2015-05-05 12:06:00

Kardinali Sandri ndër të krishterët e Irakut


Vazhdon në Irak, vizita e kardinalit Leonardo Sandri, prefekt i Kongregatës së Kishave Lindore. Dje paradite, ai u takua me bashkësinë kaldease të Duhoq-ut, në Kurdistanin irakian. Të shumta, familjet e krishtera refugjate, që kaluan sprovën e persekutimit. Gjatë meshës së kremtuar me to, kardinali nënvizoi se “kur njeriu nuk i qëndron më besnik Zotit të besëlidhjes, nuk është më besnik edhe ndaj humanitetit të vet, ndaj vëllezërve e motrave të veta, me të cilët ka jetuar deri një ditë më parë”.

Heshtja e bashkësisë ndërkombëtare është tradhti

Prelati iu referua pikërisht atyre, që i tradhtuan bashkatdhetarët e tyre, duke u plaçkitur shtëpitë, duke u profanuar tempujt, ku mësohej paqja, me mendjen se po triumfonte ideja e dhunës dhe e vdekjes; atyre, që përdhunuan e ua morën rininë fëmijëve e vajzave për të kënaqur epshet. Por, ngriti zërin kardinali Sandri, tradhti është edhe heshtja e zgjatur e bashkësisë ndërkombëtare, apo braktisja nga ana e forcave kombëtare e rajonale, që fillimisht u kishin ofruar mbrojtje të krishterëve.

Në gjunjë, para dhimbjes së të varfërve

         Ndërsa njeriu gënjente e tradhtonte, Zoti mbetej besnik, tha më tej kardinali, i cili nënvizoi se kjo besnikëri shihet edhe në impenjimin personal të Mëkëmbësit të Krishtit, Papës Françesku, i cili u dërgoi bekimet e përshëndetjet e tij të krishterëve të Irakut. Siç thotë Ati i Shenjtë, nënvizoi më tej kardinal Sandri, duhet të gjunjëzohemi para të varfërve, prandaj, përfaqësuesi i Papës është këtu për t’u gjunjëzuar para përvojës suaj të dhimbshme, para heshtjes e durimit, para të rrëmbyerve e të vdekurve. Homelia përfundoi me thirrjen për zgjim drejtuar ndërgjegjes së fjetur të Perëndimit e me lutjen drejtuar Zotit, që të ketë mëshirë për të krishterët e Lindjes së Mesme.








All the contents on this site are copyrighted ©.