2015-05-25 17:18:00

Kremtimi i Rrëshajëve në Vau-Dejës me krezmim të 52 të rinjve


Bota ka nevojë për burra e gra të hapur ndaj pranisë së Shpirtit Shenjt: kështu pohoi Papa Françesku në homelinë e Meshës së Rrëshajëve kremtuar të dielën paradite, më 24 maj, në bazilikën e Vatikanit, duke i ftuar besimtarët të “përforcohen në dhuratat e Shpirtit të Hyjit e të luftojnë pa kompromis kundër mëkatit..”: Në të njëjtën ditë e kohë, në Kishën e Shën Nikollit Në Vau-Dejës, 52 të rinj morën Sakramentin e përforcimit në fe të Krishtit, pra Krezmimin nga Nunci Apostolik në Tiranë, imzot Ingles.

E kujtojmë se Krezmimi, sipas doktrinës së krishterë, është Sakrament përmes të cilit dikohet Shpirtit Shenjt, ashtu si iu dikua apostujve ditën e Rrëshajëve. Ky dikim të bën të krishterë të përsosur dhe ushtar të Jezu Krishtit, të vë një vulë të pashlyeshme, ta thellon hirin e marrë në gurrën e Pagëzimit, të rrënjos më thellë në bijësinë hyjnore, të bashkon më fort me Krishtin e Kishën e tij; të jep një fuqi të posaçme për ta dëshmuar fenë e krishterë. E kush dëshiron ta marrë Krezmimin, duhet të jetë në hir të Zotit, t’i njohë fshehtësitë dhe mësimet kryesore të fesë e ta marrë këtë sakrament me përshpirtëri. Kur flitet për sakramentin e Krezmimit, fjalë që do të thotë “lyerje”, duhet të kujtojmë se në të vërtetë, përmes vajit të quajtur “Bagmi apo krizma e shenjtë”, bëhemi të ngjashëm, në saje të fuqisë së Shpirtit Shenjt, me Jezu Krishtin, i cili është i vetmi “i lyer” i “vërtetë”, “Mesia”, Shenjti i Hyjit. Termi “Përforcim” na kujton pastaj se ky Sakrament sjell një rritje e përforcim të hirit pagëzimor: na bashkon më fort me Krishtin, e përforcon lidhjen tonë me Jezusin, na jep një forcë të veçantë të Shpirtit Shenjt për të përhapur, dëshmuar e mbrojtur fenë, për të rrëfyer emrin e Krishtit dhe për të mos u turpëruar kurrë prej Kryqit të Tij (krh Katekizmi i Kishës Katolike, n. 1303).

Krezmimi si çdo sakrament tjeter nuk është vepër njerëzore por e Zotit, i cili kujdeset për jetën tonë, me qëllim që të na modelojë sipas shëmbëllimit të Birit të vet, që të mund të duam si Ai, gjë që e bën duke vendosur në ne Shpirtin e Shenjtë, veprimi i të cilit përshkon tërë qenien tonë dhe tërë jetën tonë, sikurse shihet nga shtatë dhuratat që Tradita, në dritën e Shkrimit të Shenjtë ka theksuar gjithnjë. Nuk do doja që t’ju pyesja nëse i mbani mend këto shtatë dhurata. Ndoshta i dini të gjitha...Por po i them unë në vendin tuaj. Cilat janë këto dhurata? Dituria, Intelekti, Këshilla, Fuqia apo qëndresa, Dija, Besimi apo devotshmëria dhe Frika e Zotit. Dhe këto dhurata jepen pikërisht me Shpirtin e Shenjtë në sakramentin e krezmimit. Këtyre dhuratave synoj që ta dedikoj katekezën, pasi të mbarojmë me sakramentet.

Kur ne e marrim Shpirtin e Shenjtë në zemrën tonë dhe e lëmë të veprojë, vetë Krishti është i pranishëm në ne dhe merr formë në jetën tonë; do të jetë vetë Ai që do të lutet për ne, do të falë, do të na japë shpresë dhe ngushëllim, do t’u shërbejë vëllezërve, do t’u vijë në ndihmë nevojtarëve dhe të braktisurve e do të krijojë bashkësi dhe do të mbjellë paqe. Mendoni sa e rëndësishme është kjo: me anë të Shpirtit të Shenjtë, vetë Krishti do ta bëjë këtë në ne dhe për ne. Prandaj ka rëndësi që fëmijët ta marrin sakramentin e krezmimit. Po t’i kthehemi kremtimit të Rrëshajëve nga Komuniteti kishtar i Vau-Dejës e më hollësisht të ndjekim shërbimin e Violeta Marashit....

Këtë të diele, famullia e Shën Nikollit në Vau-Dejës përveç kremtimit të festës së Rrëshajave, gëzoi edhe në krezmimin e të rinjëve të kësaj famullie. Ndaj, Katedralja Nënë Tereza u tejmbush me besimtarët e saj për t’u bashkuar në këtë të kremte të dyfishtë. Koha e bukur që rrezatonte nga dielli, shpirti i gëzueshëm dhe i bashkuar në lutje, si dhe veshja me petkave të bardha të  të rinjëve kandidatë për krezmim e shtonin edhe më tepër entuziazmin dhe gëzimin e kësaj dite.

Me ftesë të ipeshkvit të vendit Imzot Lucjan Avgustini, ka nderuar me praninë e tij, Nunci Apostolik, Shkëlqesia e Tij, Imzot Ramiro Moliner Ingles, i cili udhëhoqi këtë kremtim solemn, dhe është pritur nga famullitari dhe Vikari Gjeneral, Dom Simon Kulli, sepse prania e vetë ipeshkvit nuk ishte e mundur, për shkak të një udhëtimi pune jashtë vendit.  

Gjatë fjalës së rastit, Nunci Apostolik u ndal në rëndësinë festës së madhe të Rrëshajave dhe në rëndësinë e sakramentit të krezmimit dhe uroj të rinjtë që ta jetojnë këtë sakrament të shenjtë me vlerat e fesë dhe të dashurisë së Zotit.

Menjëherë pas predikimit 52 kandidatët u paraqitën para Imzot Ramiros, dhe një e nga një të shoqëruar nga nunët e tyre afroheshin për të marrë sakramentin e krezmimit. Ndërsa shoqëroheshin me lutjet nga mbarë bashkësia e pranishme në Katedrale, ashtu në heshtje dëgjonin lutjen e Nuncit Apostolik që thërriste Shpirtin Shenjt të zbriste mbi ta.

Në përfundim të meshës, famullitari Dom Simon Kulli falenderoj përzemërsisht Nuncin Apostolik për praninë e Tij, por njëkohësisht falenderoj edhe katekistat dhe motrat që kanë bërë pregatitjen e këtyre të rinjëve që morën sakramentin e krezmimit, të forcimit me Shpirtin Shenjt. 








All the contents on this site are copyrighted ©.