2015-05-05 13:42:00

Bartolomeu I: luftë globale kundër fundamentalizmit


“Zhdukja e të krishterëve të Lindjes është tragjedi njerëzore. Është çështje me rëndësi historike e qytetërimi njëkohësisht. Kërcënimi për zhdukjen e tyre është global, do të shkulte rrënjët shpirtërore të nevojshme, që mund ta frymëzojnë këtë epokë të përshkuar nga ndryshime të thella”. Këto fjalë janë marrë nga letra që Patriarku ekumenik, Bartolomeu I u dërgon pjesëmarrësve të Konferencës ndërkombëtare “Të krishterët e Lindjes së Mesme: me ç’të ardhme?”, organizuar nga Bashkësia e Shën Egjidit në Bari të Italisë. Patriarku kujton se të krishterët janë trashëgimtarët e krishterimit të zanafillës, farkëtuar në pejsazhin e Mesdheut lindor, të cilët me traditat e tyre shpirtërore, gjuhësore, kulturore, ditën të plazmojnë brumin e krishterimit të sotëm botëror.

Të krishterët e Lindjes kanë bashkëjetuar gjithnjë me myslimanët

         Më pas, Bartolomeu I vë në dukje se bashkësitë e krishtera bartin trashëgiminë e bashkëjetesës me botën myslimane, sot, e papranueshme për fundamentalistët. Por kjo nuk e pakëson rëndësinë e rolit të tyre si ndërmjetësues përballë radikalizmit të disa myslimanëve, që i shohin si kalë Troje të Perëndimit. Për këtë, Patriarku i bën thirrje bashkësisë ndërkombëtare të veprojë, që të krishterët e Lindjes së Mesme të mos bëhen vetëm një kapitull në librat e historisë, ku të tregohet për zhdukjen e tyre të plotë. Vetëm lufta globale kundër fundamentalizmit, e mbyll letrën Bartolomeu I, mund të sigurojë praninë e tyre të vazhdueshme në rajonin, ku ka lindur emri “i krishterë”.








All the contents on this site are copyrighted ©.