Të jetohen Rrëshajët si përvojë gjithnjë e re: reflektim i Atë Raniero Kantalamesës. Për solemnitetin e Rrëshajëve e për mënyrën e përkimit të elementit karizmatik me atë institucional në Kishë, na flet Atë Raniero Kantalamesa, predikatar i Shtëpisë papnore. Ta ndjekim reflektimin:
Përgjigje: - Solemniteti i Rrëshajëve nuk është thjeshtë kremtim apo kujtim. Është
realitet, përvojë, që e jetojmë çdo vit. Shën Agostini i dallonte festat e krishtera
që përkujtojnë përvjetorë, nga ato që kremtojnë një mister. Ata që përkujtojnë përvjetorë,
kremtojnë rikthimin në kujtesë të ditës kur ka ndodhur një ngjarje. Ndërsa festat
që kremtojnë ‘misterin’, ndërmjet të cilave Shenjti numëronte në radhë të parë Pashkët,
jo vetëm që e kujtojnë ngjarjen, por sidomos, e rijetojnë atë. Prandaj gjëja më e
rëndësishme në solemnitetin e Rrëshajëve duhet të jetë që secili prej nesh të hyjë
brenda misterit e të presë, me fe të gjallë që, çka ndodhi atë ditë, të ndodhë përsëri.
Pyetje: - Shpirti Shenjt e përtërin vazhdimisht zemrën e besimtarëve. Si mund t’i
kërkojmë ndihmë në dëshmimin e përditshëm të Ungjillit?
Përgjigje: - Besoj se liturgjia na jep këshilla të mira, posaçërisht na krijon raste
të mira për të dhënë dëshmi. Për shembull, kush thotë Liturgjinë e Orëve, e di se
ora e tretë, që kremtohet në mëngjes, na kujton gjithnjë Rrëshajët. E pastaj secili
duhet të ketë mënyrën e vet të veçantë. Për shembull, unë them çdo ditë rreshtin e
parë të ‘Veni Creator’: “Eja, Shpirt Krijues, mbushe zemrën e besimtarëve!” Do të
ishte mirë të ndalemi paksa e të pyesim veten ç’ do të thotë vajosje apo mirosje me
Shpirtin Shenjt. Vajosje me Shpirtin Shenjt do të thotë të pranojmë që Shpirti Shenjt
të veprojë në shpirtin tonë, të veprojë përmes fjalëve tona, vendimeve tona.
All the contents on this site are copyrighted ©. |