2015-05-25 16:00:00

Kardinali Koch në Beograd takohet me Kishën ortodokse


Kardinali Kurt Koch, kryetar i Këshillit Papnor për nxitjen e bashkimit të të krishterëve është, që sot, në Beograd, ku do të qëndrojë deri më 29 maj, për një vizitë zyrtare në Serbi. Në aspektin ekumenik, çasti kryesor do të jetë vizita tek patriku ortodoks Irinej, më 28 maj. Kardinali do të marrë pjesë edhe në simpoziumin ndërkombëtar ekumenik me temë: “Kisha e Krishtit është një, shenjte, e përbashkët, apostolike”, që do të mbahet në sallën e madhe të Fakultetit të teologjisë ortodokse pranë Universitetit të Beogradit. Në këtë takim, organizuar nga kryedioqeza e Beogradit,  kushtuar teologut Yves Congar, kardinal e teolog francez, do të marrin pjesë teologë ortodoksë dhe katolikë të Serbisë, Kroacisë, Bosnje-Hercegovinës e Sllovenisë, që do të reflektojnë së bashku për aspekte të ndryshme të dialogut ekumenik e të profilit kishtar.

Vizita e kard. Koch, vërtetim i marrëdhënieve të mira me Kishën ortodokse serbe

Mundësia për ta realizuar këtë simpozium, shpjegon për agjencinë Sir imzot Stanislav Hoçevar, kryeipeshkëv i Beogradit, ishte gjest vullnetmirë nga ana e Fakultetit të teologjisë ortodokse. Prelati vlerëson edhe angazhimin e madh të metropolitëve serbë në Komisionin e përbashkët ndërkombëtar për dialogun e katolikëve me ortodoksët. “Në këtë kuadër, vizita e kardinalit Koch vërteton marrëdhëniet e mira që i kemi tashmë me Kishën ortodokse serbe”, pohon kryeipeshkvi i Beogradit.

Përveç autoriteteve më të larta shtetërore, kardinali Koch do të takohet me ipeshkvijtë katolikë të Serbisë dhe do të vizitojë dioqezën e Suboticës.








All the contents on this site are copyrighted ©.