2015-05-29 12:02:00

Atë Lombardi: Françesku në Sarajevë nën shenjën e paqes


Tejet i pasur me veprimtari, programi i shtegtimit apostolik të Papës, më 6 qershorin e ardhshëm në Bosnjë-Hercegovinë, e pikërisht, në Sarajevë. E paraqiti dje, në Sallën e Shtypit të Selisë së Shenjtë, atë Federiko Lombardi, duke shpjeguar se në qendër të vëmendjes së shtegtimit papnor, janë paqja, pajtimi, dialogu ndërfetar.

Ngjarje me domethënie të madhe! Atë Lombardi e quajti kështu, vizitën e ardhshme të Papës në Sarajevë, me ftesën e kardinalit Puljiç. Atë Lombardi kujtoi, në vijim, shtegtimin e Gjon Palit II, në vitin 1997, realizuar pasi më 1994 nuk pati mundësi ta vizitonte Bosnjë- Hercegovinën.

 “Paqja qoftë me ju”!”:  motoja e shtegtimit Papnor  spikat  kudo në vendin e shtegtimit, për të treguar se në qendër të tij janë temat e pajtimit të një vendi të ndërlikuar, që qeveriset nga përfaqësuesit e myslimanëve, serbëve e kroatëve, të cilët pasojnë njëri-tjetrin në presidencë, në praninë e një përfaqësuesi të lartë të OKB-së.  E ndërlikuar edhe struktura e popullsisë prej 3.8 milionë banorësh: 40% myslimanë, 31% ortodoksë e 15% katolikë:

“Muslimanët, të quajtur boshnjakë, janë popullsia e Bosnjës; ortodoksët janë shumica serbë si etni, e katolikët janë kroatë. Prej këndej, duhet vërejtur se kemi të bëjmë me   larmi fetare, që përkon edhe me larminë etnike, përfaqësues kryesorë të së cilës janë tri etnitë që kujtuam më sipër.

Mesazhi i Papës synon të rivendoset pajtimi për ardhmërinë e vendit, që doli nga vitet dramatike të luftës, me situatë ekonomike mjaft të vështirë. Themelor është dialogu ndërfetar.

“Prej këndej, takimi ndërfetar, edhe gjatë shtegtimit, do të jetë posaçërisht i rëndësishëm e kuptimplotë”.

Në grupin, që do ta shoqërojë Papën, bëjnë pjesë kardinajtë Tauran e Koch, përkatësisht kryetarë të dikasterve të Vatikanit për Dialogun ndërfetar dhe Bashkimin e të krishterëve. Do të jetë i pranishëm, si zakonisht, edhe një punonjës laik i Vatikanit. 

Papa do të niset nga Roma në orën 7.30, për të arritur në Sarajevë në orën 9.00. Veprimtaria e parë, takimi i mirëseardhjes në pallatin presidencial, me tre anëtarët e presidencës si dhe me autoritetet e vendit. Më pas, kremtimi i Meshës në të njëjtin stadium, ku pati kremtuar edhe Gjon Pali II, me 60 mijë vende. Papa do të flasë italisht  e, gjatë zhvendosjeve në papamobil të zbuluar, do të kalojë rrëzë varrezave të pranishme në parqet e qytetit. Për drekë do të jetë në nunciaturë, ku do të takojë gjashtë ipeshkvijtë e Bosnjë-Hercegovinës, të cilët i priti marsin e kaluar në Vatikan. Pasdite, takimi në katedrale, me priftërinjtë, rregulltarët e seminaristët, që do t’i japin Papës dëshmitë e tyre:

“Besoj se do të jenë dëshmi të forta, të thella, dramatike, për historinë që do të rrëfehet...”.

Do të pasojnë takimet ekumenike e ndërfetare në qendrën studentore françeskane e, pastaj, edhe takimi përfundimtar me të rinjtë në qendrën dioqezane Gjon Pali II. Së fundi, lamtumira dhe nisja për Romë, në orën 20.00. Parashikohet një konferencë e shkurtër shtypi në avion. Përsëri atë Lombardi:

“Udhëtimi është i shkurtër, prej këndej, edhe biseda me Papën, në se do të  bisedojë, do të jetë e shkurtër”.

I pyetur mbi pritjen e ndonjë fjale të Papës për dukjet e Zojës në Medjugore, me rastin e këtij shtegtimi, drejtori i Sallës vatikanase të Shtypit u përgjigj:

“Besoj se nuk duhet pritur. Unë nuk pres që Papa të flasë për dukjet në Medjugore. Papa është i lirë të flasë si të dojë e kur të dojë. Nuk më takon mua, prandaj, t’i them ç’duhet të bëjë. Por meqë pyetja është: ‘A prisni, a duhet të presim se do të flasë’, unë përgjigjem se nuk e pres”.

Lidhur me Medjugoren, vijoi Atë Lombardi, komisioni i ngarkuar e ka dorëzuar kontributin e tij pranë Kongregatës për Doktrinën e fesë, që vijon të japë mendimet e veta. Më pas shtoi:

“Por nuk ka asnjë parashikim për kohën, as për përfundimin”.

Lidhur me çështjen e sigurisë, atë Lombardi i përjashtoi shqetësimet e  edhe kërcënimet e posaçme gjatë shtegtimit papnor.








All the contents on this site are copyrighted ©.