2015-05-28 17:15:00

Troshan: Dashuria nuk pranon indiferencën, takimi me persona me aftësi të kufizuara.


Dashuria e Krishtit na nxit t’u shërbejmë të gjithë atyre njerëzve, që vuajnë në trup e kanë nevojë për dashuri, sepse dashuria e vërtetë nuk pranon indiferencën, as dalllimin e aq më pak menjanjimin e njerëzve me aftësi të kufizuara. Të nzxitur nga ky frymëzim ungjillor, në famullinë kishtare “Lindja e Zojës” në Troshan, këto ditë të fundit të majit, u mbajt takimi në nivelin dioqezan, me persona me aftësi të kufizuara, organizuar nga Karitasi i dioqezës së Sapës. Më tepër nga Vau-Dejës të ndjekim shërbimin e Violeta Marashit....

Takim me Personat me Aftësi të Kufizuar - Troshan

Prej vitesh, aktivitetet e Caritas-it Dioqezan SAPA me Personat me Aftësi te Kufizuar janë bërë pjesë e jetës shoqërore dhe sociale për komunitetin e dioqezës. Këto takime tashmë kanë marrë trajtën e një “tradite”, ku në bashkëpunim me klerin dioqezan gjejnë mbështetje dhe siguri për mbarëvajtjen sa më mirë të tyre.  Duke iu referuar edhe kalendarit të programeve e aktiviteteve, këto takime zhvillohen në mënyrën më të mirë të mundshme, ku një ndihmë të madhe e japin target grupi i vullnetarëve të Caritasit, dhe sipas përvojës secili takim rezulton të ketë rëndësi të veçantë, të jetë i vlefshëm dhe mjaft produktiv në jetën e këtyre personave, edhe pse me aftësi ndryshe.

Dhe tradita vazhdon... Aktiviteti i radhës u zhvillua këto ditë të fundit të Majit, në famullinë “Lindja e Zojës” në Troshan. Famullitari, Pader Dedë Gjoka, në bashkëpunim me motrat e Fjalës së Mishëruar, hapën dyert e zemrës e të qendrës famullitare, për të mikpritur ‘Personat me Aftësi të Kufizuar’. Pjesëmarrja e këtyre personave ishte nga famullitë e dioqezës sonë të shoqëruar nga meshtarët dhe motrat përgjegjëse si dhe familjarët e tyre. Dita nisi me kremtimin e Eukaristisë Shenjte kryesuar nga  famullitari në bashkëkremtim me meshtarë të tjerë, dhe të gjithë të bashkuar rreth elterit u lutën për secilin prej tyre që gjendet në vuajtje të trupit.

Ishte një ditë e veçantë, me plot emocione, që ofroj momente lutje, gëzimi dhe argëtimi. Përmendim edhe atmosferën festive të krijuar posaçërisht për Rregjinën, vajza me aftësi ndryshe, e cila festoi ditëlindjen e saj në mesin e motrave dhe vëllezërve dhe së bashku ndanë drekën vëllazërore dhe tortën e ditëlindjes së rastit. Nëpërmjet aktiviteteve të tilla, Dashuria e Krishtit na nxit t'Ju shërbejmë të gjithë atyre njerëzve të cilët vuajnë në trup dhe kanë nevojë për Dashuri.








All the contents on this site are copyrighted ©.