2015-05-05 12:00:00

Papa: i krishteri nuk është mazohist, di t’i përballojë mundimet


Mundime, besim, paqe. Janë tri fjalët, mbi të cilat Papa Françesku bazoi homelinë e meshës së mëngjesit në Shtëpinë e Shën Martës. Ati i Shenjtë nënvizoi se i krishteri nuk mban qëndrim “sadomazohist” para vështirësive, por ia beson veten Zotit me shpresë.

I krishteri i përballon mundimet me guxim

         Shën Pali persekutohet, por pavarësisht nga mundimet pa fund, nuk e humb fenë e u jep guxim vëllezërve të shpresojnë në Zotin. Duke komentuar Leximin e parë nga Veprat e Apostujve, Papa u ndal në tri pika: mundimi, besimi, paqja. E nënvizoi menjëherë se për të hyrë në Mbretërinë e Zotit, pashmangshmërisht, duhen “kaluar çaste të errta, të vështira”. E megjithatë, i krishteri nuk shkon t’i kërkojë këto mundime, por e di se ato bëjnë pjesë në luftën e tij kundër princit të kësaj bote, djallit, që përpiqet ta shkëpusë nga Fjala e Jezusit, nga feja e nga shpresa. “Të përballojmë mundimet” është një frazë e përdorur shpesh nga Shën Pali Apostull, vuri në dukje Ati i Shenjtë:

         “’Të përballosh’ është më tepër se të durosh, është të mbartësh mbi supe, të hedhësh në krahë peshën e mundimeve. Edhe jeta e të krishterit ka çaste të tilla. Por Jezusi na thotë: ‘Kini guxim në atë çast. Unë fitova, edhe ju do të dilni fitimtarë’. Kjo fjalë e parë na shndrit për të përballuar çastet më të vështira të jetës, ato çaste që na bëjnë të vuajmë”.

T’i besojmë Zotit në çastet e vështira

         E pasi jep këtë këshillë, citoi sërish Papa Veprat e Apostujve, shën Pali e organizon Kishën, lutet për meshtarët, vë duart mbi ta e ia beson Zotit. Fjala e dytë e homelisë qe “besim”, apo lëshim në duart e Hyjit. I krishteri, tha Ati i Shenjtë, duhet t’ia besojë vetveten Zotit në çastet e mundimeve, sepse është i vetmi që mund t’i japë forcë, durim e shpresë:

         “T’i besojmë Zotit diçka, t’i besojmë Zotit atë çast të vështirë, t’i besojmë Zotit vetveten, t’ia besojmë Zotit besimtarët, meshtarët, ipeshkvijtë, t’ia besojmë Zotit familjet tona, miqtë tanë e t’i themi: ‘Kujdesu për ta, janë të tutë’. Është një lutje, që nuk e bëjmë gjithmonë, këtë lutjen e besimit: ‘O Zot, po ta besoj këtë gjë, çoje përpara Ti’. Kjo është lutje e bukur e krishterë. Është qëndrim plot besim në fuqinë e Hyjit e, edhe në dhembshurinë e Zotit, i cili është Atë”.

Paqja e Zotit forcon fenë dhe shpresën

         Kur ia beson jetën Zotit, Ai i Lumi sjell shpresë, sjell paqe. E duke komentuar fjalën e tretë të homelisë së sotme, Papa Françesku kujtoi fjalët e Jezusit për dishepujt: “Ju lë paqen, ju jap paqen time”. Por nuk duhet ngatërruar me qetësinë, tha Ati i Shenjtë. Është paqe, që të jep forcë, të jep fe e shpresë:

         “Tri fjalë: mundime, besim e paqe. Gjatë jetës na duhet të shkojmë në udhët e mundimeve, por ky është ligji i saj. Në ato çaste të vështira, t’ia besojmë veten Zotit e Ai i Lumi do të na përgjigjet me paqen. Zoti, që është Atë e na do shumë, nuk na zhgënjen kurrë. Ta vazhdojmë tani kremtimin eukaristik me Hyjin, duke iu lutur të na përforcojë në fe e në shpresë, duke i kërkuar të na japë besimin se do të fitojmë mbi mundimet, sepse Ai e ka fituar botën, duke i kërkuar të na dhurojë të gjithëve paqen e Tij”.








All the contents on this site are copyrighted ©.