2015-05-28 11:27:00

Çelësi i fjalëve të Kishës: Shën Maria, Nëna e Krishtit


“Bekuar je ti mbi gjithë gratë e bekuar, fryti yt Jezus”. Siç mund ta kuptoni nga kjo pjesë e lutjes drejtuar Zojës, sot të dashur dëgjues, do të flasim pikërisht për Shën Marinë, Nënën e Krishtit, ndërsa muaji i majit, kushtuar Zojës, po shkon drejt përfundimit.

         Është e vështirë të përvijohet një profil biblik i Marisë në pak rreshta, nëse i hedhim një vështrim traditës së jashtëzakonshme mariane. Në pamje të parë, prania e Nënës së Krishtit në Ungjij është shumë e përvujtë: ajo flet vetëm gjashtë herë e, nëse do të përjashtonim himnin solemn “Magnificat”, frazat që thotë janë të shkurtra dhe kanë të bëjnë me rrethanat. “Si do të mund të ngjajë kjo, ndërsa unë jam virgjër?”, i thotë Engjëllit të Lajmërimit (Lk 1,34), për të përfunduar: “Unë jam shërbëtorja e Zotit: më ndodhtë siç the ti!” (1,38). Ndërhyrja e tretë është pikërisht ajo solemne e Magnificat-it (1,46-55), një këngë e ndikuar nga Bibla (në veçanti nga kënga e Anës, nënës së Samuelit (1 Sam 2)).

         Është gati një këngë për solist e kor (“shpirti im…zemra ime…shpëtimtari im…do të më quajnë të lume….bëri në mua…”). Kori personifikohet nga “varfanjakët e Zotit”, që bashkohen me Marinë për të kremtuar me shtatë fjalë, veprat shëlbuese të Zotit në mbrojtje të të fundmëve e të mjeranëve të kësaj bote, kundër të pasurve e të fuqishmëve: “E tregoi fuqinë e krahut të vet: i hodhi poshtë qëllimet e krenarëve, i rrëzoi princat prej froneve të tyre e i lartësoi të përvujtët. Me të mira i mbushi ata që s’kishin ç’të hanë e të pasurit i nisi duarthatë. I ndihmoi Izraelit” (Lk 1,51-54). Tek Maria, “shërbëtore e përvujtë e Zotit”, Hyji zbulon vendimet e tij të çuditshme e të habitshme për sytë e njerëzve, duke e bërë Nënën e Birit të Tij, duke e mbushur me Shpirtin Shenjt, që zbret mbi të me fuqinë e të Tejetlartit (1,35).

         Fraza e katërt e Marisë vendoset në kontekstin e vizitës së parë të Jezusit në Tempull, në moshën 12 vjeçare: “Ç’na bëre kështu o bir? Ja, yt atë dhe unë të kërkuam plot pikëllim!” (2,48).  Ndërsa dy deklaratat e saj të fundit dëgjohen në kornizën e dasmës së Kanës, kur për herë të parë, Jezusi shfaqet si Krisht, përmes shumëfishimit të bukës e të verës: “Nuk kanë më verë!”, i thotë Jezusit, kur dasmorët vijnë të ankohen e, më pas shërbyesve “Bëni gjithçka t’ju thotë” (Gjn 2,3.5). Por, prania e Shën Marisë ndihet, e heshtur, edhe në skena të tjera ungjillore, natyrisht, duke filluar nga lidhja e saj me Shën Jozefin dhe drama e tij, kur merr vesh se është “shtatzënë për virtyt të Shpirtit Shenjt” (Mt 1,18).

         Ja, më pas, në lindjen e Birit në Betlehem, ose në Tempullin e Jeruzalemit pas 40 ditësh, kur për të, jehon parashikimi i mistershëm i Simonit: “Edhe ty vetë një shpatë do ta shporojë shpirtin” (Lk 2,35). Më pas me Mbretërit Dijetarë, që “e panë fëmijën me Marinë, nënën e tij”; pastaj ikja në Egjipt me frikën e persekutimit të Herodit (“Merr me vete fëmijën dhe nënën e tij” i thotë engjëlli Jozefit). Kthehet në atdhe, për të jetuar qetësisht në Nazaret: “Po a nuk është ky zdrukthëtar, i biri i Marisë?” do të ironizojnë banorët e Nazaretit (Mk 6,3). Po ashtu, edhe bashkëshorti i Marisë, Jozefi, do të quhet me të njëjtin term profesional (Mt 13,55).

         E gjejmë, pas dasmës së Kanës, jo drejtpërdrejt, në një tjetër episod të jetës publike të Birit, kur nga turma ngrihet një zë, që propozon një “lumni” të re për Marinë, pas asaj të Elizabetës, që e pati quajtur “ti që besove” (Lk 1,45): “Lum kraharori që të mbajti e gjinjtë që thithe” (11,27). Por, siç thotë Jezusi, Maria është e lume, sepse “e dëgjon Fjalën e Zotit dhe e zbaton”, pikërisht siç ndodhte në fillimin e misionit të saj si nënë: “Maria i mbante mend me kujdes të gjitha këto ngjarje dhe i shoshiste në zemrën e vet”(2,19.51). E Fjala e Zotit e çon deri në majën e Golgotës, ku Biri i kryqëzuar i lë këtë mesazh të fundit, që është zbulimi i misionit të saj në Kishë: “Grua, qe yt bir…Qe, nëna jote!”(Gj 19,25-27). Që nga ai moment, ajo do t’u bashkohet dishepujve, “të përqëndruar prore sëbashku në uratë …me Marinë, Nënën e Jezusit” (Vap 1,14). Shën Maria është pra Nëna e Zotit, sepse ka lindur Jezu Krishtin dhe Nënë e Kishës, për hir të dëshirës së fundit të Birit, që na e beson neve, vëllezërve të tij të adoptuar.








All the contents on this site are copyrighted ©.