2015-05-21 12:01:00

Jemen: goditet një Kishë katolike nga bombat saudite


Kisha e Zojës së Papërlyer në Aden të Jemenit, e goditur më 11 maj nga bombardimi i forcave ajrore të Arabisë Saudite kundër rebelëve Houthi, ka pësuar dëme por nuk është shkatërruar krejtësisht. Kështu bëjnë të ditur burimet vendore të kontaktuara nga agjencia Fides. Kisha qe okupuar nga rebelët Houthi në fillim të majit. Në brendësi të Kishës shihen pasojat e vandalizmit e të bombardimeve saudite të 11 majit, që kanë dëmtuar rëndë kulmin dhe muret.
Kisha e Zojës së Papërlyer, ndërtuar më 1960, është njëra prej tri objekteve të kultit që kanë katolikët të cilët jetojnë në Jemen, pjesa më e madhe e të cilëve janë emigrantë të ardhur nga India.
Në Vendin e gadishullit arabik të tronditur nga lufta – njofton agjencia Fides – aktualisht ka mbetur vetëm një prej, katër priftërinjve katolikë indianë, të ngarkuar me shërbimin fetar pranë komunitetit katolik të vendit. Dy prej tyre kanë qenë detyruar të braktisin Jemenin, më këshillin e ambasadës indiane. I katërti, që ishte jashtë vendit në momentin e shpërthimit të konfliktit, gjendet në Gjibutë në pritje për t’u kthyer në Jemen. Ndërsa të gjitha Motrat Misionare të Dashurisë të Nënë Terezës, afër 20, kanë qëndruar në vend e vijojnë me misionin e tyre ndaj të varfërve. Motrat e Nënë Terezës janë të ndara në katër komunitete, ku mbledhin e strehojnë të varfër, të sëmurë e të moshuar për të cilët kujdesen me dashuri. 

Ndërkohë luftimet në vend nuk pushojnë. Forcat saudite kanë goditur zyrën e një organizate humanitare në Jemenin verior, duke vrarë pesë refugjatë etiopianë e duke lënduar 10 të tjerë, njoftojnë agjencitë e lajmeve, sipas dhënave nga vendi. Sulmet e artilerisë e ato ajrore goditën qytezën e Maydisë, përgjatë kufirit jemenas me mbretërinë saudite.








All the contents on this site are copyrighted ©.