2015-05-22 12:08:00

Papa: ta lëmë Krishtin të na i ngulë sytë, për të na e shndërruar zemrën


Si më shikon sot Krishti? Papa Françesku e shtjelloi homelinë e mëngjesit, në Shtëpinë e Shën Martës, duke u ndaluar tek dialogu i Jezusit me Pjetrin, rrëfyer në Ungjillin e sotëm. Prej këndej, reflektoi mbi tre shikimet e Krishtit mbi Apostullin.

Krishti i ngjallur përgatit ushqimin për dishepujt e vet e, pasi hanë, nis një dialog i thellë ndërmjet Tij e Pjetrit. Françesku e shtjelloi homelinë duke u nisur prej këtij dialogu, propozuar nga Ungjilli i sotëm e, menjëherë pas, tregoi se, në lutje, iu duk sikur rijetonte çastin kur Jezusi i ngul sytë mbi Pjetrin. Papa kujtoi se në Ungjill vërehen tre shikime të ndryshme: shikimi i zgjedhjes, i pendimit, i misionit.

Shikimi i parë, i entuziazmit

Në fillim të Ungjillit të Shën Gjonit, shpjegoi, kur Andreu shkon tek i vëllai, Pjetri e i thotë: “E gjetëm Mesinë”, jemi para shikimit plot entuziazëm. Jezusi i ngul fort sytë mbi të e thotë: “Ti je Simoni, biri i Gjonit. Do të quhesh Pjetër”. Është shikimi i parë, ai i misionit. Thirrja është kumt i parë i misionit. “E si është shpirti i Pjetrit nën këtë shikim të parë?”, pyeti Papa. Entuziast. Hapi i parë pas Zotit.

Shikimi i dytë, i pendimit

Pastaj vështrimi i Papës shkoi larg, në natën e errët, dramatike, të së Enjtes së Madhe, kur Pjetri e mohon tri herë rresht Krishtin. Humbi gjithçka, Humbi dashurinë e Tij, e kur Zoti ia ngul sytë në bebe të syrit, ai qan me lot të valë:

“Ungjilli i Lukës thotë: ‘E Pjetri qau me lot të hidhur’. Entuziazmi i parë për të ndjekur hap pas hapi Jezusin, u shndërrua në vaj, sepse ai mëkatoi: e mohoi Jezusin. Por kur Zoti ia nguli sytë, zemra e Pjetrit nisi të rrahë ndryshe. Ndryshimi nis pikërisht nga zemra. Ai ndërroi emër e thirrje. Ky është shikimi i dytë, shikim që e shndërron zemrën, që të nxit për kthesën e madhe, fryt i dashurisë”.

Pastaj shtoi Papa, është shikimi i takimit, pas Ngjalljes. E dimë se Jezusi e takoi Pjetrin. Këtë na e thotë Ungjilli. Por, vërejti Papa, nuk e  dimë fare ç’i thanë njëri-tjetrit.

Shikimi i tretë, misioni

Ky i Ungjillit të sotëm, shtoi Françesku, është shikimi i tretë: ai që  përforcon në mision e, njëkohësisht, shikim përmes të cilit Jezusi kërkon të vërtetojë dashurinë e Pjetrit. I kërkon, prandaj, tri herë, t’ia pohojë dashurinë e tij, duke e nxitur t’ia kullotë delet. Kur e pyet për të tretën herë, Pjetri mbetet keq e  nis përsëri të qajë:

“U hidhërua, sepse Krishti e pyeti për herë të tretë: ‘A më do!’. E ai i gjegji: ‘Po, ti o Zot, di gjithçka. Ti e di se të dua!’. U përgjigj Jezusi: ‘Kulloti delet e mia’. Ky është shikimi i tretë, ai i misionit. I pari, shikimi i zgjedhjes, i entuziazmit për ta ndjekur pas Jezusin; i dyti, shikimi i pendimit në çastin e mëkatit tejet të rëndë të mohimit të Zotit; i treti, shikimi i misionit: ‘Kulloti  qengjat e mi! Kulloti delet e mia! Kulloti!’”.

Ta lëmë Krishtin të na i ngulë sytë

Por, tha në vijim Papa, rrëfimi nuk mbaron këtu. Jezusi shkon më përpara e i thotë Pjetrit: “Ti e bën gjithë këtë për dashuri. E pastaj? Do të kurorëzohesh mbret? Jo!”. Jezusi e paralajmëron Pjetritn se edhe atij do t’i duhet ta ndjekë në Udhën e Kryqit:

“Edhe ne mund të mendojmë: me ç’sy po më shikon Krishti sot? Si më shikon Jezusi? Më thërret me sy? Më fal? Më nis për mision? Por duke ecur në udhën, që bëri Zoti, të gjithë jemi nën shkimin e tij. Ai na shikon gjithnjë plot dashuri, na kërkon diçka, diçka na fal e na jep një mision. Tani Jezusi vjen mbi elter. Secili nga ne të mendojë: “O Zot, Ti je këtu, ndërmjet nesh. Nguli sytë e tu mbi mua e më thuaj ç’duhet të bëj; si duhet të qaj për gabimet e mia, për mëkatet  e mia; ku ta gjej guximin për të ecur në udhën, që ti e shkele i pari?”.

Në këtë ditë, përfundoi Françesku, na bën mirë ta rilexojmë këtë dialog me Zotin e të mendojmë për shikimin e Zotit mbi ne. 








All the contents on this site are copyrighted ©.