2015-05-29 15:38:00

Dom Nikollë Kaçorri në përvjetorin e vdekjes


Ikona e Pavarësisë së Shqipërisë, prifti e patrioti shqiptar, dom Nikollë Kaçorrin, qe figurë kryesore në lëvizjen kombëtare për pavarësi të shqiptarëve nga pushtuesi otoman. Nënkryetar i Qeverisë së Vlorës të vitit 1912, dom Nikollë Kaçorri, qe një personalitet i spikatur i Kishës katolike të Shqipërisë, me detyra e misione të ndryshme, qe një atdhetar i flaktë, që shkriu jetën për liri e pavarësi të popullit e vendit, e qe edhe një intelektual i madh, që dha kontribut të veçantë në afirmimin e vlerave kulturore të kombit shqiptar.

Kush ishte Imzot Nikollë Kaçorri? Ky prift patriot, që jetoi e punoi për Fe e Atdhe, ishte nga Kreja e Lurës, ku lindi në vitin 1862, me babë katolik e nënë myslimane. Mësimet e para i kryen në Seminarin Papnor të Shkodrës, studimet e larta të filozofisë e të teologjisë në Austri. Shërben për 23 vjet rresht si prift famullitar në Delbinisht e Durrës, duke nxjerrë meshtarë të rinj e duke ndërtuar Kisha të reja, pa harruar asnjë çast misionin e tij për Fe e Atdhe. Kultivimi e mbrojtja e identitetit kombëtar të shqiptarëve dhe kumtimi i Lajmit të Mirë, ishin dy elemente përbërëse të veprimtarisë së tij. Është ndihmës i ngushtë i kryeipeshkvit të sëmurë të Durrësit, Imzot Primo Biankut. Është klerik por edhe patriot, është meshtar por edhe muzikant, është predikatar por edhe dijetar. Dom Nikollë Kaçorri është në kujtimet e fratit të ri françeskan Atë Bon Gjeçaj, gjakovarit të sapo dalë nga universitetet evropiane, kur në vitin 1897 kremtonin në Durrës Meshën bashkë dhe, sipas radhës, ndërsa Imzot Nikollë Kaçorri i binte harmoniumit e këndonte liturgjinë hyjnore, Atë Bon Gjeçaj e ndihmonte atë me violinën e tij.
E, ai është edhe në kujtimet e Imzot Pjetër Demës i cili, gjatë viteve 1905-1906, për një periudhë dy vjeçare, ishte ndihmës e krah i djathtë i Imzot Kaçorrit si famullitar në Durrës, sidomos gjatë verës, kur Imzot Kaçorri shkonte me shërbimet e veta në Austri.
Atdhedashuria dhe ndjenja e lartë e patriotizmit, e shtyjnë Imzot Nikollë Kaçorrin që gjatë viteve 1910-1912 të bëhet drejtues i zjarrtë i kryengritjes së Kurbinit me arritjen finale e sublime, atë të 28 nëntor-it 1912, kur ai është përbri Ismail Qemalit, në ngritjen e Flamurit në Vlorë.
Megjithëse prift, për interesat e kombit e të Atdheut, dom Nikollë Kaçorri nuk tërhiqet edhe mbas atij çasti të lavdishëm për detyrat e tjera që ja kërkon interesi i popullit dhe Atdheut. Është nën-kryetar i Qeverisë së parë shqiptare. Merr pjesë në shumë kuvende kombëtare, sidomos ndër ato për arsim-kulture dhe për lëvrimin e gjuhës shqipe. Është pjesëtar në Kongresin e Manastirit dhe përkrahës për hapjen e normales së Elbasanit. Është aty ku e kërkon interesi e Atdheut.
Dhe largohet burrërisht prej detyrave, largohet nga politika, vetëm atëherë kur, me ndërgjegjen e tij të pastër shef e kupton se në atë politikë ka papastërti e mos sinqeritet, që rrezikon fatet e popullit e të Atdheut të tij të dashur. Burrërisht në rrezik e në pjesëmarrje, edhe me burrërisht në vendim e largim, dom Nikollë Kaçorri mbetet përgjithmonë një figurë e shquar e Rilindjes shqiptare kombëtare. Ndërroi jetë në Vjenë më 29 maj të vitin l9l7, pas një sëmundje të rëndë në moshën 55 vjeçare. Emri i dom Nikollë Kaçorrit është përmendur rrallë gjatë viteve të komunizmit, duke mos i dhënë vendin që meriton këtij kleriku katolik në panteonin e figurave të shquara të kombit shqiptar.

Çdo 28 Nëntor, së bashku me Ismail Qemalin, Luigj Gurakuqin përkujtohet dhe atdhetari i madh dom Nikollë Kaçorri, strategu i harruar i pavarësisë së Shqipërisë








All the contents on this site are copyrighted ©.