2015-05-02 17:07:00

Papa merr pjesë në përurimin e Flamurit të ri të Rojës Zvicërane


Pas emërimit, më 7 shkurtin e kaluar, të Komandantit të ri të Rojës Zvicërane, Kolonelit Christoph Graf, dje pasdite, në Vatikan, u mbajt ceremonia e përurimit dhe e bekimit të Flamurit të ri të Truprojës. Në orën 17.00, sipas njoftimit të drejtorit të Sallës vatikanase të Shtypit, atë Federiko Lombardi, sekretari i Shtetit të Shenjtërisë së Tij, kardinali Pietro Parolin, kremtoi Meshën në Kishën e Varrezës Teutonike, me bekimin e Flamurit. Më pas, në Lagjen e Rojës, u kremtua “Akti ushtarak”, në të cilin, për çudinë e shumicës së të pranishëmve, mori pjesë edhe Papa Françesku.

Pasi dëgjoi fjalimin e Komandantit të ri e duke e marrë shtytjen prej tij, Papa u drejtoi disa fjalë të pranishëmve, duke i uruar komandantit të ri, me fjalë frymëzuese e të përzemërta, shërbim të mbarë: “Komandanti duhet të jetë njeri i bashkimit, i përzemërsisë, i dashurisë e edhe njeri i përvujtërisë”, tha Papa e, më pas, i uroi të jetë atë për rojet e tij e të kërkojë, në lutje, që Shpirti Shenjt të mbjellë e të rrisë dashuri e bashkim ndërmjet gjithë anëtarëve të Truprojës. Papa pëfundoi duke kujtuar moton e Rojës Papnore:  “Guxim e Përvujtëri”.

Të komandosh me frymë ungjillore, do të thotë të shërbesh, kujtoi Papa e, në përfundim, u dha bekimin Komandantit të Truprojës si dhe familjarëve,  miqve e dashamirëve të pranishëm.








All the contents on this site are copyrighted ©.