2015-06-06 18:08:00

Kisha Katolike në Bosnjë, që nga fillesat e deri në shekullin XX


Kisha Katolike në territorin e Sarajevës e të Bosnjë-Hercegovinës i ka rrënjët në periudhën post-apostolike. Misionarët e parë erdhën nga qytetet e afërta të Dalmacisë e të Panonisë. Dëshmi për këtë janë gjetjet arkeologjike si kisha, bazilika e varreza, në Duvno, Mostar, Bihaç, Moshunj, Zenica, Mogorjelo, Klobuk, Cim, Potoci, si edhe në Sarajevë e rrethina.

Shën Cirili e Metodi

Emigracioni i gotëve, hunëve dhe sllavëve shkaktoi shkatërrime të mëdha në qytetet e vendet e e krishtera të kultit. Pas ngulimit të sllavëve dhe të kroatëve – këta të fundit vinin nga jugu – fillon një proces i ngadaltë kristianizimi, që zgjati disa shekuj. Misionarët vinin nga qytetet romake e kroate (jug) dhe nga Panonia (veri). Dishepujt e shenjtorëve Ciril e Metod patën një rol vendimtar në ungjillëzimin e atyre trojeve, duke përdorur gjuhën sllave në liturgji. Në atë periudhë (shekulli IX) datojnë gjetjet e kishës në stilin pre-romanik, kushtuar shën Shtjefnit në Vrutci, afër burimit të lumit Bosna.

Mesjeta

Kisha lokale, që nuk kishte kontakte të mjaftueshme me qendrat e afërta të krishtera, zhvillon me kohë disa karakteristika tipike të vetat. Këto ndryshime, me rëndësi më tepër politike se sa fetare, shkaktojnë dyshime në hierarkinë fetare e politike: nuk vonon akuza për herezi e vijojnë proceset e fushatat ushtarake, që përfundojnë me ndarjen e Kishës vendase në Kishë Latine dhe në Kishë të Boshnjakëve të krishterë (Bosnanski krstjani), nën udhëheqjen e një ipeshkvi, që quhej “djed”.

Ky dualitet fetar është fatal për të ardhmen e Kishës në vend. “Kisha Boshnjake” lidhet me lëvizjet heterodokse të përhapura në Evropë dhe mbahet pranë nga mbretërit e Bosnjës për kontributin që pati dhënë në arritjen e pavarësisë kombëtare, ndërsa “Kisha Latine” merr gjithnjë e më tepër pamjen e një Kishë perëndimore të reformuar. Pas presioneve të “të krishterëve boshnjakë” e pas shkatërrimeve të tartarëve (1242), ipeshkvi latin e lë Bosnjën për t’u vendosur në Djakovo të Sllavonisë. Mbërritja e etërve domenikanë, pasuar nga françeskanët (1291) e mbushin këtë boshllëk në shërbimin baritor. Puna e dishepujve të Varfanjakut të Asizit është e çmuar, pasi arrijnë të fitojnë besimin e qeveritarëve e të mbledhin rreth vetes besimtarët katolikë, duke i kthyer shumë prej “të krishterëve boshnjakë” në katolicizëm. Në shekullin XV, Kisha lokale zhvillohet aq shumë, sa bëhet i nevojshëm themelimi i një dioqeze të re në Visoko, për t’iu përgjigjur kërkesave të besimtarëve katolikë. Por, ky lulëzim në Kishën Katolike ndërpritet për shkak të sulmeve e pastaj, të pushtimit otoman, në vitin 1463.

Pushtimi otoman

Fitorja otomane lë shenja, që shihen edhe sot, në indin fetar, etnik, politik e shoqëror të vendit. Pavarësisht nga konçesioni i autoriteteve otomane, që i mbronte pjesërisht françeskanët dhe bashkësinë katolike, që u ishte besuar atyre (Edikti Perandorak i Sulltanit Muhamet II), kjo njohje nuk u garanton të krishterëve as sigurinë, as të drejta të brabarta me të tjerët. Fillon kështu, emigracioni në masë nga Bosnja drejt Kroacisë, Austrisë dhe Hungarisë, ndërsa besimtarët e tjerë kthehen në myslimanë. Otomanët i popullojnë zonat e braktisura me ngulime ortodokse, duke hedhur kështu bazat e strukturës demografike të Bosnjës së sotme. Në Vrhbosna, seli e ipeshkvit, ndërtohej një saraj e qyteti zhvillohet përreth selisë së re të pushtetit, duke marrë emrin “Sarajevë”. Në fund të shekullit XV, mbi rrënojat e katedrales së shën Pjetrit ndërtohet një teqe e qyteti islamizohet me plan nga qeveritari i atëhershëm Gazi Husrev Bej (1521-1541).

Në vitin 1600, ipeshkvi Baliçeviç, gjatë një vizite baritore, gjen në Sarajevë 200 familje katolike, një famullitar dhe një kishë famullitare, kushtuar shën Marisë Virgjër. Në vitin 1656, mbi kishën bie zjarri e digjet; rindërtohet më vonë, por numri i familjeve katolike zvogëlohet më tej e në vitin 1672, qyteti ka 100 besimtarë. Ipeshkvi i Bosnjës, që akoma e kishte selinë në Gjakovo (Osijek), nuk mund të hyjë më në vend, atëherë, Selia e Shënjtë, në vitin 1735, emëron një Vikar apostolik. Duhet pritur viti 1768, që meshtarët të lejohen të qëndrojnë sërish në qytet. Françeskanët ndërtojnë një kapelë e numri i katolikëve fillon të rritet. Në vitin 1850, Sarajeva deklarohet kryeqytet i Bosnjës e ipeshkvi transferohet në vitin 1879.

Administrimi austriak (1878-1918)

Me fundin e pushtetit otoman në Bosnjë, Austria ngarkohet nga Kongresi i Kombeve Evropiane i Vjenës të merret me vendin. Duke qenë Austria vend katolik, kjo periudhë i jep mundësinë Kishës lokale të organizojë strukturat. Papa Leoni XIII publikon, më 5 korrik 1881, bulën “Ex hac Augusta”, duke krijuar kështu provincën e re kishtare të Bosnjë-Hercegovinës, me kryedioqezën e Vrhbosna/Sarajevës, seli e kryeipeshkvit, dhe me dioqezat sufragane të Banja Lukës e të Mostarit. Vijon një periudhë veprimtarie intensive e Kisha pajiset me struktura kishtare dhe edukative, duke u angazhuar për emancipimin e fshatarëve, viktima shekullore të sistemit bujqësor feudal.

Periudha ndërmet dy konflikteve botërore (1918-1941)

  Lufta I Botërore i jep fund administrimit austriak dhe rajoni kalon si pjesë përbërëse e kombit të ri të “Sllavëve të Jugut”, me emrin Mbretëria e Jugosllavisë. Pavarësisht se pakicë e lënë mënjanë, bashkësia katolike e Bosnjë-Hercegovinës ka shumë veprimtari në fushën e edukimit (shtyp katolik, shkolla, shoqata dhe institute).

Pas Luftës II Botërore

Sistemi i ri shoqëror në fuqi sjell ndarjen e qartë ndërmjet shtetit dhe Kishës. Kësaj së fundit i kërkohet të heqë dorë nga impenjimi i saj shoqëror: shkollat, institutet edukative dhe bamirëse i dorëzohen shtetit. Në vitin 1966, nënshkruhet një Protokoll Diplomatik ndërmjet qeverisë së Jugosllavisë dhe Selisë së Shenjtë, i cili, përveç marrëdhënieve diplomatike ndërmjet dy shteteve, mundëson edhe lidhje më elastike ndërmjet kryeipeshkvit Çekada dhe autoriteteve lokale. Kjo bën të rihapet seminari teologjik në vitin 1969 e, më pas, një shkollë teologjie në vitin 1975.

Konflikti (1991-1995)

Bosnjë-Hercegovina në përgjithësi, e Sarajeva në veçanti, kanë paguar një çmim shumë të lartë. Në kryeqytet, besimtarët katolikë kaluan nga 530.000 në 125.000 vetë; 3 etër françeskanë u vranë, të shumta qenë dëmet materiale. Në përgjithësi, humbjet e Kishës Katolike në Bosnjë-Hercegovinë mund të përmblidhen si vijon: 99 kisha të shkatërruara, 127 të tjera të dëmtuara; 6 manastire e kuvende të shkatërruarar, 21 të dëmtuara; 23 qendra famullitare të shkatërruara, 60 të dëmtuara. Numri i katolikëve të detyruar të braktisin shtëpitë vlerësohet në 450.000 vetë; një murgeshë e 9 meshtarë janë vrarë. Ndër çastet më domethënëse të rindërtimit moral e kulturor të kryeqytetit boshnjak, rihapja, me Akt solemn Akademik, i Institutit Teologjik të Seminarit françeskan në Nedjarici, një nga zonat e Sarajevës, më të shkatërruara nga lufta.








All the contents on this site are copyrighted ©.