2015-05-25 12:52:00

Papa: pasuria që nuk ndahet me të tjerët, lind korrupsionin


Duhet vepruar në mënyrë të tillë që pasuritë, kur janë, të vihen në shërbim të së mirës së përbashkët. Pasuria e pamasë, e ruajtur vetëm për vete, ngjall trishtim, zhduk çdo shpresë, është zanafillë e të gjitha llojeve të korrupsionit, të madh a të vogël. E pohoi Papa në homelinë e Meshës së mëngjesit, kremtuar në Kapelën e Shën Martës.

Deveja dhe vrima e gjilpërës, simbol që tregon sesi entuziazmi për Krishtin mund të kthehet sakaq në trishtim e në mbyllje brenda vetes. Skena, që Papa komentoi në homeli, është nga më të famshmet ndërmjet sa e sa skenave të tjera të Ungjillit. Djaloshi pasanik takohet me Jezusin, dëshiron ta ndjekë, e siguron se i jeton urdhërimet e Tënzot, por brenda një çasti të vetëm ndryshon plotësisht. E humbet fare humorin e entuziazmin kur Mësuesi i tregon cili është hapi i fundit, që duhet të bëjë, “gjëja e vetme”, që i mungon: t’i shesë të gjitha pasuritë, t’ua ndajë paratë të varfërve e atëherë të vihet pas gjurmëve të Krishtit. Fjalë që e godasin si rrufe në qiell të kthjelltë djaloshin dëshirtar; gëzimi, hareja, shpresa  shuhen, sepse ai është i lidhur fort me pasuritë. Për të mos hequr dorë prej tyre, heq dorë prej Krishtit:

“Lidhja me pasurinë është zanafillë e çdo lloj korrupsioni, kurdoherë e kudo: korrupsion personal; korrupsion në punë; edhe korrupsion i vogël tregtar i atyre që i heqin një 50 gramësh peshës së duhur; korrupsion politik, korrupsion në edukim….. E pse? Sepse ata që jetojnë të kapur fort pas pushtetit, nuk kanë horizont, nuk kanë shpresë. Në fund të fundit do t’u duhet ta lënë gjithçka mbi dhe”.

Pasanikë e shterpë

Etja për pasuri është mister, vërejti Papa. Pasuritë kanë aftësi të joshin, ta bëjnë njeriun të besojë se është në parajsën tokësore. Ndërsa, shtoi, kjo parajsë tokësore është vend i mbyllur, pa pikë horizonti. I ngjashëm me atë lagjen, që Françesku e pati parë në vitet ’70-të, të banuar nga njerëz të kamur, krejtësisht të fortifikuar për t’u ruajtur nga hajdutët:

“E të jetosh pa horizont është jetë shterpë, jetë pa shpresë, jetë e trishtë. Lidhja me pasurinë të mbush me trishtim e të bën shterpë. Them ‘kapje pas pasurisë’ jo ‘mbarështim i pasurisë’, sepse pasuritë janë për të mirën e përbashkët, për të gjithë. E nëse Zoti ia jep ndokujt, nuk ia jep që t’i mbajë vetëm për vete, për t’i mbyllur në zemër të vet, që të bëhet pastaj, i korruptuar e i trishtuar”.

Të hapësh dorën do të thotë të hapësh horizontin

Pasuritë, pa bujari, ngulmoi Papa Françesku, na bëjnë të besojmë se jemi të pushtetshëm, si Zoti. E në fund na marrin ç’kemi më të mirë: shpresën. Po Jezusi në Ungjill, përfundoi, na tregon cila është udha e drejtë për ta jetuar begatinë:

“Lumnia e parë: ‘Lum të varfërit në shpirt’, që do të thotë të zhvishesh nga kjo prirje e t’i përdorësh pasuritë që t’i dha Zoti, në shërbim të së mirës së përbashkët. E vetmja mënyrë. Të hapësh dorën, të hapësh zemrën, të hapësh horizontin! Po nëse ti e ke dorën të mbyllur, zemrën të mbyllur, si ai burri që bënte gosti e vishej me salltanet, nuk ke horizont, nuk shikon se rreth teje ka edhe të tjerë, që kanë nevojë e përfundon si burri me petka të mëndafshta, por pa horizont: larg Zotit!








All the contents on this site are copyrighted ©.