2015-05-26 15:10:00

Sinodi. Papa kryeson punimet për shqyrtimin e “Instrumentum laboris”


Këshilli i zakonshëm i Sinodit të Ipeshkvijve u mblodh dje e sot për të përgatitur Asamblenë e 14-të të Përgjithshme me temë “Thirrja dhe misioni i familjes në Kishë e në botën bashkohore”, e cila do të mbahet nga data 4 deri më 25 tetorin e ardhshëm. Këshilli, informon një notë e Sallës së Shtypit të Vatikanit, u kryesua nga Papa Françesku.

         Më tej, shpjegohet se u shqyrtua hollësisht projekti i “Instrumentum laboris”, i cili është hartuar, duke marrë parasysh relacionin përfundimtar të Sinodit të jashtëzakonshëm me të njëjtën temë, që u mbajt kohë më parë, si edhe përgjigjet, që i ka dhënë Kisha në të gjithë botën, pyetjeve të “Lineamenta”-ve. Dokumenti i rishikuar e i miratuar nga anëtarët e Këshillit iu besua Sekretarisë së Përgjithshme të Sinodit për redaktimin përfundimtar, për përkthimin në gjuhë të ndryshme dhe për botimin, që do të realizohet pas pak javësh.

         Pas shqyrtimit të “instrumentum laboris”, thuhet në fund të notës së Sallës së Shtypit të Vatikanit, u paraqitën propozimet e Sekretarisë së Përgjithshme për azhurnimin e metodologjisë së punimeve në Sinodin e ardhshëm.








All the contents on this site are copyrighted ©.