Këtë të diele Kisha Katolike kremton festën e Trinisë Shenjte. Prandaj të ndalemi
pat mbi fjalën “Trini” sipas Besëlidhjes së Re. Të gjithë e dimë se Trinia Shenjte
përbëhet nga tri Vetje, Ati, Biri dhe Shpirti Shenjt, por ku e ka origjinën termi
e ç’kuptim ka për të krishterët?
Fjala “Trini” nuk ndodhet në Besëlidhjen e Re e nuk është e mundur të gjejmë në faqet
e saj, atë teologji trinitare të ndërlikuar e të thelluar, që u zhvillua sidomos në
shekujt IV-V e më vonë. Por, ajo e ka rrënjën pikërisht në shkrimet e Beslidhjes së
Re, ku përvijohen marrëdhëniet, që lidhin ndërmjet tyre Atin, Birin e Shpirtin Shenjt.
Në planin gjuhësor, kujtojmë se Zoti Atë shpesh thirret “ho Théos”, pra Hyj i mirëfilltë,
Jezu Krishti quhet Biri i Hyjit, ose edhe “Kyrios”, “Zot”, ndërsa Shpirti Shenjt përcaktohet
edhe si “Paràclito”, ose “mbrojtësi/ngushëlluesi”.
Trinia Shenjte është në bazën e pagëzimit të krishterë, në frazën që thotë Krishti
gjatë dukjes së Tij të fundit pas ringjalljes, përshkruar në Ungjillin sipas Mateut.
Jezusi u thotë dishepujve të “pagëzojnë në emër të Atit e të Birit e të Shpirtit Shenjt” (28,19).
Duket qartë se në këto fjalë pasqyrohet një besim më i lashtë në Trininë Shenjte nga
ana e Kishës. Shën Pali Apostull përvijon një teologji të vetën mbi Trininë Shenjte,
kur, për shembull, thotë se dhuratat e ndikuara mbi bashkësitë e krishtera janë si
të Shpirtit, si të Krishtit, ashtu edhe të Atit, kuptuar si tri Vetje në një, pavarësisht
nga ndryshimet: “Dhuratat janë të ndryshme, por Shpirti Shenjt është i njëjtë – edhe
shërbesat në përhapje të Ungjillit janë të ndryshme, por Zoti është i njëjtë – po
edhe mënyrat e veprimit janë të ndryshme, por Hyji është i njëjtë – Ai bën gjithçka
në të gjithë” (1 Kor 12,4-6).
Bashkimi ndërmjet besimtarëve, pavarësisht nga shumëllojshmëria e tyre, modelohet
dhe e ka bazën në unitetin trinitar: “Një Trup i vetëm, një Shpirt i vetëm, një shpresë
e vetme…Një Zot, një fe, një pagëzim, një Hyj i vetëm, Ati i të gjithëve” e më parë
Shën Pali i referohet “njësisë së Shpirtit” (Ef 4,3-6). Edhe sot e kësaj dite, në
fillim të kremtimit eukaristik, shkëmbejmë përshëndetjen me të cilën Shën Pali mbyll
Letrën e tij të dytë drejtuar Korintianëve: “Hiri i Zotit tonë Jezu Krishtit, dashuria
e Hyjit dhe bashkësia me Shpirtin Shenjt, qoftë me ju të gjithë” (13,13). Të shumta
janë pjesët ku flitet për “Shpirtin e shenjtërimit”, për “Jezu Krishtin Zotin tonë” dhe
për “Hyjin, Ati ynë” (Rom 1,4-7; shih edhe 15,16-17; 15,30; 1 Kor 2,10-16; Gal 4,6;
Ef 1,3-14; 2,18-22; Tim3,4-6 e kështu me radhë).
Edhe Shën Pjetri e hap Letrën e tij të parë me fjalë, që i referohen Trinisë Shenjte,
kur shkruan: “në saje të Provanisë së Hyjit Atë me shenjtërimin e Shpirtit Shenjt,
për të dëgjuar Jezu Krishtin…” (1,2). Pastaj, Shën Gjoni Apostull, në Letrën e tij
të parë, na jep një tekst, që është i bërë i famshëm në traditën e krishterë. Në atë
pjesë flitet për “Jezusin, Biri i Zotit” dhe për Shpirtin Shenjt që e dëshmon; pastaj
lexohet: “Tre janë ata që dëshmojnë: Shpirti Shenjt, uji dhe gjaku. Këta të tre bëjnë
një dëshmi të vetme” (5,7-8).
Përkthimi i lashtë latin i shën Jeronimit, përdorur me shekuj në liturgji, na ofronte
një tekst të ndryshëm, me karakter të qartë trinitar, që njihet si “paragrafi jeronimian”.
Megjithëse nuk i përgjigjet origjinalit, shpreh qartë fenë e Kishës në shekujt e parë.
Nga Shkrimet e Shenjta, ajo pati nxjerrë dhe riformuluar teologjinë e saj trinitare: “Tre
janë ata që dëshmojnë në qiell – thotë shën Jeronimi në përkthimin që i ka bërë Shën
Gjonit – Ati, Fjala e Shpirti Shenjt e këta të tre janë një. E tre janë ata që dëshmojnë
në tokë: Shpirti, uji dhe gjaku e këta të tre bëjnë një dëshmi të vetme”.
Mbetet gjithnjë mister se pse Zoti është një dhe tre njëkohësisht. Tregohet se një
ditë, Shën Agustini, dijetar i madh i Kishës, ishte shumë i mërzitur, sepse nuk arrinte
ta kuptonte misterin e Trinisë Shenjte. Ndërsa mendonte këto gjëra dhe ecte buzë detit,
sheh një fëmijë, që bënte diçka shumë të çuditshme: kishte hapur një vrimë në rërë
dhe me një lugë, shonte në det, e mbushte me ujë dhe e derdhte në vrimë. E kështu,
vazhdimisht. Shenjti i afrohet e me delikatesë e pyet: “Ç’po ben?” E djali: “Dua të
derdh gjithë ujin e detit në këtë vrimë”. Pasi dëgjoi këtë, shën Agustini i tha: “E
admiroj dëshirën për ta mbledhur në një vend krejt detin. Por si mund t’ia arrish
kësaj? Deti është pa fund, ndërsa vrima është e vogël. E pastaj, me këtë lugë…nuk
mjafton gjithë jeta”. E djali, që ishte një engjëll i dërguar nga Zoti, iu përgjigj:
“Po ti si mund të pretendosh ta mbash në atë kokën tënde të vogël misterin e pafundmë
të Zotit?”. Shën Agustini e kuptoi se Zoti është mister i madh. E kuptoi edhe se Ati,
Biri e Shpirti Shenjt ishin kaq shumë të mbushur me dashuri, sa të donin pa dyshim
të qëndronin bashkë.
All the contents on this site are copyrighted ©. |