2015-05-16 19:31:00

Françesku rregulltarëve: të jeni gëzimi e dhurata e Zotit në botë


Jeta e klauzurës “nuk është strehë”, por “fushë e hapur beteje” në botë. Çdo motër është “ikonë” e Kishës. Ipeshkvijtë e rregulltarët duhet të bashkëpunojnë në dioqezë, për të krijuar harmoninë e Kishës: kështu u shpreh Françesku gjatë takimit. Ishte një shkëmbim pyetjesh e përgjigjesh, takimi i gjatë i Papës me mijëra rregulltarë të dioqezës së Romës, mbledhur në Sallën e Palit VI, në kuadrin e Vitit kushtuar Jetës Rregulltare. Pas përshëndetjes së kardinalit mëkëmbës, Agostino Vallini, Françesku iu përgjigj lirisht pyetjeve, që i bënë disa rregulltarë, përfaqësues të 25 mijë vëllezërve e motrave në territorin kapitolin, lidhur me aspekte të ndryshme të jetës së tyre komunitare e apostolike.

“Kundruesi fshihet në Zotin, nuk fshihet nga bota”. Përgjigjja e parë e Papës dhënë rregulltarëve, që mbushnin plot Sallën e Palit VI u prit me duartrokitje të stuhishme, në atmosferë familjariteti të vërtetë, nësa shkëmbehej teologjia, që i përket një jete jo të zakonshme, shpesh tejet të veçuar nga bota, të fshehur përmbas “mureve e kafazeve”, tha Papa, duke kujtuar kuvendet e heshtura të klauzurës, që duken si të papërshkueshme nga zërat e botës, e cila jeton jashtë perimetrit të kuvendit:

“Po, o Atë, lajmet a mund të hyjnë në manastir?”.

Duhet të hyjnë! Por jo lajmet e mediave llafazane. Lajmet për atë që ndodh në botë, lajmet e luftërave, për shembull, të sëmundjeve, të vuajtjeve të njerëzve. Prej këndej, një nga gjërat që nuk duhet ta lini kurrë mënjanë, është dëgjimi i njerëzve! Edhe në orët e kundrimit, edhe të heshtjes.... Disa manastire kanë sekretari telefonike e njerëzia kërkon lutje: kjo lidhje është e rëndësishme.

Bukë e buzagaz

Më pas Papa u përqendrua kryesisht tek pyetjet e tjera, që iu drejtuan gjithnjë lidhur me jetën në kuvende. Kuvendi nuk është strehë, për të shpëtuar nga bota, theksoi Papa, është fushë beteje, është luftë, është të trokasësh në zemrën e Zotit në tensionin ndërmjet jetës së fshehur, lutjes e dëgjimit të lajmeve të njerëzve. Ka kuvende që, një orë në ditë, u japin njerëzve të hanë. Kjo nuk është kundër fshehjes në Tënzonë. Është shërbim, buzëqeshje. Buzagazi i murgeshave i hap zemrat dhe ua shuan urinë shumë më tepër se buka, atyre që vijnë të trokasin në portat e kuvendit.

Gruaja e shuguruar është nënë

Gruaja e shuguruar është nënë. Motrat janë ikonë e Kishës dhe e Zojës së Bekuar. Nuk duhet harruar se fjala “Kisha” është e gjinisë femërore, nuk i thonë “Kishi”. Prandaj Kisha është nusja e Jezusit e dashuria e saj është dashuri nëne.

Shtupa e padronë

Papa kërkoi nga rregulltarët dashuri konkrete, mirësi, vërtetësi. Me vetëdije se në kuvend mund të ketë edhe zili, smirë, kritika kundër eprorëve. Mund të ketë edhe konkurencë ndërmjet kongregatave e dioqezave. E për këtë, Papa kujtoi dokumentin e vjetër “Mutuae Relationes”, që trajton problemet e marrëdhënieve ndërmjet rregulltarit e ipeshkvit. Një tekst i cili, që në Sinodin e ’94-tës, pati kërkuar të bëjë reformë, pa ia arritur deri më sot qëllimit. Vërtet, sqaroi Papa, nuk është e lehtë të krijosh unitet ndërmjet karizmave të ndryshme, unitet me ipeshkvin... Secili ngreh për vete, mbron interesat e veta. Nuk them se kjo ndodh gjithnjë, por se është prirje njerëzore. Fare pa mëkat nuk është, por  është kështu. Gjithsesi, duhet punuar për të mirën e përbashkët. Kështu bën Kisha. Ipeshkvi nuk duhet t’i përdorë rregulltarët si shtupa për të mbyllur vrimat e punës së tij, e as rregulltarët nuk duhet ta përdorin ipeshkvin si të ishte  padroni i ndonjë ndërmarrjeje, që u jep punë.

A mund të festohet pas mureve të Kuvendit?

Duke iu përgjigjur kësaj pyetjeje, Papa theksoi se mund të bëhet festë, por jo zhurmë e, në përfundim, u ndal tek misteri i bindjes e tek roli i grave në Kishë, duke theksuar amësinë e gruas së përkushtuar e, sidomos, se Murgeshat janë ikona e Kishës

Buzëqeshja e re e një plake 97 vjeçe

Përshëndetja e fundit ishte simbolike. Papa Françesku ia drejtoi një motre 97 vjeçe. Shkëmbeva me të dy-tri fjalë, tregoi, më shikonte me dy sy të kthjelltë, me buzëqeshje motre, nëne, gjysheje. Përmes saj dua të shpreh nderimin tim për durimin në jetën rregulltare”.








All the contents on this site are copyrighted ©.