2015-05-02 17:16:00

Françesku: Amerika të lëshojë gjithnjë më shumë rrënjë në Ungjill


“Një erë e hovshme shenjtërie e përshkoftë Jubileun e jashtëzakonshëm të Mëshirës në të gjitha Amerikat”. Këtë uroi Papa Françesku gjatë Meshës, kryesuar në Kolegjin Amerikan të Veriut, në Gianicolo të Romës, me rastin e ditës së reflektimit, përqendruar mbi figurën e Vëlla Junipero Serrës, misionar me origjinë nga Maiorca, që e kumtoi Ungjillin në Meksikë e Kaliforni, në shekullin XVIII

Hov misionar

Jeta dhe shembulli i Fra Juniperit, misionarit spanjoll, që do të shenjtërohet nga Papa më 23 shtatorin e ardhshëm në Washington, gjatë shtegtimit të tij apostolik në SHBA, dallohen nga hovi misionar, devocioni marian e dëshmia e shenjtërisë. Pasioni për të kumtuar Ungjillin, pohoi Papa, e nxiti ta linte atdheun, familjen, katedrën universitare e bashkësinë e tij françeskane. E unë pyes: a jemi ne sot të aftë për t’iu përgjigjur me të njëjtën bujari e me të njëjtin guxim, thirrjes së Hyjit, që na fton të lëmë gjithçka, për ta adhuruar, për ta ndjekur pas, për ta rigjetur në fytyrat e të varfërve, për t’ua kumtuar atyre, që nuk e njohin Krishtin e, prandaj, nuk e ndjejnë rrokjen e mëshirës së Tij?

Devocioni marian

Dëshmia e misionarit spanjoll, shtoi Papa, na thërret të marrim pjesë drejtpërdrejt në misionin kontinental në Amerikë. Vëlla Juniperi, kujtoi Françesku, ia besoi angazhimin e tij misionar Zojës së Bekuar e figurja e Zojës së Guadalupes ishte gjithnjë e pranishme në misionet, që themeloi gjatë bregdetit të Kalifornisë. Që asokohe Zoja e Guadalupes u bë  Pajtore e mbarë Kontinentit amerikan. Nuk është e mundur të ndahet nga zemra e popullit amerikan. Në të Kontinenti ka rrënjën e vet të përbashkët.

Dëshmia e shenjtërisë

Dëshmia e shenjtërisë, vijoi Papa, është një aspekt tjetër i jetës së Fra Juniperit: “Kundrojmë dëshminë e shenjtërisë së vëlla Juniperit, një nga etërit themelues të SHBA-ve, shenjt i katolicitetit e pajtor i posaçëm i hispano-amerikanëve të vendit, që mbarë populli amerikan të rizbulojë  dinjitetin e vet, duke e fuqizuar gjithnjë më shumë përkatësinë e tij ndaj Krishtit e Kishës së Tij”.

Amerika të lëshojë sa më shumë rrënjë në Ungjill

Jeta e kontinentit amerikan, uroi Papa, lëshoftë gjithnjë më shumë rrënjë në Ungjill. Krishti, vijoi, qoftë përherë i pranishëm në jetën e njerëzve, të familjeve,  të popujve e të kombeve. E kjo lavdi u pasqyroftë në kulturën e jetës, në vëllazëri, në solidaritet, në paqe e drejtësi e, në radhë të parë, në dashurinë për të varfërit, edhe përmes dëshmisë të të krishterëve të bashkësive e konfesioneve të ndryshme të besimtarëve të traditave të tjera fetare e të njerëzve me ndërgjegje të pastër e vullnet të mirë.

Papa u lut, në përfundim, që Zoja e Gudalupes, Vëlla Juniperi dhe shenjtorët e tjerë amerikanë, t’i prijnë në shtegtimet e tij apostolike në Jug e në Veri të Amerikës.








All the contents on this site are copyrighted ©.