2015-05-24 16:30:00

Papa për Rrëshajë: paqja e pajtimi janë dhurata të Shpirtit Shenjt


I nxiti fort besimtarët, sot, Papa, për t’i mirëpritur dhuratat e Shpirtit Shenjt. Në Meshën solemne të së dielës së Rrëshajëve, kryesuar sot paradite në Bazilikën e Shën Pjetrit, përplot me besimtarë, gjatë homelisë Papa kujtoi se, ashtu si në kohën e Apostujve, edhe sot Shpirti Shenjt prin drejt së vërtetës, përtërin tokën e jep frytet e veta. Françesku  nënvizoi, në vijim, se është mëkat t’ia mbyllësh zemrën vërshimit të hirit.

“Ashtu si Ati më dërgoi mua, edhe unë po ju dërgoj ju…Merreni Shpirtin Shenjt!” Fjalët e Papës, shkëputur nga Ungjilli i Gjonit, jehuan me një tingull thellësisht profetik në Bazilikën vigane, zhytur në heshtje e në meditim: e bënë të ndjeshme zbritjen e Shpirtit Shenjt mbi Apostujt, kumtuar nga Jezusi ditën e Pashkëve e të Rrëshajëve dhe u kujtuan të gjithëve se Kisha e sotme, ashtu si ajo ende në fasha, vijon t’i presë e t’i marrë dhuratat e  Shpirtit Shenjt:

“Fjala e Zotit, posaçërisht sot, na thotë se Shpirti Shenjt vepron në njerëzit e në bashkësitë, që janë përplot me Të: u prin drejt së vërtetës, përtërin tokën e jep frytet e veta”.

Këto, tre aspektet themelore të veprimit të Shpirtit Shenjt. Para së gjithash, Shpirti prin drejt së vërtetës. Apostujt e kuptojnë se vdekja e Jezusit nuk është disfatë, por shprehja më e lartë e dashurisë së Zotit, dashuri që, në Ringjallje, fiton mbi vdekjen dhe e larton Jezusin. Krishti është i Gjalli, Zoti, Shpërblyesi i njeriut, i historisë e i botës. Ky, vijoi Papa, është Lajmi i Mirë, që u duhet kumtuar të gjithëve. Më pas, dhurata tjetër e Shpirtit Shenjt: përtëritja e tokës, aspekt i pasqyruar drejtpërdrejt në lidhjen e njeriut me gjithësinë, që na rrethon, së cilës Shpirti i Zotit i dha e i jep jetë:

“Respekti për gjithësinë është kërkesë e fesë sonë: ‘kopshti’, në të cilin jetojmë, nuk na u besua që ta shfrytëzojmë, por që ta kultivojmë e ta ruajmë me respekt”.

Po kjo është e mundur, kujtoi Françesku, vetëm nëse pranojmë që Shpirti Shenjt të na përtërijë; vetëm atëherë mund ta jetojmë lirinë e bijve, në harmoni me mbarë Krijimin, e mund të shikojmë në çdo krijesë pasqyrimin e lumnisë së Krijuesit.

Së fundi, është themelore t’ia hapësh zemrën Shpirtit Shenjt, që jep frytet e veta. Vetëm nëse njeriu, shtoi Papa, heq dorë nga sektarizmi e nga egoizmi, që e bllokojnë veprimin e hirit të Hyjit,  atëherë mund t’ia hapë zemrën Shpirtit Shenjt e dhuratave të tij.  E Papa numëroi virtytet gazmore, që Shën Pali i quan “fryt i Shpirtit  Shenjt”: dashuria, gëzimi, paqja, shpirtmadhësia, dashamirësia, mirësia, besnikëria, butësia, sundimi i vetvetes. Të ecësh sipas Shpirtit Shenjt, tha Papa, është program jete:

“Bota ka nevojë për burra e gra, që nuk i mbyllin zemrat, por i kanë përplot me  Shpirtin Shenjt. T’ia mbyllësh zemrën Shpirtit të Zotit, nuk është vetëm mungesë lirie, por edhe mëkat. E ka një mori mënyrash për t’ia mbyllur zemrën Shpirtit Shenjt. Zemra mbyllet, kur shikon vetëm interesin vetjak; mbyllet, kur e zbaton ngurtësisht Ligjin, ashtu si bënin doktorët e ligjit, që Jezusi i quan hipokritë; mbyllet, kur harron mësimet e  Jezusit, kur jetën e krishterë e vë në  shërbim të vetvetes, jo të të tjerëve".

Hiret e Shpirtit Shenjt, përfundoi Papa në homeli, i dhurohen begatisht  Kishës dhe secilit prej nesh, që të jetojmë me fe të vërtetë, me dashuri vepruese e të mund t’i përhapim farët e pajtimit e të paqes, të cilat na bëjnë të aftë të luftojmë në mënyrë të papajtueshme kundër mëkatit dhe korrupsionit e t’i kushtohemi me ngulm durimtar veprave të drejtësisë e të paqes. 








All the contents on this site are copyrighted ©.