2015-05-29 18:33:00

Patriarku Younan: Perëndimi të mos i harrojë Sirinë e Irakun


Situata tragjike në Siri vijon. Sipas burimeve të Vëzhguesit sirian të të drejtave të njeriut, milicët e Frontit al-Nusra, lidhur ngushtë me al-Kaedën, pushtuan qytetin Ariha, në provincën e Idlibit, në veriperëndim të Sirisë. Ariha, ku jetonin më se 40 mijë vetë para nisjes së konfliktit më 2011,  ishte qyteti i fundmë në dorë të regjimit të Damaskut, në kufi me Turqinë. E edhe për të krishterët jeta në vend bëhet gjithnjë e më e vështirë. Të dëgjojmë dëshminë e patriarkut të Kishës siro-katolike, Ignace Youssif III Younan, në mikrofonin tonë:

Përgjigje: - Iraku e Siria janë vende, që po pësojnë një hekatombë tejet të rëndë. Këto dy vende janë, pa dyshim, në një gjendje jashtëzakonisht kritike, sepse me një mori konfesionesh dhe etnish. E atëherë njerëzit e pushtetshëm shfrytëzuan, e shfrytëzojnë mosmarrëveshjet ndërmjet tyre, për t’i nxitur njëri kundër tjetrit në emër të të ashtuquajturit sistem demokratik, bazuar mbi modelin perëndimor. E ky është krejtësisht mashtrim. Në Siri situata bëhet gjithnjë më tragjike. Is përpiqet të imponojë “sharinë” e vet, në një vend tashmë të orientuar drejt sistemit laik, në përkim me këtë zonë të Lindjes së Mesme.

Pyetje: - Të egra akoma, persekutimet e të krishterëve. Si ia dalin t’i jetojnë?

Përgjigje: - Që prej dhjetë muajsh, të krishterët e Irakut u dëbuan nga Mosuli e nga rrafshi i Ninives, pranë Mosulit. Kemi të paktën 150 mijë të krishterë, shumica në këtë vend, që sot për sot janë refugjatë. Jetojnë akoma në karvane, në shtëpi gjysëm të ndërtuara, në kushte mungesash të papërfytyrueshme. Nuk dihet do të rikthehen ndonjë herë në strehët e tyre apo jo. Sfida për t’u përballuar është t’i bindim të mos shkëputen përfundimisht nga vendi i vet, të mbeten të lidhur me trojet e të parëve. Pastaj në Siri që prej katër vjetësh vijon lufta civile e ne, patriarkët, i kishim parashikuar këto pasoja të tmerrshme. Katër vjet më parë patëm thënë. “Ju lutemi, kujdes, mos i ngatërroni këto vende me vendet tuaja perëndimore, na ndihmoni që palët në konflikt të kërkojnë dialogun për pajtim, në shërbim të ardhmërisë më të mirë për të gjithë”. Po nuk na e vunë veshin! Është e vërtetë se sistemi nuk ishte demokratik, si në perëndim, por në Lindjen e Mesme nuk mund as të mendohet për sisteme demokratike, derisa të mos ndahet feja nga shteti. Prej këndej, problemi duhet zgjidhur në rrënjë e u duhet thënë këtyre njerëzve ta veçojnë fenë nga aspektet shoqëroro-politike të një vendi, që të gjithë ta ndjejnë, më në fund, veten të sigurtë. Kjo është baza e problemit...

Pyetje: - Në ç’mënyrë, sipas jush, mund e duhet të ndërhyjë bashkësia ndërkombëtare?

Përgjigje: - Mendoj se për këtë kaos, që është krijuar në Lindjen e Mesme, bashkësia ndërkombëtare duhet të vihet në punë e të thotë. “Këto popuj po vuajnë, ç’mund të bëjmë për ta?”. Duhet t’u thotë edhe monarkëve: shikoni, jeni në shekullin e 21-të, ju, monarkë të Gjirit e ju, të vendeve të Lindjes së Afërt, si Iraku, Siria, Egjipti, duhet të mendoni për ta reformuar sistemin tuaj politik, duhet t’i dëgjoni të gjithë qytetarët tuaj, e pastaj, jemi edhe ne këtu, për t’ju ndihmuar.

Pyetje: - Ç’pasoja pati rënia e Palmirës?

Përgjigje: - Është disfatë për gjithë qytetërimin e sotëm. Në shekullin e 21-të lejohet shkatërrimi i gjithë këtyre vlerave të papërsëritshme nga ca banda terroristësh, që nuk dinë ç’është qytetërimi, e aq më pak, ta respektojnë.  Palmira është stoli e qytetërimit në mes të shkretëtirës. Prej këndej, kjo është disfatë për të gjithë, sepse u takon nga pak të gjithëve.








All the contents on this site are copyrighted ©.