Në Baku, në Azerbajxhan u zhvillua Forumi tretë botëror i Dialogut ndërkulturor,
promovuar nga OKB-ja e nga Këshilli i Evropës, nën patronazhin e presidentit azer
Aliyev. Forumi qe një rast të volitshëm për të diskutuar arritjen e deritanishme në
fushën e dialogut ndërkulturor dhe shtytjet për promovimin e mëtejshëm të mirëkuptimit
reciprok ndërmjet popujve e kombeve. Tema e këtij Forumi sivjet qe “Kultura dhe zhvillimi
i mundshëm në agjendën për zhvillim pas2015”. Në këtë Forum mori pjesë edhe
zëvendës sekretari i Këshillit Papnor për Kulturën imzot Melchor Sanchez de Toca y
Alameda, cili në mikrofonin e RV thotë:
“Është takimi i tretë i radhës i të ashtuquajturit “Shpirti i Baku-s” për të favorizuar
dialogun ndërmjet kulturave në një rajon posaçërisht delikat. Takimi u mbajt në bashkëpunim
me Kombet e Bashkuara dhe me nisma të ndryshme të dialogut ndërkombëtar. Përmbajtja
e këtyre forumeve është shumë afër sensibilitetit të Këshillit Papnor për Kulturën:
ideja e kulturës si vend dialogu, dhe platforma e dialogu si vend takim i mundur mes
palëve. Nëse mbi çështjet dogmatike, dialogu i qetë, nganjëherë, është i vështirë,
në fushën e kulturës takimi është i mundshëm. Përmendim për shembull këtu gjuhët
e mëdha universale, që janë fenomene kulturore, përmes të cilave popujt mund të kuptohen
e të takohen si: muzika, sporti, shkenca e edhe bukuritë e ndryshme, që bashkojnë
popujt. Por duhet pasur kujdes sepse në qoftë se nuk ka kuptim të drejtë e të sinqertë,
edhe këto mund të ndajnë e të jenë shkaqe ndarjesh: e këtë e dimë...
Cili është qëndrimi i Selisë së Shenjtë në këtë Forum?
Delegacioni i Selisë së Shenjtë ripohoi disa pika të qarta: para se gjithash faktin
se kulturat nuk mund të jenë të izoluara, sepse një gjë është mbrojtja e identitetit
kombëtar, një tjetër gjë është izolimi i kulturës dhe kërkimi i parandalimit të çdo
lloj kontakti. Ky është një aspekt i rëndësishëm.
Së dyti, duhet kujtuar se qendra e çdo kulture dhe e çdo dialogu
ndërkulturor ka pikëpyetje që janë thellësisht fetare, sepse janë pyetje që kanë të
bëjnë me kuptimin e ekzistencës së jetës njerëzore, me domethënien e botës, të zanafillës
e të fatit të gjithësisë, e pyetjet mbi vuajtjen e mbi të keqen, janë pikëpyetje të
përmasës fetare e shpirtërore. Prandaj dialogu ndërkulturor nuk mund të nshkëputet
nga dialogu ndërfetar.
Së treti, duhet t’u kujtomë qeverive se dialogu ndërfetar, që është
vërtetë urgjent në këto kohë të atentateve kundër lirisë fetare, në shumë vende të
botës, duhet të udhëhiqet e kultivohet në rend të parë nga besimtarët e jo nga qeveritë,
të cilat nuk duhet t’i zëvendësojnë besimtarët e veçantë. E t’i kujtojnë fjalët që
Papa Françesku ka thënë disa herë, se “të vrasësh në emër të Zotit do të thotë të
blasfemosh”. E ky fakt duhet denoncuar përherë e sidomos prej njerëzve fetarë. Duhet
ta kujtojmë këtë, pa hipokrizi, se liria e shprehjes ka gjithmonë një kufi, siç e
njohin të gjitha ligjet civile: e drejta e lirisë së shprehjes nuk të jep të drejtën
të thuash çfarëdo për çfarëdo personi e ndaj çdokujt. Prandaj edhe ndjenjat fetare
të njerëzve duhen mbrojtur para teprimeve e blasfemive publike dhe përqeshjeve që
ndodhin në disa Vende”.
All the contents on this site are copyrighted ©. |