2015-05-26 13:02:00

Papa të krishterëve: nuk mund të jeni të Qiellit e të kësaj bote


“Është keq kur shihet një i krishterë që dëshiron të ndjekë edhe Jezusin, edhe këtë botë”. Në meshën e mëngjesit, në Shtëpinë e Shën Martës, Papa Françesku nënvizoi se i krishteri nuk mund të jetë gjysmak, nuk mund të ketë “edhe qiellin, edhe tokën”. Në leximet e sotme, shën Pjetri e pyet Jezusin se ç’do të fitonin dishepujt po ta ndiqnin. E këtë pyetje, apostulli e bëri pasi Jezusi i kishte thënë të riut pasanik të shiste pasurinë e t’ua jepte të varfërve. Ati i Shenjtë u nis nga ky dialog, aktual edhe sot.

I krishteri nuk mund të lidhet me pasurinë

         Papa vuri në dukje se Jezusi nuk përgjigjet siç prisnin dishepujt. Nuk flet për pasuri, por premton trashëgiminë e Mbretërisë së Qiellit, e cila arrihet me anë të persekutimit, me anë të Kryqit:

         “Prandaj, kur i krishteri lidhet pas pasurisë, bën figurën e keqe të një të krishteri, që dëshiron dy gjëra: qiellin e tokën. Është metri i krahasimit, këtë thotë Jezusi: kryqi, persekutimi. Kjo do të thotë të mohosh vetveten, të mbartësh kryqin çdo ditë… Dishepujt e kishin këtë tundim, të ndiqnin Jezusin, por në fund, ç’do të dilte për ta? Të mendojmë për nënën e Jakobit e të Gjonit, kur i kërkoi Jezusit një vend për bijtë e saj: ‘Këtë ma bëj kryeministër, këtë ministër të ekonomisë…’ e me interesin e botës donte të ndiqte Jezusin”.

Pasuria, kotësia, kryelartësia na largojnë nga Jezusi

         Por zemra e këtyre dishepujve u spastrua dalëngadalë nga këto mendime, deri në Ditën e Rrëshajëve, kur kuptuan gjithçka. Jezusi ndiqet falas e pa interes, ashtu siç është falas dashuria dhe shëlbimi, që solli Krishti. E kur njerëzit shkojnë si me Jezusin, ashtu edhe me botën, si me varfërinë, ashtu edhe me pasurinë, janë të krishterë gjysmakë, të cilëve u intereson vetëm fitimi material. Kjo është fryma e botës. Papa Françesku u kujtoi besimtarëve fjalët ungjillore “të parët do të jenë të fundit”:

         “Të ndjekësh Jezusin nga pikpamja njerëzore, nuk sjell asnjë fitim: do të thotë, të shërbesh. Kështu bëri edhe Ai e, nëse Zoti të jep mundësinë të jesh i pari, ti duhet të sillesh si i fundmi, pra, të shërbesh. E nëse Zoti të jep mundësi të kesh pasuri, ti duhet t’u shërbesh të tjerëve me të. Janë tri gjëra, tri shkallë, që na ndajnë nga Jezusi: pasuritë, kotësitë dhe kryelartësia. Prandaj janë kaq të rrezikshme pasuritë, sepse të çojnë menjëherë drejt kotësive e mendon se je i rëndësishëm. E kur beson se je i rëndësishëm, të rritet mendja e humbet”.

I krishteri mondan dëshmon përsëmbrapshti

         Rruga që na mëson Zoti është zhveshja nga pasuria e kësaj bote, duke u kthyer në shërbëtor, ashtu siç bëri Ai vetë. Jezusi ua nguliti dalëngadalë dishepujve këtë të vërtetë të Mbretërisë Qiellore, iu desh shumë punë. Edhe ne, tha Papa Françesku, duhet t’i lutemi Krishtit të na mësojë shkencën e shërbimit, të përvujtnisë, për të qenë të fundmit, në shërbim të vëllezërve e motrave në Kishë:

         “Është keq kur sheh një të krishterë – laik, apo i shuguruar, meshtar, ipeshkëv – është keq kur sheh se i do të dyja gjërat: të ndjekë Jezusin, por edhe pasurinë; të ndjekë Jezusin, por edhe botën. Kjo është dëshmi përsëmbrapshti dhe i largon njerëzit nga Krishti. Vazhdojmë tani kremtimin e Eukaristisë, duke menduar për pyetjen e shën Pjetrit: ‘Kemi lënë gjithçka: si do të na shpërblesh?’ e, duke medituar përgjigjen e Jezusit. Të mirat që do të na japë Ai, janë ngjashmëritë me Të. Kjo do të jetë ‘paga’. ‘Pagë’ e madhe, t’i ngjash Jezusit!”.








All the contents on this site are copyrighted ©.