2015-05-24 18:32:00

Ati i Shenjtë: misioni nuk është prozelitizëm, është pasion për Zotin


As prozelitizëm e as thjesht strategji: misioni bën pjesë në “gramatikën e fesë” e, prej këndej, është pasion: pasion për Jezu Krishtin, pasion për njerëzit, pasion për Ungjillin. I flet zemrës së çdo njeriu mesazhi i Papës, për Ditën misionare botërore. Dokumenti prek katër argumente kryesore: në radhë të parë, ndalohet tek Viti i Jetës Rregulltare dhe tek  50-vjetori i Dekretit konciliar Ad Gentes, duke nënvizuar lidhjen e fuqishme ndërmjet misionit dhe njerëzve të kushtuar. Papa u rikujton rregulltarëve se kush ndjek Krishtin, nuk mund të mos bëhet misionar. Duke dëgjuar zërin e Shpirtit Shenjt, pra, rregulltarëve u kërkohet të shkojnë drejt periferive të mëdha të misionit, atje, ku Ungjilli nuk ka arritur akoma ndërmjet njerëzve.

Të dallohet thirrja e vërtetë misionare

Kush është misionar, nënvizon Papa, duhet të dhurohet plotësisht, t’i kushtohet me gjithësej kumtimit të Ungjillit e, në këtë pikë, nuk ka e nuk mund të ketë asnjë kompromis: kush e pranon misionin, duhet ta jetojë! Çdo prirje për t’u larguar nga ky vokacion, nuk përkon me thirrjen e Zotit në shërbim të Ungjillit. Prej këndej, Papa u drejtohet formuesve të Instituteve misionare: atyre u kërkon “qartësi e ndershmëri në perspektivat e misionit dhe autoritet në dallimin e thirrjeve të vërteta misionare”.

Të inkurajohen të rinjtë dhe laikët në angazhimin misionar

Në radhë të dytë, Papa u drejtohet të rinjve dhe laikëve. Të parëve u bën thirrje: “Mos lini askënd t’jua rrëmbejë ëndrrën për një mision të vërtetë, për ta ndjekur Krishtin, duke e dhuruar plotësisht vetveten”, sepse kumtimi i Ungjillit, para se të jetë nevojë për ata, që nuk e njohin, është për ata që e duan Jezusin. Njëkohësisht Françesku u kërkon rregulltarëve t’i nxisin laikët për shërbim misionar, me bindjen se misioni i përket çdo të pagëzuari.

Të varfërit, në qendër të vëmendjes në kumtimin ungjillor

Në radhë të tretë, Ati i Shenjtë tregon sfidën parësore të sotme, respektimin e nevojave të të gjithë popujve për t’u nisur nga rrënjët  e veta e për të mbrojtur vlerat e kulturave përkatëse. Çdo popull e çdo kulturë ka të drejtë të ndihmohet nga tradita e vet për ta kuptuar misterin e Zotit dhe për ta mirëpritur Ungjillin. Papa kujton, sidomos, se në qendër të vëmendjes së kumtimit ungjillor, janë gjithnjë të varfërit, të vegjlit, të gjymtuarit, të poshtëruarit e të harruarit, sepse feja nuk mund të ndahet kurrë nga të varfërit. Të ecësh pas Krishtit, që  i deshi aq shumë të varfërit,  nuk do të thotë të veprosh ideologjikisht, por të bëhesh një me të varfërit, ashtu siç u bë vetë Zoti, që hoqi dorë nga çdo pushtet, për t’u bërë vëlla me më të fundmit, duke u çuar atyre gëzimin e Ungjillit e dashurinë e Hyjit Atë.

Bashkëpunim e bashkëveprim ndërmjet instituteve misionare dhe ipeshkvit të Romës

Së fundi Papa nënvizon rëndësinë e bashkëpunimit dhe të bashkëveprimit ndërmjet ipeshkvit të Romës dhe institucioneve e veprave misionare të Kishës, për të garantuar bashkimin. E ky nuk është nënshtrim juridiko-organizativ ndaj organizmave institucionale, as përulje ndaj fantazisë së Shpirtit Shenjt, që ngjall larmitë. Kjo do të thotë t’i japësh më shumë  rëndësi mesazhit ungjillor e të sigurosh unitetin e qëllimeve, fryt i vetë Shpirtit Shenjt.

Të vihen  të gjithë në lidhje personale me Krishtin

Vepra misionare e pasardhësit të Shën Pjetrit, shpjegon Papa, ka horizont apostolik universal. Prandaj ka nevojë për shumë karizma të jetës rregulltare, për të siguruar praninë e përshtatshme në kufijtë e trojet, ku ka arritur tashmë.

Mesazhi përfundon me thirrjen drejtuar Kishës që të mos lodhet kurrë  duke kumtuar Ungjillin, sepse, në fund të fundit, misioni i ipeshkvijve, i priftërinjve, rregulltarëve e laikëve është t’i vërë të gjithë, pa përjashtuar askënd, në lidhje personale me Krishtin.








All the contents on this site are copyrighted ©.