2015-05-22 17:08:00

Drejtësi e Paqe: në Romë, konferenca kushtuar grave dhe zhvillimit të qëndrueshëm


Janë më se 100, pjesëmarrëset, ardhur nga mbarë bota, në Konferencën ndërkombëtare mbi gratë, që u hap sot paradite në Church Village, ish Domus Pacis, në Romë, organizuar nga Këshilli Papnor i Drejtësisë e Paqes, Bashkimi botëror i organizmave femërore katolike (Umofc) dhe Aleanca Botërore e grave për jetën e familjen(Wwalf). Takimi, që u paraqit dje në Sallën Gjon Pali II nga kardinali Peter Turkson, kryetar i Këshillit Papnor për Drejtësi e paqe, organizator i ngjarjes, do të përfundojë të diel. Po të diskutohet rreth temës “Gratë drejt agjendës për zhvillimin pas 2015-tës: sfidat lidhur me objektivat e zhvillimit të qëndrueshëm”.

Po merren në shqyrtim çështjet më nevralgjike për gruan e sotme, shpjegoi kardinali Turkson, si famija, kultura moderne, teoria e gjinisë, edukimi, dialogu ndërfetar, format e vjetra e të reja të skllavërisë, dhuna mbi gratë, e drejta për jetën, emigracioni, trafiku i njerëzve, varfëria, kriza ekonomike dhe zhvillimi i qëndrueshëm.  Sidomos, objektivat e Mijëvjeçarit.

Janë 17, objektivat e Mijëvjeçarit, që do të përtërihen në shtator pranë Asamblesë së Kombeve të Bashkuara. Në to, gratë kanë një rol të rëndësishëm, ndonëse sfidat si skllavëritë moderne, nuk merren aq sa duhet parasysh.

Gruaja është teorikisht e pranishme në këto objektiva, por në mënyrë të deformuar, larg pasqyrimit të rolit të saj të vërtetë. Mjafton të kujtojmë vetëm një shembull: mitrën me qira, që bazohet mbi shfrytëzimin e  varfërisë së grave e që është, pa dyshim, një nga skllavëritë e reja. Ose, mundësitë e barabarta të gruas me burrin: si mund të mendohet realizimi i këtij objektivi, nëse nuk sigurohet mbrojtja shoqërore e amësisë, domethënë, nëse nuk i krijohen gruas kushtet e përshtatshme për ta jetuar jetën ashtu si dëshiron?

Por kjo nuk e përjashton faktin se roli i gruas po bëhet gjithnjë më i rëndësishëm për paqen në botë, edhe në fetë e ndryshme. E kjo, nga që   nuk duhet harruar kurrë se gruaja edukon breznitë e hap rrugët e mbyllura në marrëdhëniet me të tjerët.  








All the contents on this site are copyrighted ©.