2015-05-24 08:21:00

Shenjtorët e javës 24 - 31 maj


E diel më 24 maj, Kisha katolike kremton festën e Rrëshajëve. Këtë të diele, pra, bie festa e ditëlindjes së Kishës, sepse kremtimi i Rrëshajëve, 50 ditë pas festës së Pashkëve.
E kujtojmë se festimi i Zbritjes së Shpirtit Shenjt Zot mbi Apostujt e mbledhur në Cenakull, së bashku me Marinë, shënon plotësimin e premtimeve të Krishtit, do të thotë dërgimin e Shpirtit Shenjt, për t’i ngushëlluar e ndihmuar dishepujt e vet në misionin, veprimtarinë, lodhjen e frikën e tyre. Jezusi u tha: “Do të ju dërgojë Shpirtin Shenjt. Ai do të ju japë forcë, guxim e entuziazëm”! Në zemër të Krishtit është burimi i asaj dashurie që Shpirti Shenjt e derdhi në zemrat tona duke na bërë të aftë ta duam Atin Qiellor, sikur e deshi Krishti, e duke na nxitur ti duam edhe vëllezërit e çdo njeri, siç na ka dashur Ai ne. Me ndihmën e Shpirtit Shenjt Zot, ecim plot shpresë në kërkimin e së vërtetës së plotë, që gjendet në Jezusin e në Atin Qiellor, lumturia e të cilit shkëlqen në mbarë universin.

Po këtë të diele kalendari kishtar kremton edhe festën e Zojës Ndihmëtare, e cila  na kujton se Shpirti Shenjt Zot, Shpirt i vërtetësisë dhe i dashurisë, i prin Kishës në rrugën drejt Krishtit e Atit të tij qiellor.

Të hënën më 25 maj, kalendari kishtar përkujton Shën Gegën VII, papë, e Shën Bedën Venerabile, meshtar benediktin e doktor i Kishës dhe e Shën Maria Madalena de Paci, virgjër. Liturgjia e kësaj dite na kujton se mbretëria e Zotit shtrihet në botën mbarë dhe u përket të gjithë njerëzve pa dallim e pa përjashtim.

Të martën më 26 maj, kalendari kishtar përkujton Shën Filip Nerin, themelues i Kongregatës së Priftërinjve të Oratorit; Shën Eleuterin papë e Shën Simetrin, martir. Liturgjia e ditës na kujton këngën e Psalmistit: “Vetëm në Zotin pushon shpirti im”. E Jezusi na siguron: “Lum ata që vuajnë, sepse do të ngushëllohen”. 

Të mërkurën më 27 maj, kalendari kishtar përkujton Shën Agostinin, kryeipeshkëv i Kanterbërit. Liturgjia e ditës na kujton se Ati na do e na krijon mundësinë të nxjerrim prej tij hiret që i kërkojmë në emër të Krishtit, na fton të bashkojmë zërin në himnin e lavdit që ia këndojnë Zotit mbarë popujt e tokës.

Të enjten më 28 maj, kalendari kishtar përkujton Shën Gjermanin, ipeshkëv i Parisit. Liturgjia e kësaj dite na kujton se feja e besimtarëve rritet në bashkim të ngushtë me transmetimin e pandërprerë të Fjalës së Krishtit të ngjallur nga ana e Kishës

Të premten më 29 maj, sipas kalendarit kishtar përkujton Shën Ursulën Ledohovska, themeluese e motrave Orsoline të Zemrës së Jezusit në agoni. Liturgjia e ditës na kujton se ndjekja e Zotit përjashton çdo kompromis. Në se pranon ta ndjekësh Krishtin, duhet të heqësh dorë nga gjithçka tjetër. E atëherë do të vërejmë me gëzim se që në këtë jetë realiteti ynë nis të ndryshojë e zemra nis të na rrahë me ritmin e Zemrës së Zotit. 

Të shtunën më 30 maj, kalendari përkujton Shën Zhanën d’Ark, virgjër dhe Shën Ferdinandin, mbret i Kastiljes. Liturgjia e së shtunës pohon se në se duam t’i tregojmë botës se i përkasim Krishtit, duhet ta dëgjojmë Fjalën e Hyjit dhe ta zbatojmë në jetën tonë. Vetëm kështu njerëzit mund të binden se jemi të krishterë jo me fjalë boshe, me predikime të zbrazëta, nga të cilat bota është e velur, por me vepra.

Të dielën e ardhshme më 31 maj,  Kisha katolike do të kremtojë festën e Trinisë ShenjteGjithnjë më 31 maj edhe festën e vizitës që e Lumja Mari Virgjër i bëri kushërirës së vet Elizabetës, kjo festë njihet me emrin Pasia e Virgjërës Mari. Kjo festë na kujton Pasinë e së Lumes Mari Virgjër te Shën Elizabeta, nga e cila lind ‘Madhërimi’, ‘Magnificat’, kënga e cila madhëron të Gjithëpushtetshmin Zot për punët e mëdha që kryen në jetën e bijve të vet.








All the contents on this site are copyrighted ©.