2015-05-02 12:31:00

Liturgjia e Fjalës së Zotit e dielës së 5-të të Pashkëve “B”.


Ja përsëri në takim tonë javor me Fjalën e Zotit të së Dielës, kësaj here do të dëgjojmë e meditojmë së bashku leximet biblike të liturgjisë së Fjalës Hyjnore të dielës së 5-të të kohës së Pashkëve, ciklit të dytë, sipas kalendarit liturgjik të Kishës.

Liturgjia e Fjalës së Zotit e kësaj së diele na thërret të qëndrojmë të bashkuar në Krishtin, hardhinë e vërtetë. Në kohën e pashkëve historia dhe jeta e komunitetit të parë të krishterë shfaqin më mirë praninë e Jezusit të Ngjallur. Komuniteti i Jerusalemit është dëshmitar i shndërrimit të thellë të Palit, të cilin, nga persekutues të të krishterëve, Jezusi e fton të jetë kumtues i Ungjillit (I Lexim).  Në simbolizmin e hardhisë dhe shermendeve Gjoni ungjilltar sheh marrëdhënien e ngushtë që lidh të krishterit, “shermend” (trisk), me Jezusin, “hardhinë e vërtetë”. Të këputesh këtë lidhje do të thotë të nisesh drejt vdekjes shpirtërore, siç ndodh me shermendet që nuk janë të kapura e të bashkuara me hardhitë. Ta rigjallërosh këtë lidhje do të thotë të sjellësh shumë fryte (Ungjilli). Leximi dytë i kësaj së diele është një logjikë e vazhdueshme  e së parës: dashuria vëllazërore është ajo që udhëheq komunitetin në një jetë plot paqe e harmoni. Po cilat janë kriteret e dashurisë së vërtetë? Gjoni na tregon disa pika themelore. Para se gjithash faktet: “Mos të duam me fjalë e me gjuhë, por me vepra e në të vërtetë! Me këtë gjë e dimë a jemi prej së vërtetës e në të vërtetën”.

Prandaj, të mbesim të bashkuar me Krishtin në mënyrë që të lidhim fryte. Kjo është sfida e Ungjillit të kësaj së diele. Të lidhësh fryte do të thotë në fund të fundit të duash. Të duash me një dashuri të plotë, të përsosur, të duash me të njëjtën forcë dashurie me të cilën na do Zoti. Vetëm nëse jemi të bashkuar me Krishtin do të kemi pjesë në këtë dashuri Hyjnore e do të mund ta zbatojmë Urdhërimin e Tij. Ungjilli i kësaj së diele ka si qëllim të na bind se çdo fryt i jonë rrjedh nga bashkimi ynë me Krishtin, sikurse janë shermendet me hardhinë, që jetojnë nga limfa që u vjen prej saj.
Shenja e gjallërimit, e vitalitetit tonë është bashkimi me Krishtin, “Hardhinë”. Eukaristia – Mesha Shenjte është moment i privilegjuar për ta realizuar këtë bashkim, si në nivelin individual ashtu edhe në atë komunitar. Shëmbëlltyra e hardhisë dhe shermendeve që na propozon Ungjilli i kësaj së diele, na tregon se limfa e jetës së besimtarëve është prania a Jezusit në mesin e tyre. Ai është burimi i jetës së besimtarëve dhe i veprave të mira që ata mund dhe duhet të bëjnë.
“Kush mbetet me mua dhe unë në të, ai jep shumë fryt.” – thotë Jezusi në Ungjillin e kësaj të diele (Gjn. 15, 1-8), ndërsa Shën Gjoni apostull në leximin e dytë na porosit: “mos të duam vetëm me fjalë e me gjuhë, por me vepra e në të vërtetë.” Vetëm kështu, duke qenë të lidhur për dhe me Krishtin do ta ndjejmë rrjedhjen e limfës ndër damarët e jetës sonë.

                                                                                  Liturgjia e Fjalës

Leximi i parë   Vap 9, 26-31

Thirrja apostolike e Palit nuk varet as nga dymbëdhjetë apostujt, as nga bashkësia e Jeruzalemit, por rrjedh plotësisht nga Hyji.  Në Kishë duhet të mbizotërojë gjithmonë bashkimi në misionin e saj.  Përderisa bashkimi nuk është kurrë një formë vetëm e jashtme, por një sjellje thellësisht shpirtërore, Ungjilli nuk mund të përhapet nëse shpallësit e tij nuk janë thellësisht të bashkuar mes tyre në Kishë, e cila ka për detyrë të rinjohë veprimet e Shpirtit në secilin prej anëtarëve të saj.

Lexim prej Veprave të Apostujve

Në ato ditë, kur Pali erdhi në Jerusalem, përpiqej të bashkohej me nxënës, porse të gjithë ia kishin drojën sepse nuk mund e besonin se me të vërtetë ishte bërë nxënës. Atëherë Barnaba e mori dhe e çoi te apostujt dhe u tregoi se Sauli e kishte parë Zotërinë gjatë një udhëtimi, sesi Jezusi foli me të dhe sesi Sauli ka predikuar me plot guxim në Damask në Emër të Jezusit. Që atëherë shkonte e vinte bashkë me ta nëpër Jerusalem dhe predikonte me vendosmëri në Emër të Zotërisë. U drejtohej edhe hebrenjve që flisnin greqisht dhe diskutonte me ta, por edhe ata synonin ta vritnin. Kur e morën vesh këtë gjë vëllezërit, e përcollën deri në Cezare e së andejmi e nisën për Tars. Kisha, pra, ishte në paqe në mbarë Judenë, Galilenë e Samarinë; ndërtohej dhe përparonte në frikën e Zotërisë dhe rritej në saje të hirit të Shpirtit Shenjt. Fjala e Zotit. Falënderojmë Hyjin.

Psalmi 22

Ty të lavdëroj, o Zot, në bashkësinë

e vëllezërve

Ju që e druani Zotin, lëvdojeni atë,

mbarë fara e Jakobit, lëvdojeni atë!

Ndër sy të besimtarëve të tu do t’i kryej

kushtet.

Do të hanë skamnorët e do të ngihen, do ta lavdërojnë Zotin ata që e kërkoj-në: ‘Rroftë zemra e tyre për amshim!’

Do të kujtohen e do të kthehen te Zoti mbarë skajet e tokës, do të adhurojnë para tij mbarë familjet e kombeve. Sepse Zoti është mbret! Ai sundon kombet!

Atë, vetëm atë do ta adhurojnë

të gjithë ata që pushojnë nën dhe,

para tij do të përmbysen të gjithë ata

që kthehen në pluhur.

Kurse shpirti im për të do të jetojë,

në shërbim të tij do të jetë fara ime,

breznisë së ardhshme do t’i tregohet për Zotin, për drejtësinë e tij do t’i tregohet popullit që vjen: “Kështu bëri Zoti!”

Leximi dytë 1 Gjn 3, 18-24

“Zemra”, për shën Gjonin është ndërgjegjja jonë, roja që kontrollon veprimet tona.  Por, edhe pse ndërgjegjja na akuzon duhet gjithmonë të besojmë në dashurinë e mëshirshme të Hyjit që është mbi çdo ligj.  Norma e vërtetë e veprimeve tona nuk është bindja ndaj ligjit, por aftësia jonë për të dashur, për të qenë të hapur ndaj nevojave të vërteta të të tjerëve. 

Lexim prej Letrës së parë të shën Gjonit apostull

Fëmijëzit e mi, mos të duam me fjalë e me gjuhë, por me vepra e në të vërtetë! Me këtë gjë e dimë a jemi prej së vërtetës. Dhe do ta qetësojmë zemrën tonë para Tij në qoftë se ajo na qorton për ndonjë send. Sepse Hyji është më i madh se zemra jonë dhe njeh gjithçka. Fort të dashur! Nëse zemra nuk na padit, mund të shkojmë me guxim te Hyji dhe çkado që kërkojmë, prej Tij e marrim, sepse i mbajmë urdhërimet e Tija dhe bëjmë çka Atij i pëlqen. Ky është urdhri i Tij: që të besojmë në Emrin e Birit të Tij – në Jezu Krishtin dhe ta duam njëri-tjetrin, si Ai na urdhëroi. Kush i mban urdhërimet e Tija, mbetet në Hyjin dhe Hyji në të. Me këtë e dimë se Ai mbetet në ne: me anë të Shpirtit që na e ka dhënë. Fjala e Zotit. Falënderojmë Hyjin.

Aleluja! Aleluja!

Banoni në mua sikurse edhe unë në ju, thotë Zoti: kush mbetet në mua jep shumë fryt.

 Aleluja! Aleluja!

Ungjilli   Gjn 15, 1-8

Vreshti është populli i Hyjit.  Nga Pashkët e Jezusit do të lindë një vresht i ri, që do tu japë forcë dhe gëzim të gjithë njerëzve.  Për të sjellë fryte të mira, ne që jemi degët e vreshtit të Zotit, duhet të qëndrojmë thellësisht të lidhur me të, që është trungu nëpërmjet të cilit arrin në ne lëngu.  Nëse nuk ekziston një lidhje jete, veprimet tona janë të thata dhe pa dashuri, dhe ne jemi të paaftë për tu dhuruar verën e Ungjillit njerëzve të etur.

Leximi i Ungjillit shenjt sipas Gjonit

Në atë kohë, Jezusi u tha nxënësve të vet: “Unë jam hardhia e vërtetë, e im Atë është vreshtari. Çdo shermend në mua, që nuk jep fryt, Ai e pret, kurse secilin që jep fryt, Ai e pastron, që të japë më shumë fryt. Tashmë ju jeni të pastruar me anën e fjalës që ju thashë. Banoni në mua sikurse edhe unë në ju. Sikurse shermendi nuk mund të japë fryt prej vetvetes, i shkëputur prej hardhisë, po ashtu as ju, nëse nuk mbeteni në mua. Unë jam hardhia, ju jeni shermendet. Kush mbetet në mua e unë në të, ai jep shumë fryt, sepse pa mua s’mund të bëni asgjë. Nëse ndokush nuk mbetet në mua, hidhet jashtë porsi shermendi i prerë e thahet. Të tillët i bashkojnë, i qesin në zjarr e digjen. Nëse mbeteni në mua, dhe, nëse fjalët e mia qëndrojnë në ju, lypni gjithçka të doni dhe do t’ju jepet. Më këtë gjë lavdërohet im Atë: nëse jepni shumë fryt e dëftoheni nxënës të mi.” Fjala e Zotit. Lavdi të qoftë ty, o Krisht!

Më tepër mbi liturgjinë e Fjalës Hyjnore të kësaj së diele, mund të dëgjoni Radio Vatikanin.......








All the contents on this site are copyrighted ©.