2015-05-24 16:34:00

Françesku: shqetësim e dhimbje në zemër për refugjatët e Bengalës


“Me shqetësim të thellë” e “dhimbje në zemër” Papa ndjek atë, që po i ndodh këtyre ditëve një numri të madh refugjatësh në Gjirin e Bengalës e në detin Andamane. E theksoi vetë Françesku në përfundim të lutjes së Mbretëreshës Qiellore.  Në të Dielën e Rrëshajëve, Papa kujtoi edhe se Kisha lind universale e nuk ia mbyll portat në fytyrë askujt, as mëkatarëve.

Edhe ditën e Rrëshajëve, Papa Françesku ndoqi me shqetësim të thellë e dhimbje në zemër, ngjarjet e hidhura, që po jetojnë një mori refugjatësh në Gjirin e Bengalës e në detin Andamane. Pas kremtimit të lutjes së  Mbretëreshës Qiellore, mendimi i Papës shkoi tek mijëra njerëz që, ditët e fundit, dynden drejt brigjeve të Indonezisë, Malezisë e Tajlandës, pikërisht ndërsa shumë e shumë të tjerë të etnisë Rohingya ikin nga persekutimet në Myanmar.

“I vlerësoj shumë përpjekjet e këtyre vendeve, që u treguan të gatshëm t’i mirëpresin këta njerëz, të cilët po përballojnë vuajtje të rënda e rreziqe  të mëdha. Inkurajoj bashkësinë ndërkombëtare të mos ua kursejë asistencën humanitare”.

Më pas Papa kujtoi se pikërisht 100-vjet më parë, më 24 maj 1915, Italia hynte në Luftën e Madhe, në atë masakër të kotë, siç e pati quajtur Benedikti XV:

“Të lutemi për viktimat, duke i kërkuar Shpirtit Shenjt  dhuratën e paqes”.

Në Salvador e Kenia, shtoi më pas, u shpallën dy të Lum: një ipeshkëv e një rregulltare. Është fjala për imzot Oscar Romero, kryeipeshkëv i San Salvador, vrarë nga urrejtja për fenë ndërsa po kremtonte Eukaristinë:

“Ky bari i zellshëm, sipas shembullit të Jezu Krishtit,  qe gjithnjë në mes të popullit të vet, posaçërisht mes të varfërve e të shtypurve, për të cilët nuk e kurseu as jetën”.

Motra italiane Irene Stefani e Misionareve të Zojës së Ngushëllimit i shërbeu gjithë jetën popullsisë keniote me gëzim, mëshirë e dhimbsuri- kujtoi Papa:

“Shembulli heroik i këtyre të Lumëve ngjalltë në zemrën e secilit prej nesh dëshirën e zjarrtë për ta dëshmuar Ungjillin me guxim e vetëmohim”.

Ashtu siç bënë Apostujt që, pesëdhjetë ditë pas Pashkëve, u mbushën përplot me Shpirtin Shenjt: nga ky dikim, shpjegoi Françesku, dishepujt u shndërruan krejtësisht:

“Vendin e frikës e zuri guximi, heshtja ia lëshoi vendin kumtimit e dyshimi, fesë plot me dashuri. Ishte ‘pagëzimi’ i Kishës, që niste, kështu, udhën e vet në histori, e udhëhequr nga forca e Shpirtit Shenjt”.

Kjo ngjarje, vijoi, e shndërroi krejtësisht zemrën dhe jetën e apostujve dhe të dishepujve të tjerë: bashkësia e parë e krishterë doli nga skuta, ku ishte strukur e nisi t’u flasë turmave, ardhur nga anë e anës, për ngjalljen e Krishtit. E secili prej të pranishmëve, vijoi Papa, i dëgjon dishepujt duke i folur në gjuhën e tij. Dhurata e Shpirtit Shenjt e rikthen harmoninë e gjuhëve, humbur në Babel dhe paralajmëron përmasën universale të misionit të apostujve:

“Kisha nuk lind e izoluar, lind universale, një, katolike, me identitet të saktë, por me porta hapur për të gjithë. Me porta e me krahë hapur, për të rrokur mbarë botën, pa përjashtuar askënd; Kisha Nënë nuk ia mbyll askujt portën në fytyrë, askujt! As më mëkatarit, askujt! E kjo, për virtyt të forcës së hirit të Shpirtit Shenjt! Kisha Nënë ua hap të gjithëve portat e veta në të dy kapakët. Ua hap, sepse është Nënë!”.

Shpirti Shenjt, i dikuar për Rrëshajë mbi zemrën e dishepujve, shënon fillimin e një stine të re, asaj të dëshmisë e të vëllazërisë, stinës, që vjen nga Zoti, si gjuhët e flakëve, që nisin të fafiten mbi kokën e secilit prej dishepujve. Ishte, kujtoi Papa, flaka e dashurisë, që djeg çdo vrazhdësi, gjuha e Ungjillit, që kapërcen kufijtë e caktuar nga njerëzit e prek zemrat e turmave pa dallim gjuhe, race e kombësie:

“Ashtu si atë ditë Rrëshajësh, Shpirti Shenjt dikohet vazhdimisht edhe sot mbi Kishën e mbi secilin nga ne, duke na ndihmuar të dalim nga mediokritetet tona, t’i hapim portat tona të mbyllura e t’i çojmë mbarë botës dashurinë përdëllyese të Zotit: ky është misioni ynë! Edhe ne na u dhuruan “gjuha” e Ungjillit e “zjarri” i Shpirtit Shenjt që, ndërsa kumtojmë Jezusin e ngjallur, të gjallë e të pranishëm mes nesh, ta ngrohim zemrën tonë e zemrat e popujve, e t’i afrojmë tek Ai, që është udha, e vërteta, jeta”.

Duke ia besuar ndërmjetësimit amtar të Marisë, që është gjithnjë e pranishme, si Nënë, ndërmjet dishepujve, përshëndetja e fundit e Papës në Sheshin e Shën Pjetrit ishte për  bashkësinë saleziane, në ditën e Zojës Ndihmëtare. Papa u lut që Zoti t’i japë forcë  për ta çuar përpara Shpirtin e Shën Gjon Boskos. Më pas, përshëndetjet drejtuar besimtarëve të ardhur nga Barcelona, nga Freiburg, korit të fëmijëve të Herxheim, bashkësisë domenikane të Romës e mijëra të tjerëve, vetëm e me grupe, mbledhur sot rreth Papës, si të donin t’i tregonin konkretisht botës se Kisha lindi e vijon të jetë: “Universale, një, katolike, me identitet të saktë, me krahë hapur për të rrokur mbarë botën, pa përjashtuar askënd”.








All the contents on this site are copyrighted ©.