2015-05-29 15:39:00

Serbi-Vatikan: Beogradi kundër shenjtërimit të kardinalit Stepinac


Presidenti serb, Tomislav Nikolic, u takua dje në Beograd me kryetarin e Këshillit Papnor për nxitjen e bashkimit të të krishterëve, kardinalin Kurt Koch, të cilit i shprehu shqetësimin për shenjtërimin e mundshëm të kardinalit kroat, Alojzije Stepinac, shpallur i lum nga Papa Gjon Pali II, në vitin 1998. Nëse kardinali, i akuzuar prej serbëve si kolaboracionist i regjimit fashist të kohës, do të ngrihej në nderimet e elterit, sipas Nikoliçit, kjo do të dëmtonte marrëdhëniet ndërmjet Serbisë e Kroacisë e gjithçka të mirë, që është ndërtuar me mundime deri tani ndërmjet dy vendeve.

Gjatë takimit, presidenti i Serbisë e falenderoi Vatikanin që nuk e ka njohur akoma pavarësinë e Kosovës. “Kjo mbështetje në favor të ruajtjes së integritetit të vendit tonë ka domethënie të madhe”, ka thënë Nikoliç, siç nënvizohet në komunikatën e presidencës. Më pas, ai shprehu shqetësimin për persekutimin e të krishterëve në botë: ortodoksë, katolikë e protestantë. “Shkallëzimi i terrorizmit kundër krishterimit – theksoi ai – kërkon kapërcimin e dallimeve dhe dialogun e vazhdueshëm ndërmjet përfaqësuesve të bashkësive të krishtera”.

Kardinali Koch, i cili takohet edhe me Patriarkun serbo-ortodoks, Irinej, e përshëndeti Nikoliçin, në emër të Papës Françesku. Vetë presidenti serb do të vijë në Vatikan shtatorin e ardhshëm.








All the contents on this site are copyrighted ©.