2015-05-19 14:56:00

Filipinet, gati të strehojnë refugjatët rohingya


Sikur ta kishin dëgjuar Papën Françesku në meshën e mëngjesit, Filipinet deklaruan sot se janë gati të strehojnë në territorin e tyre rreth 3 mijë refugjatët e etnisë rohingya nga Mianmari e Bangladeshi, të cilët ndodhen në mëshirë të detit, mbi një barkë në gjirin e Bengalës, të refuzuar nga të gjitha vendet e tjera të Azisë Juglindore. Madje dyshohet se në det enden edhe 5 mijë të tjerë. Kësaj etnie, të fesë myslimane, nuk i njihen të drejtat themelore në vendin e origjinës. Filipinet kanë nënshkruar Konventën e vitit 1951 për statusin e refugjatit, të cilën e patën zbatuar edhe pas luftës në Vietnam, kur pritën e strehuan të ashtuquajturit “boat people”. Tani, shteti e Kisha e njërit prej dy vendeve aziatike me shumicën e popullsisë katolike (tjetri është Timori Lindor), deklarojnë se do të bëjnë detyrën e tyre për të shpëtuar këto jetë njerëzish.

         Drejtori i Veprave Papnore Misionare në Filipine, atë Socrates Mesiona, vlerëson qëndrimin e qeverisë e thekson: “Është detyra jonë t’i presim këta njerëz: nëse do të jetë e nevojshme, do t’u urojmë mirëseardhjen e do të përpiqemi t’u garantojmë një jetë dinjitoze. Janë qënie njerëzore e bij të Zotit, të krijuar në shembëlltyrë e përngjasim me Atin Qiellor. Fakti se janë të fesë myslimane nuk na krijon asnjë problem e nuk i ndryshon gjërat. Siç na mëson Ungjilli, do të jemi gati t’u japim mikpritje”.








All the contents on this site are copyrighted ©.