2015-05-03 13:22:00

Sot Papa vizitoi famullinë e Shën Marisë, Mbretëreshë e Paqes, në Ostia.


Sot, e diel, 3 maj, Papa vizitoi bashkësinë e Ostia Levante-s. Arriti rreth orës 16.00. Për ta pritur, në sheshin para Kishës famullitare,  kishin dalë  kardinali-mëkëmbës, Agostino Vallini e shumë autoritete kishtare kryesisht të dioqezës së Romës. E, natyrisht, famullitari, don Ludovico Barbangelo, palotin, i shoqëruar nga katër bashkëpunëtorët e tij më të ngushtë.

Papa mes besimtarëve!

Në pritje që Ati i Shenjtë t’i inkurajojë për të bërë mirë e, sidomos, për ta dëshmuar bukurinë e Ungjillit. E pritja, që bëhet e tashme para syve të tyre, përballë shembullit të madh: Françesku takohet menjëherë me njerëzit më të ligshtë, me ata, që kanë nevojë për mbështetje, mbrojtje, dorë atërore e, ndoshta, thjesht për një kujtim të paharrueshëm, si ai i çikjes së dorës me dorën e Papës. U takua së pari me handikapatët e pleqtë, Papa, në palestrën e madhe të famullisë. Këtu e në disa pika të tjera, ishin vendosur ekrane të mëdha, për t’u krijuar sa më shumë njerëzve mundësinë ta ndiqnin çdo lëvizje të Atit të Shenjtë e, sidomos, kremtimin e Meshës. Më pas Françesku u takua me katekistët, me fëmijët e krezmuar e në pritje të sakramentit, me ata, që sapo kanë marrë Kungimin e parë, me të rinjtë e bashkësisë famullitare. Rreth 500 vetë, gjithsejt. Kështu Françesku mundi të njihet drejtpërdrejt me jetën e famullisë e edhe me traditat. Sepse nuk është re. I ka mbushur prej kohe të nëntëdhjetat. Prej këndej, e kaluara e saj ka shumë rëndësi, për të ndërtuar mbi të të renë e për t’ua dorëzuar traditën të rinjve, që presin diçka më tepër nga  Kisha e kohëve moderne, gjithnjë e njëjtë, e gjithnjë në përkim me shenjat e kohëve në risim.

E në këtë famulli të rinjtë janë prej kohe në qendër të vëmendjes. Kanë kërkesa të ndryshme, por bashkësia përpiqet t’i kënaqë, pavarësisht nga vështirësitë. Vëmendje e veçantë i kushtohet edhe punës baritore me njerëzit, që dëshirojnë të marrin Sakramentin e Pagëzimit. E, natyrisht, këtu ka disa  lëvizje e bashkësi, përherë përkrah meshtarëve: kujtojmë Udhën neokatekumenale, grupin “Së bashku” të të moshuarve,  karizmatikët, anëtarët e Apostullimit të Uratës, Veprimin Katolik e skautët.

Ndër të dhënat statistike më të rëndësishme, është ajo e numrit të të pagëzuarve që, në këtë famulli, e kalon çdo vit 200-tën. Të shumta edhe kungimet e para e krezmimet në moshë të pjekur.

Kulmi i vizitës, Mesha Shenjte, kremtuar në bazilikën e Shën Marisë, Mbretëreshë e Paqes.

Pak histori: Famullia i është besuar Shoqërisë së Apostullimit Katolik (Palotinëve). Ndodhet në sektorin jugor të Romës, në prefekturën XXVI, lagjja Lido e Ostia Levante-s, Bashkia e 10-të me titullin presbiteral të Kardinalit Laurent Monsengwo Pasinya.

Bazilika e Shën Marisë Mbretëreshë e Paqes u realizua sipas projektit  të arkitektit Giulio Magni, që konsiderohet si një nga arkitektët më të rinj  të epokës, paraprirë nga inxhiner Paolo Orlando. Orlando e nisi veprën në vitin 1916, kur bota vijonte të kacafytej në konfliktin e parë. U nis nga ndjeti: “…të ndërtonte një tempull kushtuar Mbretëreshës së Paqes, që t’u nxirte njerëzve të stërmunduar nga lufta në vijim, hirin e paqes”.  Sipas planit, kisha u ndërtua me fasadën përballë detit, për t’i treguar të gjithëve menjëherë se “… bekimi i Mbretëreshës së Paqes donte të rrokte mbarë botën”. Në fillim, kur nuk ishte ende famulli, iu besua etërve agostinianë. Gurin e parë të themelit e vuri, më 21 qershor 1919, kardinali Vannutelli, me një rit madhështor fetar, kremtuar përballë detit, në praninë e një turme të madhe autoritetesh e besimtarësh të thjeshtë, që qanin nga gëzimi: “Zoja e kishte dëgjuar zërin e tyre. Lufta kishte përfunduar”.  

Kisha është e gjatë 56 metra, e gjerë 21, e lartë 42 metra. Kupola është tetëkëndëshe, me diametër 12 metra. Ndërtesa ka formën  e bazilikës, me një navatë e kapela anësore,  stolisur me shumë dritare, që të kujtojnë ato të Shën Marisë së Engjëjve e Martirëve, realizuar nga Mikelanxhelo. Prej tyre vërshon një simfoni drite. Bazilikë klasike e moderne njëherësh, kjo e Mbretëreshës së Paqes, me një lojë vijash e lëvizjesh, që krijohen nga përdorimi i tullave të kuqe e nga kombinimi mjeshtror i dritë hijeve.     

Fasada është vërtet madhështore, me stemën e Papës Piu XI e me portën, ndoshta pakëz të ngushtë, po jo aq, sa të mos e zinte  turmën pa fund të besimtarëve, që e ndoqën pas Françeskun kur hyri në kishë, për të kremtuar Meshën të paharrushme, që u regjistrua si një nga ngjarjet më të rëndësishme në analet e reja, të bazilikës së vjetër.  








All the contents on this site are copyrighted ©.