Me prejardhje nga Palestina. Një tekst apokrif tregon se, hebreu me emrin Judë,
e mori emrin Qiriakë pasi e përqafoi fenë e krishterë. U bë ipeshkëv i Jerusalemit,
pësoi martirizimin së bashku me nënën Ana, në kohën e Julianit Apostat.
Kush qe në të vërtetë Shën Qiriaku? Sipas një teksti apokrif, shënohet se kur ipeshkvi
i Jerusalemit dhe nëna e përshpirtshme besimtare e Konstantinit, shën Helena, kërkon
në Qytetin e Shenjtë për të gjetur Kryqin e Krishtit, patën ndihmuar një hebré me
emrin Judë. Ndër mrekullitë e para që bëri druri i shenjtë i Kryqit qe pikërisht kthimi
i këtij hebreu në fenë e Krishtit.
Posa ndërroi emrin e nisi të quhej Qiriako (emër me origjinë greke, që do të thotë
“patric”, shumë i përhapur aso kohe në botën romake), e pasi përshkoi udhët e Palestinës,
u zgjodh ipeshkëv i Jerusalemit e më pas edhe u martirizua, sè bashku me nënën e tij,
Anën, gjatë persekutimit të Julianit Apostat. Edhe rrëfimi i martirologut romak përkon
me këtë histori.
Ka shumë mundësi që Juda, i pagëzuar me emrin Qiriak, të ketë ikur nga Palestina për
t’u vendosur në Itali, duke u ndalur më në fund të Ankona. Këtu u zgjodh ipeshkëv,
në një kohë kur krishterimi, i sapo dalë nga klandestinit me ediktin e Milanos, njihte
një lulëzim të paparë. Pas shërbimit të gjatë ipeshkëvnor, Qiriaku deshi të kryente
shtegtimin e tij të fundit nè Tokën e Shenjtë, për të parë përsëri vendet e Jezusit
dhe të rinisë së vet. Por këtu e priste shpata e persekutuesit të fundmë romak, Julianit
Apostat, e kështu plaku i shenjtë do të fitonte palmën e martirit për fenë e tij në
Krishtin.
Më vonë reliket e ipeshkvit Qiriaku arritën mrekullisht në Ankona të mbyllura në një
arkë e cila, e shtyrë nga valët e detit, ishte ndalur në port. Për ta kujtuar këtë
gojëdhënë më 4 maj në Katedralen ankoniane shpërndahen tufa xunkthash të bekuar.
Ndërmjet dëshmive që tregojnë sa i lashtë është kulti i shenjtit, kujtojmë riprodhimin
e figurës së tij ndër monedha e monumente të Ankonës. Edhe vetë Kisha Katedrale, që
më parë i qe kushtuar shën Lorencit, në shekullin e XIV mori përfundimisht emrin e
Shenjtit Pajtor Qiriakut. Kisha mahnitëse, që sundon mbi qytetin nga lartësitë e kodrës
Guasco, është gjëja e parë që shikon shtegtari kur arrin në Ankona me rrugë tokësore
apo detare. Kujton kështu emrin e ipeshkvit të shenjtë, i cili gjithashtu arriti në
qytetin e Adriatikut së pari i emigrant, ashti si shumë shqiptarë e emigrantë të kombësive
tjera, e pastaj si bari shpirtëror e dëshmitar i Krishtit Shpëtimtar.
All the contents on this site are copyrighted ©. |