2015-05-24 12:42:00

Papa Françesku: T’ia hapim zemrën Shpirtit Shenjt, të mos mbyllemi në egoizëm e legalizëm


“Mbyllja ndaj Shpirtit Shenjtë nuk është vetëm mungesë e lirisë, por është edhe mëkat. Ka shumë mënyra për t’u mbyllur para Shpirtit Shenjt: në egoizmin e dobisë personale, në legalizimin e rreptë, siç ishte sjellja e doktorëve të ligjit të cilët Jezusi i quan hipokritë, në mungesën e kujtesës për atë çka Jezusi ka mësuar, në mishërimin e përditshëm të jetës së krishterë jo në dritën e shërbimit por në atë të interesit personal, e kështu me radhë”. Kështu pohoi Papa Françesku në homelinë e meshës së Rrëshajëve kremtuar sot paradite në Bazilikën e Shën Pjetrit në Vatikan.
“Bota ka nevojë për burra e gra jo të mbyllur, por të mbushur përplot me Shpirtin Shenjtë”, nënvizoi Papa duke kujtuar ngjarjen e zbritjes së Shpirtit Shenjtë, sipas tregimit të Veprave të Apostujve: “Të gjithë u mbushën me Shpirtin Shenjt dhe filluan të flasin në gjuhë të ndryshme, ashtu si Shpirti Shenjt i shndriste të shpreheshin”. Së bashku me ta ishte Maria, Nëna e Jezusit, dishepula e parë, Nëna e Kishës së porsalindur. Me paqen e saj, me buzëqeshjen e saj, me amësinë e saj e shoqëronte gëzimin e Nuses së re, Kishën e Jezusin”.
Sipas Papa Françeskut, “bota ka nevojë për guximin, shpresën, fenë dhe qëndrueshmërinë e dishepujve të Krishtit. Bota ka nevojë për frytet e Shpirtit Shenjtë: “dashuria, gëzimi, paqja, durimi, shpirtmadhësia, mirësia, dashamirësia, besnikëria, butësia, vetëpërmbajtja””. “Dhuratat e Shpirtit Shenjtë – kujtoi Papa Bergoglio  në homelinë e Meshës së Rrëshajve – i janë dhuruar me begati Kishës e çdonjërit prej nesh, kështu që të mund të jetojmë me fe të pastër e dashuri vepruese, duke përhapur farën e pajtimit e të paqes”. “Të përforcuar nga Shpirti e nga dhuratat e tij të shumta, të bëhemi të aftë të luftojmë pa kompromise kundër mëkatit e korrupsionit, e t’i përkushtohemi me durim e qëndrueshmëri veprave të drejtësisë e të paqes”.








All the contents on this site are copyrighted ©.