2015-05-29 17:25:00

Vatikani në OKB, mbi vlerën e informacionit


“Shoqëria ka të drejtë të ketë një informacion objektiv dhe pikërisht për të respektuar këtë kërkesë, mediat janë në shërbim të së mirës së përbashkët”. Ky qe thelbi i mesazhit të kryeipeshkvit Bernardito Auza, vëzhgues i përhershëm i Selisë së Shenjtë pranë Kombeve të Bashkuara, në një ndërhyrje në Këshillin e Sigurimit, që u mblodh më 27 maj. Flitej për mbrojtjen e gazetarëve në konfliktet e armatosura.

“Roli i gazetarëve për të dhënë informacion nuk është vetëm një nga mjetet kryesore të pjesëmarrjes demokratike; është i nevojshëm edhe për mbështetjen e bashkësisë njerëzore” shpjegoi imzot Auza. Prandaj, vijoi, është i trishtueshëm fakti që dhjetra gazetarë janë vrarë në krye të detyrës, në vendet e konfliktit. Statistikat flasin qartë: në vitin 2014, së paku 69 gazetarë kanë humbur jetën, ndërsa 221 të tjerë janë burgosur. Në vitin 2015, 25 gazetarë janë vrarë e 156 të tjerë janë burgosur. “Fatkeqësisht – nënvizoi imzot Auza – rreziku është një aspekt i vazhdueshëm i jetës në konflikte, por palët ndërluftuese nuk kanë asnjë arsye për të mos respektuar e mbrojtur gazetarët”.

Vëzhguesi i Vatikanit theksoi edhe rëndësinë në rritje të rolit të gazetarëve në botën e sotme të globalizuar, e cila dëshiron e thith çdo lloj informacioni, sidomos atë nga vendet në konflikt. Por, “ndërsa mundësia më e madhe për informim është një mjet i fuqishëm për të promovuar solidaritetin global ndaj viktimave dhe asistencën humanitare, është bërë gjithnjë e më e vështirë… të vlerësojmë objektivitetin e informacionit”. Imzot Auza uroi që bashkësia ndërkombëtare të impenjohet më tepër në mbrojtjen e gazetarëve, por u kërkoi edhe më shumë përgjegjësi vetë operatorëve të informacionit. 








All the contents on this site are copyrighted ©.