2015-05-26 13:38:00

Papa fretërve të vegjël: populli ju do! Jini të varfër e të përvujtë


Qofshi të varfër e të vegjël, ashtu siç kërkon prej jush shën Françesku në Rregullën e urdhërit. Papa Françesku u takua sot, në Sallën Klementine, në Vatikan, me pjesëmarrësit në Kapitullin e Përgjithshëm të Urdhërit të Fretërve të vegjël, të cilëve, duke ua perifrazuar emrin, u tha se pikërisht “vogëlsia”(minori) dhe “vëllazëria”(fratelli, frati) janë elementet thelbësore të identitetit të tyre.

         “Vogëlsi do të thotë të dalësh nga vetja, nga skemat dhe këndvështrimet personale; do të thotë të shkosh përtej strukturave – që gjithsesi, janë të dobishme, nëse përdoren me urti – përtej zakoneve e sigurive, për të dëshmuar afërsinë konkrete me të varfërit, me nevojtarët, me të mënjanuarit, duke ndarë e duke u shërbyer të tjerëve”.

         Vëllazëri, vijoi Ati i Shenjtë, do të thotë të jeni dëshmitarë të besueshëm të Ungjillit, si Kisha e zanafillës, kur të krishterët ishin të bashkuar, e donin, e ndihmonin dhe e falnin njëri-tjetrin, duke ndarë gëzimet, vuajtjet dhe përvojën e jetës. Papa u kujtoi françeskanëve se Shën Françesku i këshillonte sivëllezërit e vet të shkonin nëpër botë, pa u grindur e pa gjykuar të tjerët. Ky qëndrim është aktual edhe sot, nënvizoi Ati i Shenjtë:

         “Sa e rëndësishme është të kesh një jetë të krishterë e fetare, pa humbur kohë në zënka e thashetheme, duke kultivuar dialogun e qetë me të gjithë, me butësi, me thjeshtësi e përvujtni, me mjete të varfëra, duke kumtuar paqen e duke jetuar me urtësi, të kënaqur me ç’na ofron Hyji”.

         Së fundi, Papa Françesku u kërkoi fretërve t’i luten Shpirtit Shenjt për të përballuar sfidat më urgjente të Urdhërit, si zvogëlimi i numrit të thirrjeve, plakja e pakësimi i rregulltarëve:

        “Ju keni trashëguar autoritet para Popullit të Zotit me anë të vogëlsisë, të vëllazërimit, të butësisë, të varfërisë. Ju lutem, ruajeni! Mos e humbni! Populli ju do fort”.








All the contents on this site are copyrighted ©.