2015-05-06 12:31:00

Dom Lukë Matranga në përvjetorin e vdekjes


Duke shfletuar kalendarin historik, sot, kujtojmë përvjetorin e vdekjes së dom Lukë Matrëngës.

Pra, si sot, më 6 maj të vitit 1619, u nda nga jeta prifti arbëresh dom Lukë Matrënga (1576-1619) në Horë të Arbëreshëve. Ai është autori më i vjetër arbëresh që njohim deri më sot. Dom Lukë Matrënga (siç e quan edhe atë Justin Rrota në veprën “ Per historìn e Alfabetit Shqyp”, Shkodër 1936 e jo ‘Lekë’ siç shkruhet në shumë libra letërsie) u lind në Horë të Arbëreshëve në Sicili. Pasi kreu studimet filozofike e teologjike në kolegjin e Shën Athanasit në Romë, u kthye në Sicilinë e tij të lindjes, ku shërbeu si prift. Në vitin 1592 përktheu nga italishtja dhe botoi në Romë katekizmin e jezuitit atë dr. Ledesma me titull "E mbesueme e kërshterë" ( Doktrina e Krishterë).

Kjo vepër me 28 faqe që ka rëndësi shpirtërore e katekistike për historikun e kishës arbëreshe, përveç rëndësisë e vlerës letrare. Kjo vepër përfshin një vjershë me tetë vargje që përbën llojin e parë të vargut të shkruar shqip, si dhe vetë katekizmin, është pra një doracak fetar për doktrinën e krishterë në formë pyetje-përgjigje. Kjo vepër është e rëndësishme edhe për dokumentimin e një faze të vjetër të të folmeve të arbëreshëve të Sicilisë. Ajo paraqet interes edhe për vjershën e shkurtër botuar në atë vëllim, dokument i parë i botuar i vjershërimit shqip. Një prej dorëshkrimeve qe botuar edicioni i Doktrinës me shënime të Prof. M. La Piana në revistën ‘Roma e l’Oriente’ – 1912.

Ja një fragment i shkurt poetik shkëputur nga teksti i Matrëngës te Këngë e Përshpirtshme:

Gjithëve thëres, kush do ndëlesë,

të mirë të krështë, burra gra,

mbë fjalët e Tinëzot të shihi meshë,

se s’ishtë njerii nesh çë mkatë s’kaa;

e lum kush e kujton se ka te vdesë,

e mentë bashkë mbë Tënëzonë i kaa,

se Krishti ndë parrajsit i bën pjesë,

e bën për bljr të tij e për vëlla.








All the contents on this site are copyrighted ©.