2015-05-27 12:29:00

Kard. Parolin: martesat gay në Irlandë, humbje për njerëzimin


Jo vetëm humbje për parimet e krishtera, por për gjithë njerëzimin. Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin e komentoi kështu rezultatin e referendumit për martesat gay në Irlandë, ku 62,1% e votuesve u shpreh pozitivisht për bashkimin martesor ndërmjet personave me të njëjtin seks. Kardinali pati rast të fliste për këtë mbrëmë, gjatë dhënies së çmimit të Fondacionit “Centesimus Annus” për ato vepra, që përbëjnë kontribut të ri në Doktrinën Shoqërore të Kishës. Familja, e bazuar mbi bashkimin e dy njerëzve me seks të ndryshëm, theksoi prelati, duhet mbrojtur gjithmonë, por Kisha duhet të reflektojë mbi rezultatin e referendumit në Irlandë:

         “Këto rezultate më kanë trishtuar shumë. Sigurisht, siç tha kryeipeshkvi i Dublinit, Kisha duhet ta ketë parasysh këtë realitet, por, sipas mendimit tim, duhet ta marrë parasysh në kuptimin që duhet të përfocojë angazhimin dhe përpjekjet e saj për ungjillëzimin e kulturës. Unë besoj se nuk është vetëm humbje për parimet e krishtera, por edhe humbje për njerëzimin”.

         Përsa i përket ambasadorit të Francës pranë Selisë së Shenjtë, që duhet të jetë një diplomat gay, kardinali Parolin theksoi se dialogu me Parisin është i hapur. Siç dihet, problemi nuk lindi për shkak të orientimit seksual të kandidadit, por si pasojë e qëndrimit imponues të Francës.

         Sekretari i Shtetit të Vatikanit foli edhe për gjendjen në Greqi, e cila vazhdon bisedimet me Trojkën evropiane për pagesën e borxhit. A ka rrezik të destabilizohet gjithë kontinenti?

         “Është një situatë, që mund të sjellë një lloj destabilizimi. Prandaj, urojmë që sa më shpejt, të arrihet një marrëveshje, të gjendet një zgjidhje”.

         Kriza aktuale, vijoi kardinali Parolin gjatë dhënies së çmimeve të Fondacionit “Centesimus Annus”, nuk është vetëm ekonomike dhe financiare, por edhe antropologjike. Adhurohet idhulli i parasë në vetvete, e cila nuk vihet në shërbim të njeriut, duke goditur kështu ekonominë e duke e nxitur njeriun vetëm të konsumojë e të shpërdorojë. Ekonomia duhet lidhur gjithnjë e më tepër me zhvillimin, përfundoi kardinali.








All the contents on this site are copyrighted ©.