2015-05-05 14:28:00

Jubileu i mëshirës, Fisichella: do të jetë moment hiri e bekimi


Viti i Mëshirës do të jetë “një moment i hirit e bekimi të vërtetë për të gjithë të krishterët dhe një zgjim për të vazhduar në shtegun e ungjillëzimit të ri e të kthimin të veprimtarisë baritore” në përkim me udhëzimet e Papa Françeskut. Kështu pohoi mes tjerash imzot Salvatore Fisichella, president i Këshillit Papnor për Promovimin e Ungjillëzimit të Ri, gjatë një konference shtypi mbajtur në Vatikan për paraqitjen e Jubileut të Mëshirës.


“Kisha ka një dëshirë të pashtershme për të ofruar mëshirën” Hyjnore. Në këtë shprehje, që gjendet në Qortimin Apostolik “Evangeli gaudium”, kemi kuptimin e Jubileut të jashtëzakonshëm që do të hapet më 8 dhjetorin e ardhshëm, në solemnitetin e Zojës së Papërlyer.
Një Vit i Shenjtë – tha imzot Fisichella – që deri më 20 nëntorin e 2016, në Solemnitetin e Jezu Krishtit Mbret të Gjithësisë, do të ritmohet me kremtime dhe ngjarje të ndryshme.
Pasi ripohoi se është i pakuptimtë konfrontimi i Jubileut të Mëshirës me atë të 2000 sepse Viti i Shenjtë ka karakteristika dhe synime të veçanta, presidenti i Këshillit Papnor për Ungjillëzimin e Ri kujtoi se kjo ngjarje e jashtëzakonshme do të jetohet e kremtohet si në Romë e po kështu edhe nëpër Kishat lokale apo vendore: “Për herë të parë në historinë e Jubileve, na ofrohet mundësia e hapjes së Portës së Shenjtë – Portës së Mëshirës – edhe nëpër dioqeza të veçanta, në mënyrë të posaçme në Kishat Katedrale apo në ndonjë Kishë me një domethënie të veçantë apo në ndonjë Shenjtërore me rëndësi për shtegtarët”.
Do të jetë pra një Jubile tematik që ka për qëllim ta thërras Kishën t’i kthehet “misionit të saj parësor për të qenë shenjë dhe dëshmi e mëshirës”.
Një tjetër veçori e këtij Viti të Shenjtë - shpjegoi imzot Fisichella – na ofrohet nga “Misionarët e Mëshirës”, të cilët do të marrin nga Papa mandatin e tyre të Mërkurën e Përhime. Këta duhet të jenë “meshtarë të durueshëm, të aftë t’i kuptojnë kufizimet e njerëzve, por edhe të gatshëm të shprehin frymën e shpirtit të Bariut të mirë”.
Viti Jubilar do të shoqërohet nga një logo e një moto. Logoja, vepër e atë Marko Ivan Rupnikut, na prezantohen si një përmbledhje e vogël e teologjisë së mëshirës: “Imazhi, që është shumë i dashur për Kishën e lashtë, na tregon dashurinë e Krishtit që e çon në plotësim misterin e mishërimit të tij me veprën e shëlbimit, kështu na propozon të Birin Hyjnor që  merr mbi krah njeriun e humbur. Vizatimi është realizuar në një mënyrë që nxjerr në pah figurën e Bariut të Mirë, i cili prek në thellësi mishin e njeriut dhe këtë e bënë me dashuri të tillë që ia ndryshon jetën”.
Motoja, “Të Mëshirshëm si Ati”, është marr nga Ungjilli i Lukës: “Është një propozim për ta jetuar mëshirën sipas shembullit të Atit Qiellor që kërkon të mos gjykojmë e të mos dënojmë, por të falim e të dhurojnë dashuri e falje pa masë”.
Kalendari i kremtimeve – kujtoi imzot Fisichella – do të ritmohet nga ngjarje që parashikojnë një pjesëmarrje të madhe njerëzish. Ngjarja e parë, në program nga 19 deri më 21 janar, do t’i kushtohet të gjithë atyre që veprojnë në botën e shtegtimit. Kremtimi i 3 prillit do t’i përfshijë në mënyrë të veçantë besimtarët që jetojnë përvojën e mëshirës. Botës së vullnetariatit bamirës do t’i kushtohet dita e 4 shtatorit. Spiritualitetit marina do t’i kushtohen kremtimet e 9 tetorit. Më 24 prill do të ketë një ditë të veçantë për të rinjtë që, pas Krezmimit, thirren ta rrëfejnë, pra dëshmojnë fenë e krishterë. Më 29 maj do të kremtohet Jubileu për Diakonët, më 3 qershor ai për priftërinjtë e më 25 shtator për katekistët. Dita e 12 qershorit do t’i kushtohet të sëmurëve e personave me handikap. Dita e 6 nëntorit do t’i drejtohet të burgosurve.
Një perspektivë e dytë, përmes së cilës duhet lexuar kalendarin e kremtimeve, do të karakterizohet nga disa shenja që Papa Françesku do t’i bëjë në mënyrë simbolike, duke vizituar disa “periferi” ekzistenciale. Për Atin e Shenjtë Bergoglio – pohoi imzot Fisichella – do të jetë rast për të dëshmuar personalisht afërsinë e vëmendjen ndaj të varfërve, njerëzve që vuajnë e atyre që janë të mënjanuar: “Këto momente do të kenë një vlerë simbolike, por do t’u kërkojmë ipeshkvijve e priftërinjtë, t’i bëjnë edhe ata nëpër dioqeza, po këto shenja e gjeste në bashkim me Papën, në mënyrë që të gjithëve t’u mbërrijë një shenjë konkrete e mëshirës dhe afërsisë së Kishës”.
Një tjetër perspektivë e Viti jubilar ka të bëjë me shumë shtegtarët që do të vijnë në Romë në mënyrë individuale, pa organizimin e grupeve apo të lëvizjeve. Për ta do të përcaktohen disa Kisha në qendrën historike të Romës ku do të mund të gjejnë pritje, të jetojnë momente të lutjes e të përgatitjes për të kaluar nëpër Portën e Shenjtë.
Për ata që kërkojnë njoftime e të dhëna zyrtare mbi Vitin jubilar ja mundësia on linë në faqen e internetit
www.iubilaeummisericordiae.va, me mundësi të lidhjes edhe në adresën  www.im.va. Faqja web, e gatshme në shtatë gjuhë (italisht, anglisht , spanjisht, portugalisht, frëngjisht, gjermanisht e polonisht) janë të lidhura me disa social network (Facebook, Twitter, Instagram, Google Plus e Flickr) për hollësira e njoftime të reja për të ndjekur veprimtaritë më të rëndësishme të Papës.








All the contents on this site are copyrighted ©.