2015-05-29 12:38:00

Korrupsion në futboll: hetimi për Fifa-n


Sistemi botëror i futbollit është i destinuar të shndërrohet thellësisht, pas hetimit amerikan, në të cilin janë përfshirë drejtuesit e Fifa-s. Agjentët e FBI-së flasin për rreth 20 vjet korrupsion, mashtrim, spastrim parash, me një trafik prej 150 milion dollarësh, së paku duke filluar që nga kampionati botëror në SHBA-të, në vitin 1994. E dalin në dritë edhe 10 milion dollarë, të paguar nga qeveria afrikanojugore për ish-presidentin e Fifa-s, Jack Ëarner, në mënyrë që kampionati botëror të zhvillohej në këtë vend, siç edhe ndodhi, në vitin 2010. Hipoteza korrupsioni edhe për caktimin e manifestimeve të ardhshme sportive në Rusi e në Katar.

Në kongresin e Federatës, që mbahet në Zurich, presidenti i Fifa-s, Sepp Blatter, deklaroi se nuk e lë karrigen e vet, pavarësisht nga kërkesa për dorëheqje e federatës angleze dhe e këshillës së presidentit të Uefa-s, Michel Platini. Në fjalën e tij, vuri në dukje se federata nuk mund të “vigjëlojë gjithnjë e mbi të gjithë” dhe aludoi mbi prapaskena në shpërthimin e këtij skandali, pasi amerikanëve nuk u ka pëlqyer, që kampionatet e ardhshme botërore të futbollit do të zhvillohen në Rusi e në Katar. Qëndrim i përkrahur edhe nga presidenti rus, Vladimir Puttin. A mos vallë, në fushën e futbollit, po luhen të tjera lojra, po ndiqen të tjera interesa? I kërkuam një koment, kreut të Qendrës Sportive Italiane, Massimo Achini:

Duhet të them se përshtypja që kështu është, pra, që bota e futbollit, tashmë në shumë nivele, ndjek gjithnjë e më tepër logjikën e biznesit e të parasë, është më shumë se përshtypje: kam frikë se ky është realiteti. Blatter duhet të bëjë një hap mbrapa, sepse është e qartë që bota e sotme ka nevojë për dëshminë e përgjegjësisë. Ka shtatë drejtues të arrestuar nga rrethi i futbollit botëror… më duket pak si e vështirë të thuash: “Unë nuk dija gjë”. Futbolli profesionist ka nevojë të ngrejë në nivelet më të larta përgjegjësinë e drejtuesve, entuziazmin dhe pasionin edukativ, që ekziston në futbollin e bazës. Ka shumë drejtues, që janë vërtet njerëz të mirë, me ndjeshmëri të lartë edukative. Kemi nevojë të rinisim nga e para, duke formuar një klasë edukative drejtuesish, të aftë të bashkojnë me mençuri spektaklin me biznesin e pashmangshëm përreth futbollit profesionist, pa hequr dorë nga pasioni edukativ, që është shpirti i këtij sporti. Nëse humbet kjo, futbolli humbet gjithçka. 








All the contents on this site are copyrighted ©.