2015-05-22 18:34:00

Siria në kaos: tronditje për rrëmbimin e atë Mourad


Administrata Obama nuk parashikon ndonjë ndryshim të strategjisë në Siri e në Irak, pavarësisht nga përparimi i Shtetit të vetëquajtur Islamik në të dy vendet dhe nga pushtimi i Palmirës e Ramadi. Popullsia është vënë në ikje. Dhjetra, të vdekurit. Shumë koka të rrokullisura rrugëve. Por avionët gjuajtës të koalicionit ndërkombëtar vijojnë të lëshojnë bomba mbi strofkat e xhihadistëve. I fortë, shqetësimi i bashkësisë së krishterë, pas rrëmbimit të atë Jacques Mourad, pranë Homsit.

Kontakti i fundit i atë Mourad me bashkësinë e tij të Mar Musa, themeluar nga jezuiti Paolo Dall’ Oglio, edhe ai i rrëmbyer dy vjet më parë, ishte i djeshmi në orën 12 të mesditës. Meshtari u rrëmbye në Qaryatayn, qytet i vogël në Sirinë qendrore, rreth njëqind kilometra larg Palmirës, ku drejtonte prej dymbëdhjetë vjetësh famullinë siro-katolike vendase dhe   manastirin Mar Elias. Ishte me një bashkëpunëtor, kur dy burra të armatosur, me fytyrë të mbuluar, iu afruan autos së tij.

Siria, ndërkaq, vijon të bjerë copë pas cope, në duart e xhihadistëve të Al Bagdadit: u pushtuan 9 provinca me një shtrirje prej 95 mijë km2, duke përfshirë edhe zonën e naftës, ku ndodhen së paku 60 puse. Ndër qytetet e fundit, që ra në dorë të Is, është Palmira, “margaritari e shkretëtirës”: stoli arkeologjike, por edhe qendër strategjike, shtyllat shekullore të së cilës u rrënuan menjëherë. Tani udhët “stolisen” me kufoma e me koka të prera, ndërsa popullsia vijon të ikë e trupat e Asadit, të tërhiqen.

Koalicioni, i udhëhequr nga SHBA, vijon të luajë rolin e vet edhe në Irak, ku Is ka shtënë në dorë Ramadi e ka rrënuar kishën e lashtë të Mosulit. 18, goditjet ajrore të 24 orëve të fundit mbi të dy vendet, ndërsa Washington-i përsërit me forcë: asnjë ndryshim strategjik! As që mendohet për ndonjë sulm të mundshëm në shkallë të gjerë të ushtarakëve amerikanë.  








All the contents on this site are copyrighted ©.