2015-05-21 12:33:00

Françesku: të jemi një gjë e vetme, hir e përpjekje e të krishterëve


“Plagët” e tij në Kryq janë çmimi i paguar nga Jezusi, që Kisha të ishte përgjithmonë e bashkuar me Të e me Zotin. Të krishterët e sotëm duhet t’i luten Zotit për Hirin e bashkimit, por edhe të bëjnë ç’është e mundur që ndërmjet tyre të mos gjejë vend “fryma e ndarjes, e luftës, e xhelozive”. Ky, reflektimi i Papës Françesku, në meshën e sotme në Shtëpinë e Shën Martës.

         Lutja e Jezusit që të gjithë të krishterët të jenë “një gjë e vetme” e, përkrah saj, tundimi i madh, siç e quajti Papa, për të rënë në prehrin e gënjeshtrës e të ndarjes. Ati i Shenjtë u zhyt në atmosferën e Çenakullit e në intensitetin e fjalëve, që Krishti u besoi apostujve para se të shkonte drejt Mundimeve të Kryqit.

Çmimi i bashkimit

         Ngushëllohemi e na mbushet zemra plot, vërejti Papa, kur dëgjojmë Jezusin t’i thotë Atit Qiellor se nuk lutet vetëm për dishepujt e vet, por edhe për ata, që do të besojnë në Të “përmes fjalës së tyre”. Këtë frazë e kemi dëgjuar shumë herë, nënvizoi Françesku, duke kërkuar vëmendje të mëtejshme:

         “Ndoshta, ne nuk jemi shumë të vëmendshëm ndaj këtyre fjalëve: Jezusi është lutur për mua! Ky është vërtet burim besimi: Ai vetë lutet për mua, është lutur për mua… Unë imagjinoj – natyrisht, në mënyrë figurative – si është Jezusi para Atit, në Qiell. E është pikërisht kështu: lutet për ne, lutet për mua. E çfarë sheh Ati? Plagët, çmimin. Çmimin që pagoi për ne. Jezusi lutet për mua me anë të plagëve të Tij, me anë të zemrës së plagosur e do të vazhdojë ta bëjë këtë”.

Fytyrat e ndarjes

         Jezusi lutet për bashkimin e popullit, për Kishën. Por, pohoi Ati i Shenjtë, Ai e di se shpirti i kësaj bote është përçarja, lufta, smira, xhelozia, madje edhe në familje, edhe në familjet rregulltare, edhe në dioqezë, edhe në të gjithë Kishën. Ky është tundimi i madh, që sjell thashetheme, i gjykon dhe i etiketon njerëzit. Lutja na kërkon t’i zhdukim këto qëndrime:

         “Duhet të jemi ‘një’, një gjë e vetme, ashtu si Jezusi e Ati Qiellor janë një gjë e vetme. Kjo është sfida e të gjithë të krishterëve: të mos i lëmë vend ndarjeve, të mos e lejojmë shpirtin e përçarjes, atin e gënjeshtrës të hyjë brenda nesh. Të kërkojmë gjithnjë bashkimin. Secili është si është, por përpiqet të jetojë në unitet. A të fal Jezusi ty? Edhe ti fali të tjerët. Jezusi lutet që ne të jemi një, një gjë e vetme. E Kisha ka kaq shumë nevojë për këtë lutje bashkimi”.

Bashkimi është hir, jo “zamk”

         Nuk ekziston, qeshi Papa Françesku, një Kishë që mbahet e bashkuar me “zamk”, sepse uniteti që kërkon Jezusi “është hir prej Zotit” dhe “përpjekje” mbi këtë tokë. “Duhet t’i bëjmë vend Shpirtit Shenjt – përfundoi Papa – që të na shndërrojë, ashtu si Ati që është në Birin, në një gjë të vetme”:

         “Një këshillë tjetër që dha Jezusi para se të ndahej me dishepujt është të mbetemi në Të: “Qëndroni në mua’…e kërkon këtë hir, që të gjithë ne të rrimë në Të. E këtu na tregon edhe psenë, na e thotë qartë: ‘O Atë, dua që ata, të cilët Ti m’i ke dhënë, të jenë me mua aty ku jam unë’. Pra, që këta të rrinë aty, me mua. Të rrish me Jezusin, në këtë botë, do të thotë që në fund do të mbetesh me Të ‘për të kundruar lavdinë e Tij’”.








All the contents on this site are copyrighted ©.