit.

Ungjillëzimi. Në shekullin VI serbët emigrojnë nga Evropa e veriut drejt Ballkanit, në atë kohë, pjesë e Perandorisë Bizantine. Kronikat tregojnë për pagëzime në masë të serbëve, që në shekullin VII, por kthimi përfundimtar në krishterim fillon gjatë mbretërisë së Mutimirit, në fillim të shekullit IX. Impulsi përfundimtar drejt krishterimit vjen nga vëllezërit shenjtorë Ciril e Metod, thirrur nga mbreti Ratislav për të ungjillëzuar Panoninë dhe Moravinë, ku vepronin misionarë e meshtarë të ritit latin, konsideruar tëpër të lidhur politikisht me Romën. Misionarë të krishterë mbërrijnë në fiset serbe nga Selaniku dhe Kostandinopoja, por edhe nga qytetet bregdetare të Adriatikut, ku ekzistonin bashkësi të krishtera para sllavëve. Në vitin 878 shugurohet ipeshkvi i parë i Beogradit, me emrin Sergj.

Islami erdhi në Sarajevë me pushtimin otoman, në vitin 1463. Shumë banorë të krishterë u kthyen në fenë e Portës së Lartë për të larguar dyshimet e bashkëpunimit me kalorësit kryqtarë, armiq të otomanëve.

Prania hebraike, kryesisht sefardite, njihet që nga viti 1492, pas përzënies së hebrenjve nga Spanja, me dekret të Ferdinandit të Aragonës.

Vendet e kultit

Islamike. Xhamia e Perandorit ose Tsars, ndërtuar ndërmjet 1462-shit dhe 1566-ës, mban emrin e Sulejmanit I; xhamia e Gazi Husrev beut (1530-1531), shembulli më i rëndësishëm i arkitekturës islamike në Bosnjë, ndërtuar nga arkitekti i famshëm me origjinë shqiptare Sinani; xhamia e Ali Pashait (1560-61), dëmtuar rëndë gjatë luftës e restauruar, sot është Monument Kombëtar; xhamia e Mbretit Fahd, më e madhja e Sarajevës, financuar nga Arabia Saudite.

Ortodokse. Disa kisha serbo-ortodokse janë 500 vjet të vjetra. Katedralja Patriarkale Ortodokse Serbe: ndërtuar në stilin barok (1863-1868) i kushtohet Lindjes së Jezusit. Është më e rëndësishmja e Sarajevës dhe një ndër më të mëdhatë e Ballkanit. Me 5 kupola, ka formën e kryqit, e brenda është e pasur me dekorime. E lartë e imponuese, këmbanorja e vendosur në hyrje. Kisha e vjetër ortodokse (përfunduar në vitin 1539) u kushtohet Kryeengjëjve Gabriel e Mëhill.

Katolike. Katedralja e Sarajevës i kushtohet Zemrës së Krishtit. Seli e dioqezës katolike në Bosnjë. Ndërtuar në periudhën 1884-1889, ka elemente gotike dhe neoromanike. Dëmtuar rëndë gjatë rrethimit të Sarajevës, është restauruar e konsiderohet si një nga simbolet e qytetit. Kisha e Shën Jozefit në lagjen Marijin Dvor, menjëherë jashtë zonës qendrore. Ndërtuar në vitet 1936-1940, në stilin neoromanik, me strukturë e tre navata në gur të bardhë, ruan varrin e Ivan Shariç, kryeipeshkvit të Sarajevës në gjysmën e parë të shekullit XX, i cili pati promovuar ndërtimin e saj. Kisha e Shna’Ndout të Padovës, në lagjen e vjetër Bistrik, ndërtuar në vitin 1912, në stilin neogotik, në vend të një tempulli më të vogël të mëparshëm katolik të vitit 1882, shembur për shkak të problemeve të qëndrueshmërisë. Shërbente si katedrale deri në ndërtimin e aktuales. Ngjitur me kishën, një manastir françeskan i vitit 1894.

Hebraike. Sinagoga e Sarajevës (ashkenazite), në jug të lumit Miljaçka, është vendi i vetëm i lutjes për bashkësin ëhebraike. Ndërtuar në vitin 1902, në stilin neomoresk e shuguruar në vitin 1930, iu ofrua autoriteteve qytetare si qendër kulturore (1966) në katin e parë, ndërsa kati i dytë i kushtohet kultit hebraik. Sinagoga e Vjetër (sefardite), në lagjen hebraike (Velika Avlija), është e vitit 1581. Dëmtuar nga zjarri në vitin 1697 e 1788, shndërrohet në Muzeum Hebraik (1965). Muret me gur të gdhendur, pa dekorime, e bëjnë ambientin shumë sugjestiv.

Kryedioqeza e Vrhbosnës, Sarajevë është themeluar në shekullin VII, shpallur metropili më 5 korrik 1881. Aktualisht përfshin 22.401 km katrorë, 1.930.000 banorë, prej të cilëve 10% katolikë. Këta të fundit shpërndahen në 154 famulli, 1 kishë. Në dioqezë shërbejnë 153 meshtarë dioqezanë (6, shuguruar vitin e fundit); 181 meshtarë rregulltare, 225 rregulltarë, 252 murgesha, 39 seminaristë, 12 institute edukimi e 13 institute bamirëse. Gjatë vitit të fundit janë pagëzuar 2.252 vetë. Kryeipeshkvi i Vrhbosnës është kardinali Vinko Puljiç.








All the contents on this site are copyrighted ©.