2015-05-29 16:02:00

Kostandinopoja në përvjetorin e rënien në duar të turqve


Përuruar më 11 maj të vitit 330, Kostandinopoja pushtohet nga ushtria turke më 29 maj të vitit 1453. E gjatë dhe e ndërlikuar është historia e këtij qyteti të famshëm. Fillon me Bizancin e lashtë (Byzantion), ndërtuar në vitin 658 para Krishtit në trojet e kolonisë së Megarës, që kishte si kryetar Byzas-in. Kolonia në fjalë pothuajse u shkatërrua plotësisht nga Septimio Severi në vitin 169 para Krishtit, për t’u rindërtuar rishtas pak kohë më vonë. U quajt Konstandinopol aty nga fundi i vitit 324 pas Krishtit, kur Konstantini e zgjodhi si kryeqytet të Perandorisë dhe i dha emrin, së bashku me titullin “Roma e re”, duke e zbukuruar me pallate të shkëlqyera dhe me thesare të tjera artistike.

Emrin e sotëm, Stamboll, që do të thotë “drejt qytetit” e mori pas pushtimit nga turqit osmanë, ndërsa popujt sllavë e quajtën “Carigrad”, apo “Qyteti i Perandorit”. Në kufi ndërmjet Evropës e Azisë, Kostandinopoja ngrihet mbi shtatë kodra dhe zgjatet nga perëndimi në lindje në formën e një gadishulli trekëndësh, i cili mbyllet nga ana e tokës me murin e famshëm të Teodosit, ndërsa nga veriu laget prej ujërave të Bririt të Artë, ku ndodhet porti i madh tregtar i qytetit dhe dy urat që lidhin lagjet e Gallatës e të Perës.

Periudha më fatlume e historisë së Kostandinopojës fillon me vdekjes e Justinianit (565) dhe përfundon me vdekjen e Bazilit II (1025) mbrojtës i Bullgarëve, në kohën kur ata fituan mbi Rusinë, e cila hyri në sferën e ndikimit Bizantin. Pastaj, me dinastitë e Komnenëve dhe të Engjëllorëve fillon dekadenca e pakthyeshme, që përfundon me dinastinë e Paleologëve, kur më 1453, qyteti ra në duart e Sulltan Mehmetit II. Kujtojmë edhe se në vitin 1204, në Kostandinopojë hynë trupat e Kryqëzatës IV.

Qyteti i famshëm, historia e të cilit fillon më 11 maj të vitit 330, kur Perandoria Romake, e tronditur  nga sulmet e barbarëve, u nda në dy pjesë, për të përfunduar më 29 maj 1453, kur u pushtua nga ushtritë e Sulltan Mehmet Fatihut – Fitimtarit. Ky pushtim i dha fund sundimit të dinastisë bizantine të Kostantinit të 110 paleolog, dhe me të, Perandorisë së madhe Romake të Lindjes, gjë që pati pasoja të rënda për qytetërimin e kohës, e jo vetëm, sepse shënoi fillimin e sulmeve të turqve osmanlinj në drejtim të viseve të krishtera të Evropës.

Turqit otomanë, që pasuan perandorët, në fillim patën një periudhë lulëzimi, që arriti kulmin me Sulltan Selimin II (1566), periudhë që u pasua nga fillimi i dekadencës ushtarake e politike, e cila përfundoi vetëm në vitin 1922 me fundin e sulltanatit e me krijimin e republikës turke, vepër e Kemal Ataturkut.








All the contents on this site are copyrighted ©.