2015-05-30 14:39:00

Vargje kushtuar Zojës së Bekuar nga poetët shqiptarë


Ndër kambë Tua
Ndër kambë tua, Zoja Mërí,
Janë tue ardhë, qe, tanë bijtë tú;
Merr dhantinë, që me dashtëní
Zemra e jonë, o Nanë, t’ kushton.
Por n’ mos kjoshin zemrat tona
Aq të bardha, porsi lili:
Ti je Nana gjithë e jona,
Tjetër shpirti s’ na kërkon.
Nanë e dashtun, Nanë e lume,
Nanë e Zotit n’ ty mishnue,
Ti e din mirë se n’ jetë t’ shkretnueme,
Zemra e eme, o Zojë, ankon.
Ty, o e qiellve bukuria,
Ty, që ndrite porsi diell,
T’ falet, Zojë, t’falet, Maria,
Zani i em, kah lavde t’ kndon.
Shek’lli e ferri, ah! sa mundohen
Me m’ vû prita, n’ mëkat me m’ rrxue;
As un’ s’ kam se kuj i ankohem,
Veç Ty, o Nanë, që t’ mirën m’ don.
Kur kah ti un’ sytë i priri,
Ngjallem n’ zemer plot uzdajë;
Zojë, prej teje na rrjedh hiri,
N’për ty shpirti, o Nanë shenjtnon.
Due me t’ dashtë, me t’ dashtë gjithhera,
M’u ndezë flakë n’ dashtëní per ty;
Me t’ avitë due zemra tjera
Me t’ kndue ‘i lavd që ty t’ madhnon.
Ardhët, po, ardhët, ah! shpejt ardhët dita,
Qi i shkatërruem prej shekllit t’ mjerë,
Fluturim, si gjithherë prita,
Ardhsha atje, ku ti lumnon.
E atje n’ qiellë, po para fronit
Shpirti em tue u permbysë,
Ka me u gëzue përgjithmonit:
Tjetër zemra, o Nanë s’ m’ dishron.
Tekst kënge, autor anonim

Të falem, Mbretneshë
T’ falem, Mbretneshë, e bukura!
Mbi krye tand ndritë kunora,
Që e popujve edhè e kombeve
Desht me vendue dora,
Kah n’ ahte t’ njëmijë zemrave,
Toka ty t’ thotë se t’ don!
Npër t’ hapët të këtyne rretheve,
Npër fushë që gjallnon dielli,
Si edhe andej prej k’sollave,
Kah i vorfni sytë ti sielli;
Pse gjithkund ty, o Virgjina,
Kandshëm kjo tokë t’ nderon!
Ti që je Nana e hireve,
Ti që je Nanë dashtëniet,
T’ bijve t’ tú, Zojë, ti t’ lutunat
Ndigjoji prej lumniet:
Prej qielle para trojeve,
T’ fronit të t’ Madhit Zot!
Këtu ku na t’ gjithë shkrihena,
Mbi gjithë ketë lâmë mjerimit,
T’ keshë dhimbë, o Zemër- Dhimtuna,
Për kobe t’ gjithë kshtenimit;
Ti që je mbrojsja e popujve,
Rueje për jetë e mot!
Ty, o Virgjin Nanë të pshtetena,
Prej natje der’ t’ bijë nata;
Ty, o Zojë t’ madhnon urata:
Pshtona ti prej rreziqeve
T’një shek’lli që trathton!
Prej rrethit të lumninave,
Meshtarin, nanë, ndihmoje,
Që t’ mundet gjithkah shekullit
Me u kapë, e t’ mund u zb’lojë
T’ vërtetën shenjte fiseve,
Që ferri a’ kah zhgat’rron!
Tekst për këngë, autor anonim

Zojës së Këshillit të Mirë.
1 T’falem, o Zojë ! – Shqypnija
Sot teper keq ka ngelun,
Gjithkush po don me e shkelun,
Gjithkush pa gjýq i a bân.
Nji mik kurrkund s’po e ká
Qi zot me i dalë nder t’ kqija;
T’gjith moti i shkon tue kjá;
N’lot t’rîme buken han.
2 E prá ato nânat t’ona
Na kanë pasë thânë q’n’fminí
Se ksajë s’mjeres Shqypní
Gjithmonë Ti i ké dalë zot;
Se ajo Tý t’ka Pajtore,
Se as heret, as ne e vona
Ti kurr s’e ké lshue dore:
S’e lae me dnesë nder lot.
3 Po e pse na t’kqí qillueme
E t’zhyem nder faje e vese;
Ti mâ s’po perkujdese
Per ketë t’mjeruemin vend,
Kú shpata e Gjergj Kastrjotit
N’ato kohët e kalueme
Vetoi nder lufta t’Zotit,
Si rrfeja mbi dervend?
4 Ah! jo, o Ti Nâna e hirit!
Pse sado t’kqí qi jemi,
Nuk don me thânë se s’kemi
Tager n’projtimin t’And.
Ti streha jé e mkatnorvet,
Ti krah perpara Birit
U bâhe p’rherë fajtorvet
Me humbun s’don kurrkand.
5 Ani, prá sod prej qiellet
Kú jé rrethue me hire,
Sýnin mbí né Ti prire
Plot mshirë e ambelcim;
E mos premto qi i huej
Pa frigë nder né të siellet;
Të lirë Shqypnin na e ruej
Me nderë e me lulzim.
6 Ndritjau menden Shqyptarvet,
Qi t’lidhin besë e fé
E si motit p’r Atdhé
T’qindrojn kta me gajret:
Qi mos t’u dhimbet jeta
Per t’mbrojtun dhén e t’Parvet:
Qi t’mbájn p’rherë ka’ e verteta
Kû e shêjtë detyra i thrret.
7 Punen siellna per s’mbarit,
Mos lên qi zija e dâmi,
Morija, vêmja e grâmi,
T’randohen këtij dheut;
E bân qi Feja t’njallet
Me Shpresë n’zêmer t’Shqyptarit,
Qi flakë Dashtnija t’kallet,
N’Atdhé të Skanderbeut.
8 Jo, po; na e dijm, o Zojë,
Se gjâ e Jotja âsht Shqypnija,
E se vetë Perendija
Fatin e sajë n’dorë T’ la.
Prandej t’a lypë Tý ndera
Shqypnis m’i u bâ mburojë,
Me i dalun zot perhera
Të lirë me e ruejtë gjithka’.
9 T’a dijsh, prá, o Nânë e Kshillit
Se, t’mirë a t’kqí, si t’jemi,
Jem t’Ut me gjithshka kemi,
Me shpirt, me Atdhé, me trup;
Se ndihmë prej Teje presim
Mbi tokë e shtekut t’ qiellit,
Se shpresen m’Tý veç pshtesim :
N’daç pshtona, n’daç na hup.

Atë Gjergj Fishta OFM; ‘Vallja e Parrizit’, fq. 33-35

Zemrës së shugurueshme së Zojës së Bekueme.
1 O Zêmra e Zojës, kû mshrira,
Posë Njat qi rruzullimin
Sundon e pakthellimin,
Má ambel n’qiellë shkelxen,
2 Ti Zêmer Nanet t’ambel
Jé p’r atë qi s’e lodhë mkati;
Prej Teje kurr i ngrati
Fajtuer pa gzim nuk kthen.
3 T’nderon Tý qiella e toka,
T’nderon Tý vetë yt Bír:
Ti jé zamaku i dlír,
Qi gjarpni s’e helmoi.
4 Prej gjakut t’and t’kulluem
Zêmra e Njatij u mishue,
Qi pezull tue peshue
M’kryq deken e pushtoi.
5 Pra t’falmi, o Zêmra e dashtun,
S’cillës Ejlli n’qiellë e nieri
T’biejn para n’gjûj e i mjeri
Ndihmen t’a lypë me lot.
6 Merr zêmrat t’ona, o Virgjin,
Ti mundesh me i pertrî;
Dergojau njatë dashtní
Qi zêmren e ké plot.
7 O Nanë, pre’ Zêmres s’ate
Gzim Zêmra e Krishtit ká
Dý zêmra kurr pergjá
Mâ fort n’dashtni nuk kan.
8 Si mundmi me t’u falun
Si duhet na Tý, o Zêmer,
Na qi kem’ qitë nen thémer
Gjakun e Birit t’an’ ?
9 O bijt e mi ktû eni:
(Na thrret kshtû e lumja Zojë),
Kush t’m thrrase mue n’nevojë
Un ndihmen kurr s’i a ndal’.
10 Rreth meje t’tanë shterngohi,
Nen hije t’ême eni,
Pse n’ç do rrezik qi t’keni,
Un zot gjithmonë ju dal.
Atë Gjergj Fishta OFM; ‘Vallja e Parrizit’, fq. 107-109

Zojës së Këshillit të Mirë
(Tekst i një kënge të njohur)
Nër mjerime e halle e t’zeza,
T’bijt e Zojës ngushllim kerkojnë;
Gjama e jonë der n’qiell do t’shkojë,
Tue lypë mëshirë, tue britë: Medet!
Qysh n’at ditë qi na braktise,
Njimij t’zezat na kanë mblue;
Ktheu, o Nanë, me na ndihmue,
N’tallaz t’ jetës gjith ditë e net.
Ktheu, o Zoja e Këshillit t’Mirë,
Na prij n’paqë t’hyjnueshmit Bir.
Rreth e rreth figures sate
Ka me u bledhë gjithë Shqiptaria,
Kanë me ardhun pleqt e fëmia,
Me gëzim t’zêmërs tue t’u falë.
Ka me u ndezë ndër zêmrat tona,
Njajo fé që ka shelbim;
Kanë me dijtë prej Tejet pështim,
Gjithsa njerëz janë n’fushe e n’mal.
Ktheu, o Zoja e Këshillit t’Mirë, Na prij n’paqë t’hyjnueshmit Bir!

Ave, Maria Stella
Fálemi, o déit hyll shkelzue,
Ama e Zotit fort e shijshme;
Ti jé qíellit déra e híjeshme.

Vjén Gabriéli me t’u falun
Me t’pervûjt edhé e nigióve;
Eva e ré Ti na ké dalun,
Lyftën prâne e na paqjove.

Ti fajtorve zgjidh sixhirat,
te verbúemve népja driten;
dávaríti nesh t’ vështírat,
gjith të mirat bán t’n’aviten.

Diftóu Nana e gjith njerimit,
bán qi lutnat t’i nigiójm
Biri yt qi prej dashtnimit
per né léu, t’na shelbójn.

Virgjna e zgjédhun ’e veçúeme,
ndër gjith tjera e âmbl’ ‘e mír,
fajesh Ti na paç librúeme,
Ti na zbut e Ti na dlír.

Ti na rúej jeten kethjéllt,
rrugs shelbimit Ti na prí,
qi tuj pá Jesun ne qiéllt
te gazmójm gjithmón me Tý.

Atit Zot i kjóft badéti,
i kjóft Krishtit lavd e nére,
bash me Shpirtin Paraçleti
i kjóft sot e per gjithhére.
Atë Leonard de Martino ‘Harpa e një arbëreshi’, Venedik 1888.

Virgjin e Nanë
Nanë e vertetë jam unë e Zotit Bír,
E bija e tij un jam, me gjith qi ai m’ka nanë;
Ç’ n’amshim aj leu, por âsht gjithnji em Bir;
Un leva n’kohë, por prap ai mue m’ká nanë.

Aj âsht Krijuesi i em, por âsht em Bír;
Kreatyra e tij un jam, por ai m’ká nanë,
Kje mrekullí e Zotit t’ishte em bir,
Nji Zot i amshuem e t’më kishte mue për Nânë

T’kenunt e kanë t’përbashkët nânë e bir;
E t’kênun paçë prej birit t’ em unë nânë.
E t’kênun pat prej mejet edhè em bir.

Masi prej Birit t’kênun paçë un nânë
Don thanë se, a kje me mkat edhé em Bír,
apor pa mkat jam un qi Atij i jam nânë.
Atë Vinçenc Prennushi, vargje me frymëzim dantesk nga “Gjeth e lule”.  

Për mujn e majt
Qe me lule kunorue
sod na mrini muj i majt
sod na Zojën m’e nerue
mledhun jena plot me shen.

Zojs për dit na zemrat tona
me ja falun dum bakshish
ktune mledhun në ket kish’
mej lotue fajet dona.

Qe ty besën, lumja Zojë
të tan bashk na po ta japim
qi me zemër e me gojë
me t’nerue për gjith her.

Po t’premtojm qi me e sajdisun
Krishtin duem me gjith fuqi
me shërbye me dashtni
faret mkatin m’e braktisun.

I lum njaj qi Zojs bekue
edhe Krishtit Birit t’saj
burrnisht krejt si u pat premtue
u shërben der sa t’jetojë.

Ky n’ket jet travaj e ankime
s’ka me nie kurrnji herë
perse lotët me ja terë
ka Zotyn me shum ngushllime…
 Dom Ndue Bytyçi

Leu xha Krishti e nd’ato duar
Leu xha Krishti e nd’ato duar,
fanmira duar, i fjuturoi.
Ora çë thé kúr ti e pé,
o Shën Mërí, e të façoi ?
Thirre ti fort: “O biri im,
oj malli im, oj jeta ime,
oj belic’, oj kutëndic’,
oj parrajs, oj drita ime!
Mír se erdhe, ea të tè puthënj,
ea të t’lusënj u dit e vjet,
vet t’e lidhënj vet t’e zgjidhënj
dua këtë jet’ vet vet.
Vetëmith dua u t’ e shtërngonj
e t’e dërtonj belicën time;
ai ësht imi, ju mos m’e ngini,
u të t’mbánj, zëmëra ime”.
Kështu i fjit jëma e békuar
kúr ndë duar të bír e kish’,
por e lëmon, por e shtërngon
e por e puthën e i jip sis.
Oj ëm’e virgjër, oj ti fanmír,
oj pasiqír oj ndéra jon’,
thuajm si e pate, o e pámëkate,
Gjithë këtë hjé me tën’Zon’.
 Jul Variboba, nga “Gjella e Shën Mërisë Virgjër”.

Falem e Shen Merí
Falem e Shen Mërí
ti jé i hirit kroi,
çë neve na buroi
kjo e mirë.

Ti hír plota gjith emër
ndeje kúr s’u rrëzbis
as tek ti u kumbis
mos një mukat.

Ti bekuarë gëlat
në grát Ëmë kafqare
e Nuse e Bil hajdh-jare
Perindísë;

lulea bekuar kloft
e péma shkëfit tit
Jisu Naxarenit,
Zot e Sotir.

Parakales tit Bír,
me né të mos kërkonj,
të ndëlenj e të harronj
mukatjet tona.

Ëmna drit e hír
të vëdesëmë pá dré
e të pá sosme haré
gjithve dhurona.

Lëvdi sod e gjith monë
Shën Mrís e Josifit
bashk me t’sin Zonë.
Nikollë Brankati 

O Mëmë, o Bijë, o Nuse
Ó mëmë, ó bijë, ó nuse,
e s’parës Dashurí,
te qielli mosnjerí
ká nderin çë ké ti.

Me qozmë e me të mira
një lum për týj buroi.
Vërteta i hírit kroi,
e i bukurís jé ti.

Çë kúr në mênt i jerdhe,
të deshi yn’ Zot te qielli;
edhe s’ish dhezur dielli,
çë na gëzon nani.

S’ish dheu me pemë e lule;
s’kish zënë edhe qëroi;
po ç’atëherë kroi
i hírit kleve ti.

Në prán u bëre mëmë,
ti mbete edhe e pangarë;
se faji i mëmës s’parë
ngë la ndonj’ shênk tek ti.

Pushtetin e pasosëm
me týj yn’ Zot dëftoi.
Vërteta i hírit kroi
e i bukurís jé ti.

Rreth kryethit tat të bukur
ké hýjzish një kurorë;
nën këmbëzen si borë
dreqin e zí ké ti.

Dridhet ai e shtrëmbonet
thêmbrën më kot tue t’zënë.
Ngà yn’ Zot e pati thënë
se kish’ t’e shtypje ti.

Kush thot se ti i glet diellit,
e kush se hënxës s’rè;
kush thot se e qosme jé
me gjithë t’mirat ti.

Në ti për fajet t’mí
tyt Bíri i lyp ndëjesë,
se shpejt m’i fal kam besë,
se të merr vesh ai.
 Besonj se, prej së jëmës,
dhëmbim do t’két për mua
çë t’ truhem týj; se krua
i dashurís jé ti.
Shkruar nga Zef Skiró

Nënës së Zotërisë sonë
Të falem pra hyjlindëse Mari,
Virgjër Nënë,dritëmbartëse!
Të falem,nënë dhe shërbëtore,
Xhevahir I tokës,
Lambë që ndezur rri gjithmonë;
Prej teje erdhi dielli I drejtësisë!
Të falem,Mari,
Shtëpia e atij që s’mund ta përfshijë qielli e toka!
Të falem,Mari,hyjlindëse!
Përmes teje u bëmë pjesë e hirit të patregueshëm!
Përmes teje na mbrrini dDrita e vërtetë,
Jezu Krishti,Zoti ynë!
Përmesteje fituam atë,I cili ngadhënjeu
Mbi vdekjen dhe ferrin!
Pëmes teje që të gjithë u shëlbuam!
Prej të gjithave,që Biri yt na fitoi shëlbimin,
I coftë lavdia përgjithmonë!Amen.
Himnizimi I Marisë nga Shën Cirili I Alesandrisë (375-444).

Të falem,hyjneshë
Të falem hyjneshë,Mbretëreshë e shenjtë,
e shenjta Nënë e Zotit,Mari,
ti Virgjër je,
e zgjedhur dhe e bërë Kishë
nga Ati e Qiellit,
i cili të bekoi ty
me t’Birin e vet të dashur
dhe Shpirtin Shenjt,Ngushëllimtare
në të cilen ishte dhe është mbushullimi i hirit
dhe gjithcka e mirë.
Të falem,ti pallat i tij je.
Të falem,ti shtëpi e tij je.
Të falem, veshje e tij je.
Të falem,ti shërbëtore e tij je.
Të falem,ti nënë e tij je!

Nga Shën Frani I Asizit(1181-1226)

Kushtimi Marisë                             
O Sunduesja ime, Nëna ime!
Ty po të kushtohem i tëri;
Dhe pë të treguar vetmohimin tim,
Po të kushtohem tu
Me sytë e mi,veshët e mi,
Gojën time,shpirtin tim,
Me gjithçka timen në tërësi.
Dhe pasi ashtu të përkas ty,
O Nënë,ruajmë,mbromë
Si plëngun dhe pronën tënde.Amen.
Papa Benedikti XVI,nga enciklika Deus caritas est

Të falem, Mari
Të falem ,Mari,bij e Hyjit Atë.
Të falemi, Mari,nënë e Hyjit Bir.
Të falem,Mari,e fejuara e Hyjit Shpirt Shenjt.
Të falem,Mari, tempulli i tejet Shenjtenueshmës Trini.
Të falem,Mari,zambak i pastër I Trinisë shkëlqimtare.
Të falem,Mari,lule qiellore e dashurisë së patregueshme të Hyjit.
Të falem ,Mari,virgjër e çiltër dhe e përkorë,prej të cilës
deshi të lindej dhe të rritej përgjimi Mbreti qiellor.
Të falem,Mari,Virgjër e virgjërave.
Të falem,Mari,Mbretëresha e martirëve,zemra e të cilës
qe shporuar me shpatë.
Të falem,Mari,zonjë e bekuar,kujt iu dha çdo pushtet
në qiell e në tokë.
Të falem,Mari,mbretëresha dhe nëna ime,jeta ime,ëmbëlsia ime
dhe shpresa ime.
Të falem,Mari,Nënë e denjë e dashurisë.
Të falem,Mari,nëne admiruese.
Të falem,Mari,Nënë e dashurisë hyjnore.
Të falem,Mari,e papërlyer,e lindur e pamëkatë.
Të falem,Mari,përplot hir,Zoti është me ty.
Ti je e bekuar mbi të gjitha gratë e I bekuar është fryti I
kraharorit tënd, Jezusi.
Qoftë bekuar fati yt,Shën Jozefi.
Qoftë bekuar ati yt,Shën Joakim.
Qoftë bekuar nëna jote,Shën Ana.
Qoftë bekuar roja jote,Shën Gjoni.
Qoftë bekuar engjëlli yt,Shën Gabrieli.
Lavdi Hyjit At që të zgjodhi.
Lavdi Hyjit Bir që të deshi.
Lavdi Hyjit Shpirt Shenjt që të mbulojë.
Virgjëra lavdishme Mari, mund të të duam
Dhe të lavdërojmë të gjithë popujt.
Mari Nënë e Hyjit,lutu për ne dhe na jep bekimin tënd, tash e
Në fill të vdekjes sonë,në emër të Jezusit,Birit tënd hyjnor.
Kjo këngë lavdërimi,e ngjashme me litanitë,nga Shën Gjoni Eudes (+1640)
Është një numër titujsh më shkëlqimdhënës të Virgjërës Mari.

Zojë tejet e shenjtë

Zojë tejet e shenjtë,
Nënë e Hyjit,
Hirëplotë,
Lavdia e tërë të krijuarës,
Shtegu i të gjithë të mirave,
Mbretëreshë e universit pas të Shenjtës Trini…
Ndërmjetëse e njeriut pas Ndërmjetësit;
Mari,urë e mistershme
Që tokë e qiell bashkon,
Çelës i dyerve të Amshimit,
Avokatja dhe nërmjetësja jonë:
Ktheje shikimin kah feja ime,
Shikoji dëshirat e mia të përshpirtshme
Dhe kujtoji ato në mëshirën dhe forcën tënde
Në të djathten e Jezusit,Birit tend,të mbërrij.
Në ty na prêt mburoja,
Ndihmëtarja dhe nërmjetësja jonë pranë Hyjit,
Ti që nënë e Zotërisë je.
Vetëm në ty vendstrehim ka,
E prej teje pikërisht ndihmë i varfëri pret.
Që,edhe unë para teje
Me zemrën plot zjarr,
E guxim nuk marr t’Birit tend t’i rri përballë,
Tek jam pra,në përgjërim para ndërhyerjes sate
Që shëlbimin të fitoj…
Ti që zemërdhemshur je,
Nënë e Hyjit mëshirëshumë,
Ki dhembshuri për shërbëtorin tënd!Amen.
Hyjnizim dhe përkulje e thellë ndaj Marisë nga Shën Efraimi(306-373).

Êmni i Zojës

1 Nuk dij se cillës termale ‘í ditë tue shkue
E nji landtari njitej vasha e lume,
Njitej pa kênë kundrue ke trolli i gzue
I njaj shtatxânmje s’motnueme.
2 E, mbasi u fal me atê, e cilla e priti
Me shum njerzí, tue dhânun lavde Zotít:
Mue kanë me m’ quejtun t’lume, brohoriti,
Fiset e dheut gjatë motit.
3 Deh ! se n’ç’qetsi kto fjalë koha madhshtore
T’i ndiejte atë herë i kishte vû prej serit!
O kshill i ynë i ngathët ! Oh e rrêjshme p’rore
Mende shqyrtuese e nierit.
4 Na dishmitarë qi mbasandej mbi dhé
Krejt ndodhi puna mbas fjalës s’ate s’lume;
Na ruejtë shelbimit, n’shkollë t’hyjnuehsme lé
T’t’ vertetavet t’amshueme,
5 Na e dijm, o Zojë, se veç e Hyj’ i lumnueshem
E mbajti atë besë qi e dhae ti n’brohori,
Njai qi t’a msoi : per né fort í madhnueshem
Âsht êmni i yt, Marí.
6 Per né Nana Zotit don me thânë njai êmen:
T’falemi, o e lume: ‘i êmen qi t’i gjajë
I cilli burrë e pat ja e cilla fêmen,
Ja qi per ngjet t’i a mbajë?
7 T’falemi, o e lume: t’cillat mote t’ngrata
S’e ndien atë êmen tue e permendun valle?
Kur kjé qi at’ êmen djalit s’ia mësoi tata?
T’cilla termale e zalle
8 Tue e thirrë s’e ndien? Jo veç se bota e vjeter
Bán kishat t’ ua me madhní ndertue,
Por e Kolombit, edhe, bota tjeter
Ushqen t’devoçemt t’ue.
9 Pertej sa dete, e m’ t’cillat djerre kputet
Nji lule e eger e aq e irnueme bojet
T’lterit t’and, me uzdajë gjithkush kú lutet.
Qi mos t’i njohe trojet?
10 O Zojë, o Virgjin, o Shêjtneshë unjí,
Se ç’êmna t’bukur gjuha e robit t’ruen!
Mâ se ‘i fis n’zâ per armë e per lumni
Pajtore, o Zojë, tý t’quen.
11 Tý kúr t’agojë, e n’mbramjet prej prendimit,
E kúr t’jét dita n’gjysët, edhe m’atë herë
Kumbonët t’pershndeten, çetët tue thirrë t’kshtenimit
Me t’dhanun lavd e nderë.
12 Nder friga t’mnershme, t’cillat i a qet nata,
T’ permendë tý fmija; tuj u dridhë detari,
Thellimi kúr luron e bjen shtergata,
Kah Ti prírë sýt, qyqari.
13 N’atë gji t’andin, t’lumnueshmin, o Zojë, grueja
Lott e perbuzun i riton, e shkreta,
Edhe i ankon, o e lume, nder kambë t’ueja
T’gjitha fshâmet e veta:
14 Ankohet Tý, qi, t’lutnat ndien e ankimet,
Jo porsi i ndien ky sheklli i ynë i zí,
E dhimben e t’ pushtedshmit s’dán prej dhimbet
T’ t’ ligshtit qi fshân n’vobsi.
15 Ti vetë, dikúr, o e lume, pate kjá:
As kurr njai váj nuk ka per t’u harrue:
Enè perflitet sot me sot: e prà
Kaq mot m’tâ ka kalue.
16 Per ditë enè perflitet e lotohet
Gjithkah: per gzime qi ké pasë mbi dhé
Tash edhe bota rrokull me tý gzohet,
Si t’ishte ‘i punë e rè.
17 Kaq duhej t’u levdote Nane e t’Lumit
Edhe m’kto zaje t’ona posë gjith robit;
Kaq Zoti desht me e vû mbi gjith t’naltuemit
Ketë vajzë lé n’fis t’Jakobit.
18 O ju Evrej, o t’namun posë gjithkuej,
O t’shtypnit ju njaj mnije s’gjatë mizore,
 nuk ka dalë ajo prej fisit t’uej
Qi na e nderojm n’therore?
19 Â s’âsht dere s’Davidit ? Ke ajo menden
Profetët e patne n’letra, kúr t’amshueme
T’artat shêje t’njaj Virgjine permenden
T’ngrehna m’mretnì t’shemtueme.
20 Deh! ‘iherë ka’ Âjo secilli jush le t’siellet,
Qi Âjo t’u pshtojë, qí t’vett s’i djerrë n’ketë dhé
E fis e kómb mos t’jét kah vrân e kthillet
Qi sot mos t’kndojë me né:
21 T’ falemi o e para mbas Tenzot Marija,
O Drandofille, o Hýll qi ruen rrezikut,
Si dielli e zgjedhne, e rrebtë porsi ushtrija Rreshtue per báll t’anmikut.
Atë Gjergj Fishta OFM; ‘Vallja e Parrizit’, fq. 104-107

 

T’ falem, Maria!

T’falem Maria,
Tý Nanë dashtniet:
T’lutnat e mia
Po t’i kushtoj.
Pagjen e g’zueshme
N’zêmer deh! shtîne;
Prejë jetës s’amshueshme
N’mue sýt Ti lshoj.
Vetun e e metun
E shkoj un jeten
Si vjollcë e tretun
N’vorfní ankoj.
Prá, n’tý veç shpnesen
Nanë, un e pshteta,
M’a rrit qindresen
Bân bjerrë mos t’shkoj.
Te tâna gezimet
Mue m’kjenë hjekun:
T’riít t’em, lulzimet,
Dhimta m’i imtoj.
Dlír kshtu, prá, n’ t’vshtira
Me shpírt lumnueshëm,
Bân, Nanë e miraKah Ti t’flutroj.

Tekst kënge, autor anonim

 








All the contents on this site are copyrighted ©.