2015-05-25 17:55:00

Logoja e vizitës së Papës në Sarajevë


Një pëllumb me një degë ulliri, simbol i paqes e me Kryqin: paraqitet kështu logoja e vizitës baritore të Papës Françesku në Sarajevë, kryeqytet i Bosnjës dhe Hercegovinës, më 6 qershorin e ardhshëm. Një pjesë e Kryqit, vizatuar në simbol, shpjegon agjencia Sir, paraqet një trekëndësh të stilizuar, që simbolizon kufijtë e Bosnjës, ngjyrat e dritës, të flamurit boshnjak dhe të pranisë së kroatëve në Bosnjë, bardh, blu, verdh e kuq.

Vizita e Papës do të inkurajojë procesin e paqes në vend

Duke ia paraqitur shtypit logon dhe moton e shtegtimit: “Paqja qoftë me ju!”, kryeipeshkvi i Sarajevës, kardinali Vinko Puljiç, pohoi: “Logoja u frymëzua nga vetë Papa Françesku, kur njoftoi se qëllimi i vizitës është ai i inkurajimit të procesit të paqes në Bosnjë”.

Dy artistë vendas, autorë të logos

“Paqja qoftë me ju”, është edhe shprehje e përdorur nga Jezusi për të përshëndetur dishepujt kur iu duk, pas Ngjalljes, nënvizoi kardinali. Kohët që po jetojmë janë plot paqartësi për të ardhmen e prandaj të gjithë banorët e vendit, e posaçërisht katolikët, kanë nevojë për këtë inkurajim”. Kryeipeshkvi Puljiç i falënderoi autorët e logos, artistët  Miroslav Šetka e Dragan Ivankovic, që  bashkëpunuan falas për realizimin e simbolit.

Të forcojë vëllazërimin dhe dialogun ndërfetar

Njoftimin për shtegtimin në Sarajevë e dha vetë Papa në lutjen e Engjëllit të Tënzot, më 1 shkurtin e kaluar:

“Të shtunën, më 6 qershor, në dashtë Zoti, tha Papa Françesku, do të shkoj në Sarajevë, kryeqytet i Bosnjë-Hercegovinës. Ju kërkoj që tani të luteni, që vizita ime në gjirin e këtyre popullsive të dashura, të jetë inkurajim për besimtarët katolikë, të nxisë tharmet e së mirës e të kontribuojë për forcimin e vëllazërisë e të paqes”.

 Do të jetë shtegtimi i 11-të i Papës Françesku, në dy vjet papnie, i treti i këtij viti, pas Sri Lankës e Filipineve, janarin e kaluar e Napolit, më 21 mars. Më pas Françesku do të shkojë në Torino, më 21 qershor, me rastin e Ekspozimit të Sindonës dhe në SHBA, për takimin e 8-të botëror të familjeve, që do të kremtohet në Filadelfia, nga 22 deri më 27 shtator.








All the contents on this site are copyrighted ©.