2015-05-05 12:02:00

Muajin maj Kisha ia kushton nderimit të figurës së Zojës së Bekuar


Kemi filluar muajin e majit, të cilin, Kisha katolike ia kushton nderimit të Zojës së Bekuar, Virgjërës Mari dhe lutjeve drejtuar Hyjit përmes ndërmjetësimit të Saj amnor . Kështu, kur thuhet maj, mendja të shkon menjëherë te Zoja e Bekuar. Maji është muaji që i kushtohet Zojës, është koha e bashkimit më të ngushtë me Nënën dhe ne të gjithëve, e cila na prin tek Jezu Krishti.
Muaji i majit, vetvetiu, i është kushtuar Zojës, sepse është muaji i bukurisë, muaji i shpërthimit të jetës e asnjë krijesë nuk është më e bukur se Maria; asnjë krijesë nuk i ka kënduar jetës si Maria. Prandaj muaji i majit është muaj marian.
E muaji maj ka disa elemente kryesore që karakterizojnë.  Besojmë se çasti më i rëndësishëm i muajit maj duhet të jetë ai i rizbulimit të lutjes mariane e posaçërisht i thënies së uratës së Rruzares në gjirin e familjes, në shtëpi. Mund të themi se dikur urata e Rruzarjes Shenjte ishte një element i domosdoshëm për jetën e përditshme të familjes së krishterë. Familja e krishterë shqiptare e ka traditë të mblidhet çdo mbrëmje për të thënë së bashku Rruzaren Shenjte. Kur nuk kishte televizor, internet, madje as dritë; gjithsesi nën dritën e kandilit (që ndizet shpesh herë edhe sot) familja ndjehej mrekullisht e lume dhe e bashkuar. Sa binte muzgu, këmbanat e Kishës këndonin Ave Marinë – Të Falem Mari, e familjet ishin përplot me Zotin, në sa luteshin së bashku me Zojën e Bekuar. Çka i pengon të mblidhen edhe sot e ta thonë së bashku Rruzaren?

Kisha na fton të gjithëve që gjatë këtij muaji ta lusim sa më shpesh e më mirë uratën e Rruzares Shenjte. Për ta thënë mirë Rruzaren është e nevojshme që në shtëpi të ndjehet atmosfera e lutjes. Lutja nuk vjen vetvetiu. Në se në familje e në shtëpi ndjehet fryma e fesë, është e lehtë të krijohen kushtet e nevojshme për të thënë me gjithë zemër Rruzaren. Para së gjithash duhet që të mblidhen të gjithë anëtarët e familjes së bashku, babai, nëna, bijtë e bijat e në se janë, edhe gjyshi e gjyshja, sepse Rruzarja është e bukur, kur e thotë gjithë familja së bashku, kur Zotit i luten të gjithë një zëri. Duke thënë së bashku Rruzaren, ndjehet zëri i popullit të Zotit, familja bëhet një gjë e vetme me të, ndjen misterin e Jezusit të pranishëm në mes të atyre që janë mbledhur në emër të Tij.

E duhet të kujtojmë edhe faktin se si lindi devocioni për Zojën e Bekuar! Devocioni për Zojën e Bekuar lind nga vetë historia e shëlbimit, është vepër e vetë Zotit. Shën Luka ungjilltar i paraprin tregimit mbi Lajmërimin e Zojës me disa fjalë, që kanë një kuptim jashtëzakonisht vendimtar. Thotë Ungjilltari: “Engjëlli Gabriel qe dërguar nga Zoti në një qytet të Galilesë, të quajtur Nazaret, tek një virgjër me emrin Mari”. Kjo shtesë ka rëndësi vendimtare: na tregon se është Zoti ai që e dërgoi Engjëllin. Prej këndej, edhe se është Zoti ai që e zgjodhi Marinë. Ishte Zoti ai që trokiste te porta e zemrës së Marisë; kjo portë u hap dy kanatash përpara Hyjit e që atë çast Maria u bë bashkëpunëtorja më e madhe në planin e shëlbimit. Maria është vazhdimisht pranë Jezusit, nuk ndahet kurrë nga ai. Në se ndahet Biri nga Nëna ose Nëna nga Biri, bëhet diçka që është kundër zgjedhjes së Zotit. Prandaj themi se Maria na merr për dore e na çon te Krishti.








All the contents on this site are copyrighted ©.